E Diel, 1 Nëntor 2026

Fermerët e Dajçit kthejnë pasionin për lulet në biznes fitimprurës

Në fshatin Dajç të Bashkisë Shkodër, gjithnjë e më shumë fermerë po i drejtohen kultivimit dhe tregtimit të bimëve dekorative, duke e kthyer këtë aktivitet në një burim të qëndrueshëm të ardhurash për familjet e zonës.

Shumica e banorëve janë specializuar në Itali, aty ku kanë punuar për disa vite në këtë sektor. Një prej tyre është edhe Leonat Zadrima. Ai e hapi biznesin në vitin 2017. Sot është ndër sipërmarrësit kryesor të zonës së Dajçit.

“Janë bimë që prodhojmë në vendin tonë, në zonën e Dajçit”, u shpreh sipërmarrësi.

Bimët dekorative që kultivohen në zonën e Dajçit, gjithnjë e më shumë po mbulohen nga tregu i vendeve të rajonit, Evropës e më gjerë.

“Kërkohen shumë dhe kualiteti është i njëjtë me ato të cilësisë Evropiane por me çmime më të leverdishme”, tha Zadirma.

Falë kushteve të përshtatshme klimatike dhe tokës pjellore, në Dajç kultivohen një sërë llojesh bimësh dekorative, që nga lulet sezonale e deri te shkurret zbukuruese që përdoren për ambiente publike dhe private. Vetëm gjatë një viti nga zona e Dajçit eksportohen mbi 100 mijë fidanë të tillë në Kosovë , në vendet e Rajonit dhe të Evropës.

Gazetar: M. Rakaj  

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›