E Diel, 1 Nëntor 2026

Astriti kërcënon Junën: Mbaj gojën!

Ajo e kaluara ka qenë ndoshta dita më e gjatë për banorët e shtëpisë. Prova e javës i ka lodhur dhe u ka shkaktuar shpesh herë gjatë ditës stres. Ata që e shijonin shtëpinë në liri të plotë, dje dhe gjithë javën do të jenë të detyruar të ndajnë dy e nga dy të njëjtën veshje. Shpërblimi? Jacuzzi!
Pavarësisht të ftohtit, Olsi, Visi e Juna u futën brenda në hidromasazh. Ata ndenjën aty për më shumë se një orë e folën për shoqërinë, dashurinë dhe xhelozinë. Olsi është ai që flet më shumë, sidomos për xhelozinë e të dashurës së tij ndaj shoqeve. Ai përsërit edhe një herë mendimin se aty brenda ai është vetëm Olsi, pa përgjegjësinë e lidhjeve që ai ka pasur para se të hynte.
Astriti ka ndezur motorin që në mëngjes, ndërsa ishte çift me Besën, dhe nuk ka pushuar së foluri deri në darkë vonë. Ai është shtrirë në krevat dhe debaton sa me Çimin e Nardin, po aq edhe me Najadën. Ai shpreh mendim të mirë për mënyrën se si bën bisedë Olsi. Pastaj zihet ngushtë dhe shton edhe Çimin dhe Nardin në listë. Romina që ndërkohë ka hyrë në dhomë, e shpotit Titin duke e pyetur se çfarë mendon ai për bisedat që bën ajo. Ai i përgjigjet se i pëlqejnë deri diku. Nisin e flasin për Gitin dhe çunat shfaqin mendimin se provokimet e saj i kanë bërë të ndihen keq.
Julinda, Besa, Arbri, Ina dhe Poli janë shtrirë nga dhoma tjetër, në shesh, siç kanë bërë dy netët e fundit. Poli ankohet se po i vjedhin çamçakëzët nga sirtari. Nata vazhdon në diskutime të ndryshme, por më interesanti është ai mes Polit dhe Inës mbi Olsin. Poli druhet të flasë sepse nuk i beson Inës. Polit nuk i pëlqen Olsi. Ai thotë se e ka pasur Olsin në lagje dhe ka disa gjëra që nuk i pëlqejnë. Ina insiston që Poli të thotë mendimin e tij për Olsin, por ai vazhdon të mos i besojë dhe tenton të ndryshojë bisedë. Ina acarohet nga ky mosbesim, por Poli nuk do ta humbë konfidencën e saj dhe e bën për të qeshur vetëm që t‘i ulë nervat. Inës i pëlqen biseda intime me Polin, por ai e ka shumë problem të tregohet i drejtpërdrejtë.
Olsi dhe Najada, pas hëngrën në mes të natës, patën një moment për të pirë një cigare në qetësi. Olsi i thotë se dita nuk kishte qenë e mirë për të, për shkak të provës së javës. Najada i thotë se kjo provë ka qenë një stres i madh edhe për të. Olsi i thotë se me Inën konfidenca nuk e kalon sipërfaqen, sepse i mungon kurioziteti ndaj saj, por edhe fakti që s‘kanë asgjë të përbashkët. Ata shprehen edhe për Rominën, e cila shakatë i ka me të gjuajtur. Olsin e acaron kjo gjë. Kur kthehen në dhomë, Olsi i bën një masazh Nadës dhe pastaj shtrihen të flenë bashkë.

