E Diel, 1 Nëntor 2026

Fernando Alonso, gati për të fituar sërish

"U riktheva për të fituar", ka deklaruar 2 herë Kampioni i Botës, Fernando Alonso, ndërsa koha ka nisur të numërohet mbrapsht. Kur mungojnë vetëm pak orë nga starti i botërorit të F1, spanjolli është i bindur se do të kthehet më i motivuar se kurrë. Pas një viti të vështirë te skuderia anglo-gjermane, Meklaren, spanjolli është i sigurt se njëvendëshja franceze do të përmirësohet dhe shumë shpejt do ta bëjë që të fitojë gara dhe të jetë mbi Ferrarin e Kimi Raikonenit apo Meklarenin e Luis Hemiltonit. "Kam besim se shumë shpejt "Reno" do të bëhet një skuadër nga e cila do të kenë frikë të gjithë. Tani nuk e dimë me saktësi se në çfarë niveli jemi. Testet dimërore ishin pak konfuze, sepse në disa pista jepnim maksimumin në disa të tjera jo. Në Melburn do ta shohim të vërtetën. Megjithatë, na duhet shumë punë për të përsëritur sukseset e dy sezoneve të mëparshme". Në fakt, rruga drejt botërorit duket se edhe këtë vit do të ndahet mes Meklarenit dhe Ferrarit. "Mendoj se Ferrari, Meklaren dhe BMW janë shumë të forta, por mund të përmendim edhe Uilliamsin, Red Bullin, Tojotën dhe Renonë - tregon Alonso. E në fakt, ka të drejtë, në provat e lira të zhvilluara para garës së Melburnit, Renoja e tij nuk duket se e ka nisur mbarë. Kokëkuqja e Raikonenit dhe Meklareni i Hemiltonit treguan edhe një herë se do ta bëjnë 2 herë kampionin e botës të ketë shumë pak shanse të fitojë titullin e tretë botëror. Në dy sesionet e provave të lira skuderia franceze mundi të pozicionohej një herë e pesta dhe pastaj e 13. "Ishte një ditë e vështirë. Me thënë të drejtën jemi pak mbrapa në krahasim me të tjerët, edhe pse nuk e dimë me saktësi se ku jemi. Duhet të përmirësohemi shumë ndaj gara e nesërme do të jetë një sfidë për ne. Në tri sezonet e fundit i kam nisur botërorët me makina më kompetitive, gati për të fituar që nga gara e parë, ndërsa këtë vit nuk është kështu. Në Melburn nuk do të luftojmë për të fituar apo për ndonjë vend në podium, por të jemi në zonën e pikëve. Në Malajzi do të shohim nëse pista do të përshtatet me makinën tonë. Çdo garë do të jetë një sfidë më vete". Megjithatë, Alonso nuk e fsheh për asnjë moment kënaqësinë e rikthimit sërish te "dashuria" e tij e vjetër. "Jam i kënaqur që jam këtu. Atmosfera është e ngrohtë dhe duam të përsërisim sukseset e arritura në 2005-ën dhe 2006-ën. Shumë mendojnë se spanjolli u rikthye në të kaluarën, për të tentuar sërish të fitojë. Pas vitit të zi me "shigjetat e argjendta", kampioni i F1 kërkohet të kthehet ai i dikurshmi, i aftë të fitojë dy titujt kampionë rresht, kur në pistë garonte edhe Michael Shumaker. Për këtë arsye, spanjolli i renditur i treti vitin e kaluar pas Kimi Raikonenit dhe Luis Hemiltonit, zgjodhi Renonë, të vetmen skuderi që e ka bërë të ndihet mirë. Me një kontratë që të rrëqeth mishin, Reno për ta pasur në gjirin e saj e rifuti Alonson edhe në Olimpin e multimiliarderëve të sportit. Rroga e re është vërtet marramendëse: 90 milionë për tri sezone. Sipas llogarive të thjeshta, Alonso do të përfitojë 30 milionë në sezon. Është shumë e sigurt që Fernando ka për ta harruar shpejt sezonin e "dështuar" të Meklaren, sepse mekanizmi që shtëpia franceze e Renosë ka zgjedhur për ta bërë për vete, është shumë efikas. Në fillimet e karrierës së tij, kampioni spanjoll i F1 fitonte jo më shumë se 10 milionë dollarë. Por, ky ishte vetëm fillimi. Jeta e vërtetë për të fillon tani, pikërisht aty ku e nisi dhe ku arriti të bëhej dy herë Kampion Bote. Jo keq për një 27-vjeçar. Po kush do të jetë përkrah tij këtë sezon? Pas miqësisë (armiqësisë) me Hemilton, është radha e Nelsinho Piquet. Nga një debutues te tjetri. Duke lënë mënjanë çmimin e madh të Australisë, Alonso nuk harron të tregojë edhe për kohën e lirë, marrëdhëniet me miqtë dhe familjen. Po me çfarë është marrë gjithë këtë kohë kur e kishte mbledhur mendjen se do të garonte sërish për Renonë. "U çlodha me familjen dhe miqtë e mi në Spanjë. Pastaj rinisa stërvitjen me trajnerët e mi në Zvicër. Gjatë kësaj periudhe të vitit kam ndjekur një program shumë intensiv". Sigurisht, gjithçka për të qenë në formë për sezonin e ri. "Gjatë dimrit, gjëja më e rëndësishme është një bazë e qëndrueshme e fizikut tënd për të qenë gjithmonë në formë gjatë kampionatit. Sigurisht që stërvitjet vazhdojnë edhe gjatë sezonit, por janë më të lehta, ndërsa në fillim të vitit përgatitja është shumë intensive. E gjithë puna bazohet mbi garën, palestrën dhe notin". Ashtu si duket, fillimi i 2008-ës me siguri do të jetë një vit ndryshe nga ai i mëparshmi. "Do të jetë i njëjtë si gjithmonë. Në fillim të çdo sezoni, e vetmja gjë që duhet të bëj është që të punoj shumë dhe të bëj maksimumin për të treguar gjithë potencialin tim. E di që mund t‘i bëj këto gjëra me shumë sukses, pasi kam punuar edhe më parë te Reno. Dua të jap gjithçka mundem, dhe e di që skuadra do të bëjë të pamundurën që të fitojë, kjo ka qenë gjithmonë paraqitja jonë në sport". Rikthimi dhe kujtimet e bukura të kohës kur u shpall dy herë kampion, Alonso i ruan ende me fanatizëm.

