E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fernandez: Letersia, atdheu im

Dominique Fernandez vjen në
shqip. Një nga autorët më
të rëndësishëm të letërsisë
bashkëkohore franceze, për
herë të parë është përkthyer edhe në
gjuhën tonë. "Porporino, ose misteret
e Napolit", një prej veprave më të rëndësishme
të autorit francez me origjinë
meksikane, do të njohë lexuesin me
"sopranot meshkuj", por jo vetëm kaq.
Si në një udhëtim në kohë, nëpërmjet
historisë dhe jetës së Porporinos, lexuesi
ka mundësi të njihet me Napolin e viteve
‘700 në kohën e shkëlqimit të tij, atëherë
kur ishte kryeqendra e operistikes dhe
e lirikës.
Dominique Fernandez, i cili e ka promovuar
personalisht librin, ndodhet në
Tiranë prej thuajse një jave. Nuk dinte
shumë për Shqipërinë, aq sa mund t‘i
duhet një njeriu jeta e së cilit është ndërtuar
në udhëtim, por Kadarenë e cilëson
si një pjesë të rëndësishme të panoramës
kulturore në Francë. Atij i pëlqen të
qëndrojë në Shqipëri. I pëlqen kaosi i së
përditshmes, në të cilin shkrimtari gjen
atë kryqëzim kulturash, që fillimisht e ka
vlerësuar te vetja e më pas ka rendur ta
gjejë kudo. Rastisi që Fernandez, u ndodh
në Tiranë ditën e enjte, më 9 tetor, kur
Akademia e Stokholmit, vlerësoi kolegun
e tij, shkrimtarin francez, Jean-Mari
Gustav Le Clezio, me çmimin "Nobel"
për letërsinë. Fernandez ndihet mirë që
vlerësimi iu bë kulturës franceze, ndërsa
për vetë nobelistin, si kritik letrash që
është, ruan rezervat e veta...
Franca sapo ka fituar një çmim "Nobel"
për letërsinë. Çfarë mendoni?
Jam i gëzuar për kulturën franceze,
por mendoj se ka shkrimtarë akoma
edhe më interesantë në Francë. Tashmë,
"Nobel"-i nuk është më një çmim letrar,
por është një çmim, më shumë moral e
politik. Le Clezio ka bërë libra..., por nuk
jam shumë i bindur për këtë çmim.
Sa e njihni ju Le Clezio, letërsinë e
tij?
Po, po e njoh shumë, ai ka një emër
në Francë.
Një kritik i njohur italian, Pietro Citati,
ka thënë për Le Clezio: "Eshtë një
autor shumë mediokër. Nuk e kuptoj
pse akademikët e Stokholmit, duhet të
gjykojnë si "provincialë" shkrimtarë të
mëdhenj amerikanë, për të vlerësuar
më pas një shkrimtar si Le Clezio, që e
nisi mirë karrierën e tij, por që më vonë
vazhdoi në mënyrë mediokre".Cili është
mendimi juaj
për këtë?
Jam shumë
dakord. Le Clezio
ka shkruar
një libër, që titullohej
"Procesverbali"
kur ishte ende
shumë i ri. Ishte një libër tepër interesant
dhe që u vlerësua. Tani nuk më pëlqen
shumë pozicioni që ai ka marrë.
Akademikët e Stokholmit e kanë
zgjedhur me motivacionin: "Autor i
eksperimentimeve të reja, aventurave
poetike të një ekstaze sensuale; një eksplorues
i njerëzimit brenda dhe jashtë
civilizimit mbizotërues". Jeni dakord
me këtë?
Çfarë eksperimentesh?... Nuk e di,
unë mbetem dakord me atë që ka thënë
Pietro Citati, të cilin e vlerësoj. Por që,
ta dini, një çmim "Nobel" shpesh i është
atribuuar shkrimtarëve mediokër.
Kur dihet që ndonjëherë nuk vlerësohet
vërtet shkrimtari dhe letërsia,
atëherë përse një çmim "Nobel" u intereson
kaq shumë shkrimtarëve?
Po mendoj se është kaq i rëndësishëm
për vetë faktin që është një çmim
ndërkombëtar, pastaj aty merren shumë
lekë (qesh).
Flasim pak për ju. Jeni në Shqipëri,
pasi keni promovuar librin "Porporino,
ose misteret e Napolit". Si ka lindur ky
libër?