Çimi dhe Olsi kanë seancën e thashethemit të mëngjesit. Ndërkohë zgjohet edhe Astriti.
Ata diskutojnë për Nardin. Atyre u duket se Nardin po e kap "sindroma Ingridi", pasi sillet sikur të gjithë e kanë inat, sepse e ka kapur stresi i nominimit.
Për Rominën, Olsi tregon një konflikt gjatë natës, ku sipas Olsit Romina ka tentuar t‘i manipulojë të tjerët për të dalë vetë "si e mirë". Astriti jep evidencat e veta në mbrojtje të Olsit.
Olsi dhe Çimi dalin në oborr. Aty Çimi nis një diskutim mbi Arbrin dhe faktin që ai nuk i kupton gjendjet e të tjerëve. Olsi i thotë Çimit se shpesh banorët nuk i kuptojnë historitë që tregon Çimi për familjen, sidomos Arbri, i cili nuk ka vuajtur ndonjëherë në jetën e vet. Ata të dy mendojnë se Arbri ka lekë nga familja. Olsit nuk i ka pëlqyer batuta e Arbrit se "Big Brother" u dha mundësinë djemve të afrohen me femra. Olsi thotë se kjo mundësi ka qenë në dorën e tyre edhe përpara se të hynin brenda në shtëpi.
Ata bien dakord se lidhur me Arbrin do të kenë kohë për të gjykuar mbi karakterin e tij.
"Big Brother" i zgjon banorët me një këngë romantike. Dhoma blu dhe ajo e gjelbër janë ende në gjumë. Banorët kanë ditën e dytë të provës së javës. Ina dhe Poli zgjohen të parët, ata bisedojnë me zë të ulët. Përveç muzikës, punën më të madhe për të zgjuar banorët e bëjnë Astriti me Çimin, të cilët shëtisin krevat më krevat duke u kujtuar të tjerëve se duhet të çohen e të veshin kostumet e përbashkëta. Ata çohen njëri pas tjetrit. Vetëm Romina dhe Astriti kërcejnë si të çmendur, ndërsa pjesa tjetër enden nëpër dhomë akoma të përgjumur. Shkojnë të gjithë në tualet për t‘u veshur. Aty Leonardi tregon se ka parë një ëndërr me Rominën, por ajo e injoron dhe vazhdon të merret me veten. Problemin më të madh për të veshur kostumin e ka Najada. Ajo as nuk donte të zgjohej, por vetëm nga përkëdhelitë e ngacmimet e Çimit arriti të ngrihej.

Kanë vetëm pak kohë në dispozicion, para se të bjerë gongu për fillimin e lojës. Ata dalin në oborr për të pirë cigaret dhe për t‘i uruar njëri-tjetrit ditën e verës. Grupi A e di që me rënien e sinjalit nga "Big Brother" duhet të fillojë ndjekja dhe kapja e çifteve të pulave, sipas emrave të dysheve të famshme që i është caktuar secilit grup. Ky është moment aktivizimi. Çimi lexon edhe njëherë emrat sipas të cilave janë pagëzuar çiftet e pulave.

Janë Nardi me Najadën, Olsi me Inën dhe Besa me Astritin që nisin të parët garën. Ata duhet të kapin çiftet: Adrian Gaxha-Manjola Nallbani, Puçinela-Arlekini, Kevin Kostner-Whitney Houston, Bufon-Seredova, Adolf Hitleri-Eva Brown.
Fillon prova. Tre çiftet e banorëve të Grupit A turren në oborr ku pulat "e çmuara" janë shpërndarë. Kjo provë zbulon shkathtësinë, zgjuarsinë dhe koordinimin. Ata ecin ngadalë, që të mos i trembin pula, por për disa kjo është një detyrë shumë e vështirë. Sidomos për Najadën, e cila nuk i duron dot pulat. Ina i kap sikur të jetë rritur me to. Olsi gjithashtu. Besa ka frikë nga pulat, ndërsa Astriti i kap një nga një dhe i kthen që të shohë emrin që u është vendosur te këmbët. Pas shumë rrëzimeve në tokë dhe të qeshurave histerike, ata e mbarojnë provën pothuaj për një orë. Grupi B gjatë këtyre skenave është ulur në oborr dhe gajaset me të madhe. Pas pak do të fillojë prova e tyre.

Vetëm dy fjalë thuhen pa shumë rëndësi dhe plas sherri mes Junës dhe Astritit, ndërsa janë të gjithë duke ngrënë drekën. Ai nuk e duron dot tonin imponues të Junës dhe i shprehet Besës, ndërsa janë duke larë enët, se Juna nuk i ndahet avazit të përhershëm. Ai mendon se Juna "i jep gojës" pa i menduar mirë fjalët. Besa i përgjigjet se Astriti si më i madh duhet të hapë rrugë, por ai këmbëngul në të vetën. Ai pranon që e ofendoi në tavolinë, por sipas tij ajo e meritoi. Pas drekës, Titi i afrohet edhe njëherë Junës, vetëm për ta kërcënuar, duke i thënë që ajo mos të guxojë më t‘i flasë ashtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›