"Kujtime jashtëzakonisht të bukura dhe shumë optimizëm. Të njëjtën gjë që ndiej edhe tani". Me pak fjalë, 2008 do të jetë fillimi i një aventure të re te Reno apo është vetëm kapitulli i ri i një historie të vjetër? "Të dyja do të plotësojnë njëra-tjetrën. Skuadra është komplet ndryshe nga ajo që e lashë në vitin 2006. Kanë ndodhur disa ndryshime të mëdha, janë përmirësuar shumë gjëra dhe forcuar shumë zona, me pak fjalë është një aventurë e re me një skuadër të re. Në të njëjtën kohë është e pamundur për mua të harroj 6 vitet që kam kaluar si pilot i Renosë dhe kujtimet e mia të asaj periudhe janë shumë të rëndësishme". Shoku i ri i skuadrës do të jetë Nelsinho Piquet, një djalosh i ri ashtu si Hemilton vitin e kaluar, shkaku kryesor i largimit të tij nga skuderia anglo-gjermane. "Janë shkruar shumë gjëra të rreme në lidhje me këtë vitin e kaluar, por e kuptoj shumë mirë, sepse gjithçka që shkruhej bënte që gazetat të shiteshin shumë. Nelsinho, më duket një njeri normal, i këndshëm që dëshiron të afirmohet në F1, aspak ndryshe nga Marques, Button, Trulli, fisi, të gjithë ata që kanë qenë shokët e mi të skuadrës, me të cilët kam pasur një raport të mirë dhe kemi ngelur miq. Besoj se këtë vit nuk do të ketë probleme, edhe sepse e di që Flavio gjithmonë ka ditur t‘i drejtojë këto situata shumë mirë".

Miliarderi i Spanjës

Kur fitoi për herë parë titullin kampion, Alonso do të bëhej kampioni më i ri në moshë dhe njëkohësisht spanjolli i parë që do të arriti rezultate kaq të larta në historinë e këtij sporti. Në fillimet e tij në botën e F1, paguhej vetëm 10 milionë dollarë në sezon, ndërsa tani nuk çon në shtëpi më pak se trefishi i kësaj shume. Në vitet ‘90, sukseset e njëpasnjëshme te Mikahel Shumakerit bënë që Gjermania të zgjidhej vendi i Formula 1, ndërsa rreth 15 vjet më vonë, i njëjti spektakël zhvendoset në Spanjë. Falë Alonsos, "Formula 1" ka marrë superxhiro duke mbushur kasat e sponsorëve, organizatorëve dhe kanaleve televizive spanjolle. "Formula 1" ose më mirë Fernando Alonso ka bërë që Çmimin e Madh të Spanjës ta shohin jo më pak se 341 mijë spektatorë, ndërsa për të parë vetëm një xhiro të tij nuk kanë shkuar më pak se 280.000 fansa. Që atëherë për të treguar kaosin automobilistik në spanjisht përdorin gjashtë shkronja

A-l-o-n-s-o.