Unë kam jetuar në Napoli. E dua shumë
Italinë e Jugut, kam jetuar në Napoli,
pastaj e dua shumë operën, lirikën, dhe
kjo gjini në Napoli është shumë e dashur.
Ndaj më lindi ideja të interesohem për
një lloj këngëtarësh që janë zhdukur
tashmë. Që për thuajse dy shekuj, nga
vitet ‘600 në ‘800, ishin këngëtarë tepër
të famshëm. Kur një djalë kishte një zë
shumë të bukur, ai tridhej në moshën
tetëvjeçare, në mënyrë që të ruante zërin
e bukur e engjëllor që kishte. Këta këngëtarë
kishin një zë të çuditshëm, (zë i
bardhë quhej), një zë që nuk ishte as prej
burri, gruaje e as fëmije. Këta soprano
meshkuj, kishin një sukses fenomenal,
më shumë se Callas në ditët tona. Ndaj,
unë u interesova për mënyrën se si ata
jetonin dhe punonin, ç‘do të thoshte të
ishe i tredhur, ç‘do të thoshte të ishe një
njeri pa identitet, në fund të fundit.
A kishit qenë ndonjëherë në Shqipëri?
Jo, për fat të keq, jo. E kam parë së
largu nga Bari. Duhej një rast për të
ardhur këtu.
A e njihnit letërsinë tonë?
Po, njoh letërsinë e Ismail Kadaresë,
pastaj ai tashmë është një francez me
të drejta të plota, ka shtetësinë franceze
dhe thuajse të gjithë librat e tij janë
përkthyer në gjuhën frënge.
Është pjesë e peizazhit tonë kulturor.
Por, për fat të keq, nuk njoh të tjerë shkrimtarë
shqiptarë veç tij. Gjuha shqiptare
njihet prej shumë pak vetash, ndaj edhe
unë mendoj se është e vështirë edhe të
përkthehet.
Kanë thënë për ju se keni virtytin për
të tërhequr dhe për të ruajtur simpatinë
e lexuesve. Është e vërtetë?
Këtë nuk e di. Duhet të pyesim ata
(qesh). E them këtë sepse një shkrimtar
nuk e di asnjëherë se kush e lexon, përveç
miqve, njerëzve të afërt. Një libër
e nis jetën gjithnjë jashtë autorit, asnjëherë
nuk e di se kush të lexon.
Për të qenë një shkrimtar, cili duhet
të jetë virtyti më i madh?
Përveç talentit, mendoj se virtyti më
i madh në sensin moral është disiplina,
sepse, nëse dëshiron të shkruash një
libër të vërtetë dhe të rëndësishëm, ai
nuk mund të shkruhet kështu, kur të
teket. Jo, duhet të shkruash çdo ditë,
shumë orë. Unë për vete shkruaj gati tetë
orë në ditë, çdo ditë. Edhe këtu, kur nuk
jam në shtëpinë dhe në vendin tim, unë
shkruaj. Për shembull, sot në mëngjes
jam ngritur herët që në orën gjashtë dhe
para se të dal e të bëj një xhiro në Tiranë,
shkruaj, punoj, korrigjoj diçka. Nëse e
ndërpret këtë vrull, sikur një ditë të vetme,
e humbet fillin. Për të shkruar duhet
një karakter i hekurt, vullneti, disiplina.
Unë kam hequr dorë prej shumë gjëra
për të shkruar, sepse humbet kohë dhe
shpërqendrohesh. Duhet të jesh shumë
rigoroz në këtë punë.
Në Itali, veprat tuaja përkthehen
shpesh. Ju jeni studiues i gjuhës italiane,
ndërsa keni një lidhje shumë të fortë me
këtë vend. Përse?
Unë e kam zbuluar shumë rastësisht
Italinë, pasi bërë një udhëtim me studentët
e mi. U dashurova menjëherë
me këtë vend dhe vendosa të mësoj
gjuhën dhe të bëj karrierë. Kam kaluar
thuajse gjysmën e jetës sime në Itali,
kam jetuar pak a shumë ngado në Itali.
Kam pasur një shtëpi në Sicili, sepse unë
e dua shumë Sicilinë dhe Napolin. Jugun
e dua shumë. Veriu është i bukur, por
është modernizuar, në jug ruhen ende
vlerat specifike.
