E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtimet përmes artit

Toni Milaqi është një artist i ri, i cili prej më shumë se një dekade jeton në Greqi, ku edhe është rritur artistikisht. Toni është piktor dhe në veprat e tij gjithçka është e lidhur ngushtë me jetën personale, përvojat, dëshirat dhe nevojat. Në pikturën e tij, mesazhi është i qartë, e në thelb ky është edhe synimi i piktorit. Gjithnjë ka një temë të caktuar, e cila e shtyn të bëhet pjesë me fenomenin, ndërsa ai prek thuajse gjithçka me penelin e tij. Në Tiranë ka studiuar në liceun artistik "Jordan Misja", e më pas edhe në Akademinë e Arteve për Pikturë. Me rënien e komunizmit u nis drejt Greqisë, në vendin e të parëve të tij, për t‘i dhënë më shumë hapësira vetes në kërkim të rrënjëve, sepse ekzistenca si qenie njerëzore, e më pas edhe si artist nuk mund të mos lidhet ngushtë edhe me këtë pjesë. Pavarësisht largësisë, shpesh është bërë pjesë e ekspozitave në Galerinë e Arteve në Tiranë, por më tepër ka ekspozuar në Greqi. Toni është duke përgatitur një cikël veprash për t‘i paraqitur para publikut në muajin dhjetor në Greqi.

Jetoni e punoni ne Greqi prej vitesh tashmë. Çfarë marrëdhëniesh keni me këtë vend?

Greqia është vendi amë i gjyshërve të mi, pasi origjina ime është prej fshatrave të Dropullit (Gjirokastër). Si pasojë është edhe atdheu im. Është vendi ku jetoj, punoj dhe krijoj...

Po me Shqipërinë?

Marrëdhënia me Shqipërinë është disi më e ndryshme. Është vendi ku u linda, ku u rrita, ku njoha çdo të thotë e bukur dhe e shëmtuar. Ai ushqeu ëndrrat e mia, por dhe që u preu krahët në të njëjtën kohë. Vend të cilin e dashuron lehtësisht, por edhe që të plagos po me kaq lehtësi. Megjithatë është vendi i lindjes, atdheu im.

Si e përshkruani pikturën? Çfarë është ajo për ju?

Lidhjen që kam me pikturën mund ta përkufizoja si ekzistenciale. Nuk është zanat, profesion, por është mënyrë jetese, shprehje e unit, formë e të parit të botës, e të shprehurit të ndijimeve dhe mendimeve të mia subjektive. Një nevojë dhe përçapje për komunikim me njerëzit, të cilësdo kohe qofshin ata. Një përpjekje për zhbirim, njohje, analizë të universit njerëzor dhe ambientit që i përqarket. Të krijosh do të thotë të matesh me qiejt. Në këtë kuptim arti kthehet në formën më të pastër të shprehjes së atyre që ndjen, apo dëshiron shpirti dhe që preokupojnë mendjen. Sa për përqasjen time mbi të tëra këto, nuk do ta quaja "të guximshme", do ta përkufizoja si "të sinqertë". Të pikturosh do të thotë të mbash të ndezur atë flakë që ndriçoi e ngrohu breza të tërë dhe të jesh edhe ti pjesë e asaj stafete njerëzore, e cila ka mbetur e tillë përgjatë mijëvjeçarëve. Të pikturosh do të thotë të ekzistosh!

Çfarë ndikon më shumë në krijimet tuaja? Çfarë ju frymëzon dhe ju shtyn të krijoni?

Artisti vepron nën trysninë e dy faktorëve tepër vendimtarë, për sa i përket veprës së përftuar artistike. Nën trysninë e realitetit të jashtëm, "botës në të cilën gjallon" dhe atij të brendshëm, "universit të tij njerëzor". Në këtë prizëm, përpjekja e tij për të njohur e analizuar këto dy realitete kaq të ndryshme dhe tërësisht në relacion të zhdrejtë me njëri-tjetrin, mendoj se është edhe esenca e çdo krijimi artistik.

Në veprat tuaja nuk mungon erotizmi, është gati i përhershëm mes krijimeve tuaja. Pse?

Nëse pranojmë se arti është shprehja më e fuqishme e unit tonë, e botës sonë emotive dhe konceptuale, atëherë ia vlen të themi, për të qenë mbi të gjitha të sinqertë me vetveten, se nuk ka tema tabu. Ato që na sundojnë shpirtin, e na ndërsyjnë trurin duhet të jenë në mënyrë të padiskutueshme edhe "shprehja tematike" e veprës së krijuar artistike. Përderisa arti është shprehje e "aspiratave tona të mjegullta", e "të vërtetave" tona njerëzore, mundet vallë të mos jetë edhe një pasqyrë e realitetit tonë të brendshëm shpirtëror, e sensualitetit tonë, e dashurisë, apo e demonëve të tjerë që na përqarken?! Sa për formën që ngjizet mbi këtë koncept, është në varësi të fazës që kalon piktura ime përgjatë kohës. Herë e abstraguar, herë kubiste, herë ekspresioniste, herë surrealiste, e herë brutale...