Njëlloj si Shumi

Sukseset e tij duket se lidhen ngushtë me krenarinë kombëtare. Kjo ka ndodhur dikur në Gjermani me Mikahel Shumaker. "Alonsomania" i sotëm duket si kopje e "Schumi-Histeria" e viteve ‘90. Njëlloj siç ndodh në Kanada: Jacques Villeneuve shkakton të njëjtën valë entuziazmi. Nuk është për t‘u habitur që garat e "Grand Prix" në Montreal zakonisht regjistrojnë shitje rekord biletash që muaj më parë. Por treguesi më i thjeshtë i boom-it përveç numrit të madh të shitësve ambulantë të suvenirëve, është edhe numri i spektatorëve që rrethojnë cirkuitin. Përveç tribunave ku numri maksimal i spektatorëve mund të arrinte në 10 mijë vende për t‘u ulur, rekordi për të parë garën e beniaminit të tyre në Çmimin e Madh të Spanjës ka kapur shifrën 130.000 mijë.

Karriera

Babi i tij, José Luis Alonso, gjithmonë kishte pëlqyer të ishte një pilot i makinave Kart dhe u përpoq që t‘ua kalonte këtë pasion fëmijëve të tij. Fillimisht, Luis Fernando ndërtoi një makinë Kart për vajzën e tij 8-vjeçare, Lorena, po ajo nuk u mor asnjëherë me sport. Për pasojë, Kart i kaloi Fernandos 3-vjeçar

që nisi menjëherë të garojë. Gjatë dy viteve të para, familja e tij mendoi se Kart ishte mjeti më i mirë për të kaluar kohën dhe për t‘u argëtuar. Në moshën 6 vjeç Jose nisi të vërejë talentin e të birit për të garuar, kështu që e bëri katin e tij gati për çdo kompeticion. Në vitin 1988, Fernando Alonso nisi të dominojë në kompeticionet për të rinjtë, duke shkuar nga një cirkuit te tjetri në fundjava ose pas mësimit. Kur ishte 12 vjeç dhe karriera e tij si pilot i makinave Kart po lulëzonte, atëherë familja vendosi ta dërgonte për të zhvilluar gara larg shtëpisë. Kështu që, pasi Fernando Alonso fitoi një garë në "Catalan Campionship", ata nisën të gjenin skuadra serioze për të marrë talentin e ri. Pas eksperiencave jashtëzakonisht të suksesshme me Kart, në vitin 1999 Alonso debutoi në kampionatin spanjoll "Nissan Open" dhe e fitoi kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. në sezonin pasardhës, në vitin 2000 mori pjesë në kampionatin ndërkombëtar të "Formula 3000", ku u rendit i katërti. Spanjolli u bë më i miri i të gjitha kohërave që merrte pjesë në një çmim të madh në Formula 1, kur debutoi në Çmimin e Australisë në vitin 2001 me Minardin, një sezon që nuk do t‘i dhuronte aspak kënaqësi për shkak për një makine me kapacitet të kufizuar. Në vitin 2002 u largua drejt Renosë si kolaudor, me premtimin e një vendi si pilot titullar për vitin tjetër. Me skuderinë e drejtuar nga Flavio Briatore në 2003-in Alonso u bë piloti i parë që fitoi një pole-position (Çmimi i Madh i Malajzisë) dhe një garë (Çmimi i Madh i Hungarisë) duke e mbyllur kampionatin në vendin e gjashtë. Në vitin 2004 u klasifikua i katërti edhe pse nuk fitoi asnjë garë në kampionat.

Tri dëshirat e këtij viti

"Shëndet për të gjithë dhe veçanërisht për të afërmit e mi, sepse mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme në jetë". 2. Lumturia, e dyta më e rëndësishme 3. Të jetë një tjetër vit i suksesshëm në punën time

Jeta private

Ashtu si pothuajse gjithë kampionët e mëdhenj të F1, duke nisur që nga Shumi, Fernando Alonso, jeton në një shtëpi madhështore në Zvicër. Është i martuar me këngëtaren spanjolle të grupit muzikor pop-rok "El sueño de Morfeo", Raquel del Rosario. Çifti që u martua rreth një vit më parë zhvilloi një ceremoni private me rreth 50 të ftuar në ishujt Maldive.

Skeda

FERNANDO ALONSO

Skuadra: Renault

Data e lindjes 29/07/1981

Kombësia : Spanja

Debutimi në f1: GP Australia 2001

Pjesëmarrja në Grand Prix: 105

Çmime të fituara: 19

Pole: 17

Podiume: 49

pikë: 490

Kampionate të fituara: 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›