Unë me origjinë jam meksikan, ndaj
edhe më pëlqejnë këto kryqëzimet e
kulturave.
Jam meksikan francez, kam një
stërgjyshe indiane. Kështu që, jam një
përzierje. Ndaj më pëlqejnë shumë
vendet si Napoli, ku gjen pak nga të gjitha,
aty gjen orientin, Spanjën, Greqinë
dhe Italinë, Afrikën gjithashtu. Kjo mua
më tërheq tepër. Edhe në Shqipëri, unë
ndiej të njëjtën gjë, ndiej kryqëzimin mes
Lindjes dhe Perëndimit. Ka një kaos që
më kujton pak Lindjen. Ky kryqëzim, kjo
amalgamë më intereson dhe më pëlqen
shumë.
Si ka lindur ky pasion për letërsinë?
Ju kur keni nisur të shkruani?
Kam nisur të shkruaj që kur isha 11
vjeç, një fëmijë. Kam nisur të shkruaj,
sepse isha një fëmijë jo i lumtur. Isha një
fëmijë i trishtuar për dy arsye: prindërit
e mi u ndanë shumë shpejt, unë isha tre
vjeç, pastaj nuk u panë më, sepse në atë
kohë të ndaheshe ishte një dramë. Unë
u rrita me time më, babanë thuajse nuk
e kam njohur. Për një fëmijë, kjo është
një traumë, një dhimbje e madhe. Pastaj,
arsyeja e dytë është se në moshë fare të
vogël, unë zbulova se isha homoseksual.
Në atë kohë, ishte e pamundur, jo
vetëm të jetoje homoseksualitetin tënd,
por edhe të flisje për të, nuk mund të
flisje as me familjen, as me profesorët,
as me shokët, me asnjë. Kjo kategori
ishte e përjashtuar nga shoqëria, ndaj
edhe unë ndihesha i përjashtuar dhe i
ndodhur në të tilla kushte kisha nevojë
të krijoja një hapësirë për veten, dhe kjo
hapësirë ishte të shkuarit, pasi kjo ishte
një mënyrë për mua t‘ia mbathja prej
realitetit. Shkrimtari është si një lloj zoti
në krijimet e tij, ato i përkasin atij. Kështu
unë kam nisur të shkruaj shumë i ri dhe
asnjëherë nuk kam reshtur, pasi atdheu
im i vërtetë është letërsia.
Kur dhe si e zbuluat se ishit homoseksual?
E kam kuptuar edhe më parë se të
arrija në moshën e pubertetit dhe të
kuptoja më shumë mbi veten, kjo është
e çuditshme, mendoj. Më kujtohet se
unë shikoja statujat greke të meshkujve
nudo, dhe jo gratë. Nuk bëja me
ndërgjegje këtë, po kjo ishte njëlloj
ndjeshmërie e imja ndaj seksit të njëjtë.
Unë e kuptoja që ishte diçka e ndaluar,
sepse kur ime më hynte në dhomë, unë
i fshihja ato, figura që mund të kisha.
Ndieja që në atë kohë se po bëja diçka
që nuk duhej të bëja dhe që për këtë
isha fajtor. Në atë kohë të deklaroheshe
homoseksual, ishte e tmerrshme, ndërsa
tani ka ndryshuar gjithçka, ka tolerancë.
Është me thjeshtë, ka edhe ligje për
këtë kategori. Në atë kohë, para thuajse
50 vjetësh ishte e vështirë, kishte edhe
shumë vetëvrasje mes të rinjve, sepse
nuk mund të jetonin jetën e tyre. Kishte
një dëshpërim absolut dhe unë e kam
vuajtur shumë.
Fakti që paragjykoheshit, që ishte e
vështirë të bëheshit pjesë e shoqërisë, ju
ka kufizuar disi në krijimtarinë tuaj?
Mendoj që jo, përkundrazi, më ka
ndihmuar shumë, sepse për këtë arsye
unë kam shkruar akoma më shumë. Kam
bërë libra, duke e deklaruar homoseksualitetin
tim. Kam shkruar libra, kam
luftuar për të drejtat e homoseksualëve.
Por, ka qenë një betejë e gjatë që më
është dashur të bëjë për vite me radhë,
shumë libra të mi i janë kushtuar kësaj
teme.
