Tash Graçanica
Vetëm një javë pasi është bastisur Ministria e Kthimit, një komunë me shumicë serbe është bastisur të enjten. Komuna e Graçanicës është “vizituar” nga policë të EULEX-it.
Cak i bastisjeve ishte Zyra për Kadastër e Komunës. Përveç kësaj janë bastisur edhe zyrat e drejtorit të Kadastrës. Bastisjen në Gracanicë e konfirmon edhe EULEX-i, ku sqarohet se Njësia për Hetime Financiare e Policisë së EULEX-it ka bastisur Zyrën Kadastrale në Komunën e Gracanicës.
“Bastisjet janë kryer në kontekst të një hetimi për keqpërdorimin e pozitës zyrtare lidhur me regjistrat e rrejshëm të privatizimit të ish ndërmarrjeve shoqërore (NSH)”, tha zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Sipas tij, policia ka intervistuar katër punonjës të Zyrës Kadastrale, nga e cila kanë marrë dosje për dyshimet e hedhura. Zyrtarë të komunës nuk preferojnë të flasin për detajet e bastisjes me arsyetimin se kjo punë është ekskluzivisht e EULEX-it. Kryetari i komunës, Bojan Stojanoviq, tha për Express se nuk ka ide për çka është bastisur Zyra për Kadastër e komunës që udhëheq ai.
Madje, i pari i komunës thotë se nuk e di cilët persona janë marrë në pyetje nga policia. “Ne jemi për respektim të rendit dhe ligjit. Kemi bashkëpunim të mirë me EULEX-in dhe e kemi derën e hapur për ta. Këto institucione i kemi të trashëguara dhe mund të ketë edhe ndonjë gjë të paligjshme”, tha Stojanoviq për Express. Megjithatë, burime të gazetës nga misioni ndërkombëtar sqarojnë se bëhet fjalë për transferime të pronave shoqërore në emër të personave privatë. “Dyshohet se zyrtarë të Zyrës Kadastrale në mënyrë të paligjshme kanë transferuar prona shoqërore në emër të personave privatë duke u korruptuar”, tha burimi nga EULEX-i.
Sipas të njëjtit burim, dyshohet se ky nuk është rasti i vetëm i transferimit të paligjshëm të pronave shoqërore në Komunën e Graçanicës, por ka edhe raste tjera. Sipas këtij burimi, policia ka marrë në pyetje drejtoreshën e zyrës për kadastër, Nada Brkljaç si dhe tre punëtorë që punojnë në këtë zyrë. Burime të gazetës bëjnë të ditur se fjala është për një tokë bujqësore në Hajvali, e cila ishte pronë publike dhe në mënyrë të rrejshme e njëjta i është kthyer pronarit privat.
Bastisjet janë autorizuar nga një gjykatës i EULEX-it për procedurë paraprake në Prizren, ndërkaq hetimet janë nën mbikëqyrjen e dy prokurorëve të EULEX-it nga Prokuroria Speciale. Sipas EULEX-it, një prokuror special ka qenë i i pranishëm në vendin e ngjarjes në Zyrën e Kadastrës me qëllim të mbikëqyrjes dhe sigurimit të mbledhjes efektive të provave materiale dhe sigurimin e një shpjegimi të plotë e të duhur për personat e pranishëm në vendin e ngjarjes.
Një javë më parë hetuesit e EULEX-it kanë bastisur Ministrinë për Komunitete dhe Kthim nën dyshimin se aty janë kryer vepra të ndryshme penale, që kanë të bëjnë me shpërdorim detyre zyrtare.
Bastisjet u kryen në kontekst të një hetimi për korrupsion lidhur me disa tenderë ndërmjet vitit 2007 dhe 2009, është thënë në njoftimin zyrtar të EULEX-it.
Përveç ministrisë, kanë kryer bastisje edhe në një kompani të quajtur ‘Fimex’ në Prishtinë si dhe në dy adresa private.