Duket sikur veprat tuaja kanë gjithnjë një mesazh të qartë, të cilin duan ta përcjellin deri te publiku. Duket sikur ky është misioni i tyre dhe arsyeja përse u krijuan, është e qëllimshme?

Gëzohem që vini re diçka të tillë. Nëse një artist arrin të shprehë nëpërmjet mjeteve të tij artistike, filozofinë, nocionet, mendimet, dëshirat, dufet dhe ndjesitë e tij mbi ato që e shqetësojnë, dhe kjo bëhet e lexueshme nga artdashësi, spektatori, lexuesi, atëherë padyshim që ia ka arritur qëllimit.

Tematikat kryesore në punën time janë dy: ato sociale dhe erotike. Mendoj se janë edhe nga më thelbësoret në jetën e çdo njeriu. Lidhja e tij me shoqërinë në të cilën bën pjesë dhe zhbirimi i gjithësisë së tij emotive dhe sensuale. Puna ime ka për kahe pikërisht këto dy boshte.

Cila është ngjyra juaj e preferuar?

Në përgjithësi më pëlqejnë ngjyrat e ftohta, edhe pse në pikturë nuk ekzistojnë ngjyra të bukura e të shëmtuara. Ekzistojnë ngjyra të vendosura bukur, në marrëdhënie me të tjerat dhe ngjyra të vendosura keq.

Keni kaluar një pjesë të madhe të kohës në Shqipëri, Tiranë. Sa ka ndikuar te ju, për sa i përket kreativitetit artistik Tirana?

Piktura ime është e huaj, qoftë për realitetin shqiptar, qoftë për atë grek, por edhe më gjerë. Ajo nuk përkon me nevojat dhe kërkesat e modës. Është një art personal dhe tërësisht subjektiv. Në këtë kuptim nuk mund të ketë pika reference me realitetin artistik shqiptar. Në kundërshti me këtë, Tirana dhe kryesisht relacionet njerëzore, por edhe peizazhi i saj, kanë ndikuar mjaft në veprën time.

Si e gjen veten në Greqi? Ka qenë e vështirë të afirmohesh aty si artist?

Greqia është vendi që më jep mundësinë të krijoj, të punoj, të shprehem nëpërmjet artit tim. Unë dua të them gjithnjë diçka me artin tim, për mua e rëndësishme është eksplorimi i demonëve që më vërtiten brenda dhe jashtë meje. Udhëtimet përmes artit.

Mendon se ke arritur atje ku dëshiron?

Përpiqem prej shumë kohësh të kalëroj ëndrrat e mia më të çartura, e me to të udhëtoj përmes qiejve të dëshirave. Shpeshherë, teksa e bëj diçka të tillë, ndiej të rrëzohem dhe gjendem përfund këmbëve të tyre. Por gjithnjë ngrihem në këmbë, e gjithnjë dëshira ime për të kapur qiejt rritet e rritet...

Sa e njihni artin pamor në Shqipëri dhe ç‘mendim keni për të?

Dua të them se kam qenë gjithnjë në korent të ngjarjeve, proceseve dhe fenomeneve të cilat mbizotërojnë në hapësirat pamore shqiptare. Ndjesia që përftoj duke i vështruar ato nuk është e këndshme. Kjo s‘do të thotë se nuk ekzistojnë artistë e individë, të cilët i kundërvihen, luftojnë dhe sfidojnë këtë realitet. Pas rënies së komunizmit (me përjashtime të pakta), pamë të pushtohet me sharlatanizëm dhe amatorizëm vizual, arti pamor në Shqipëri, një katrahurë dhe mjerim pamor. Nuk jam shumë optimist për atmosferën mbizotëruese të realitetit pamor shqiptar.

Cila ka qenë ekspozita e fundit që keni marrë pjesë në Tiranë?

Mora pjesë në nëntor të vitit të kaluar në Galerinë Kombëtare të Arteve, në një ekspozitë kolektive me titull "Pavarësia".

Cilat janë planet tuaja të afërta?

Po merrem me një cikël punësh të përmasave të vogla, në bashkëpunim me galerinë "Cheapart" në Greqi, për një ekspozitë e cila do të çelet në muajin dhjetor në Athinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›