Cili është libri më i rëndësishëm i
karrierës suaj?
"Porporino, ose misteret e Napolit",
është një libër shumë i rëndësishëm për
mua, pasi është i pari, me të cilin kam
pasur një sukses të madh në Francë.
Pastaj prek edhe temën e homoseksualitetit,
që nuk trajtohet në mënyrë direkt,
por ndihet mirë. Pastaj do të përmendja
edhe mbi homoseksualitetin gjithashtu
që titullohet "Ylli i kuq", i cili ka ndikuar
shumë edhe në ligjet në Francë.
Ai është lexuar nga politikanë, të cilët,
nëpërmjet këtij libri, e kuptuan se diçka
duhej ndryshuar. Por, unë nuk shkruaj
asnjëherë një libër që nuk është i rëndësishëm
për mua. Unë shkruaj sepse e
ndiej të nevojshme ta bëj këtë. Ët gjithë
përshkruajnë një etapë të jetës.
Si lindin personazhet tuaja? Çfarë
ju frymëzon?
Kjo është e vështirë për t‘u thënë,
sepse unë zgjohem në mëngjes dhe
kuptoj se kam në mendje një roman. Ky
ndoshta është edhe një nga misteret e
të shkruarit.
Nëse nuk do të ishit një shkrimtar,
çfarë do të kishit bërë në jetë?
Në moshën 11-vjeçare, shkrova një
roman dhe kur isha 12 vjeç vendosa se do
të isha një profesor në universitet, sepse
e dija se kjo do të jepte kohë të lirë. Unë
kam lindur në një ambient letrar. Im at,
Ramos Fernandez, ishte një shkrimtar
i famshëm për kohën, kritik letrar, mes
dy luftërave ka qenë një figurë qendrore
e ambientit letrar francez. Pastaj, ime
më ishte mësuese letërsie, shumë miq
të tyre ishin shkrimtarë, njerku im ishte
Fransua Moriak, një shkrimtar shumë i
rëndësishëm, kështu kam lindur dhe jam
rritur në një ambient që më ka shtyrë
natyrshëm drejt letërsisë.
Ju jeni thuajse
gjatë gjithë kohës
në udhëtim,
jeta juaj është
e ndërtuar në
këtë mënyrë. A
është udhëtimi
një ndihmë në
krijimtarinë e një shkrimtari?
Për mua është shumë i rëndësishëm.
Unë, duke qenë gjysmë meksikan, gjithnjë
më kanë pëlqyer shumë udhëtimet,
të kërkoj përtej gjysmën e jetës
sime, unë kam udhëtuar, më ka mbetur
shumë pak për të njohur. Romanet e mia
zhvillohen gati të gjitha jashtë.
Ju kujtohet çfarë keni shkruar për
herë të parë?
Sigurisht që më kujtohet. Ka qenë një
roman i vërtetë prej 80 faqesh. Histori
indianësh, titullohej "Syri i Zjarrtë", ishte
emri i një indiani, personazh i librit.
Ngjarjet zhvilloheshin në Meksikë, mendoj
se e kam zgjedhur për nostalgji të
babait, ishte një histori mes të bardhëve
dhe indianëve. E ruaj ende. Është shumë
naiv, por mendoj se kam shkruar mirë.
Por, ajo që më duhet të them është se në
atë kohë, fëmijët shkruanin, sot nuk dinë
të mbajnë as penën në dorë.
Ju çfarë lloj lexuesi jeni?
Unë lexoj gjithçka dhe gjithmonë.
Lexoj gati gjithë ditën, kam përherë një
libër me vete. Pastaj, duke qenë edhe
kritik letrar, si dhe anëtar i jurive të ndryshme
letrare, më duhet të lexoj edhe
për detyrë, për profesion. Por fakti është
se mua më pëlqen të lexoj, si bashkëkohorët
ashtu edhe klasikët.
Cilat kanë projektet tuaja të ardhshme?
Kam shumë. Jam duke shkruar tre
libra. Derisa të më vijë vdekja këtë do
të bëj.... Në të njëjtën kohë, nëse do të
konsiderohej projekt i ardhshëm, do të
doja të kthehesha sërish në Shqipëri,
sepse një herë e vetme nuk mjafton e
ndoshta shkruaj edhe një roman për
vendin tuaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›