E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferri i nëntokës dhe investimet e munguara

Nga Doriana Metollari/Hermesnews

Presidenti i Konfederatës së Sindikatave Kol Nikollaj: ‘Në vitin 2009,para zgjedhjeve parlamentare, një ditë para se të linte postin, ish ministri i atëhershëm bëri një marrëveshje me ACR duke anashkaluar Parlamentin, duke shtyrë në kohë dhe në vlerë grafikun e investimeve për t’i kryer ato në periudhën 2009-2013 dhe duke e çliruar ACR -në nga penalitetet që përcaktonte kontrata koncensionare me justifikimin absurd të mosrimbursimit të TVSH. Sot që vazhdon greva Kompania Acr ka dhe një vit kalendarik kohë për t’i kryer këto investime që të vërtetë akoma nuk i ka filluar’

Cfarë po ndodh gjatë kësaj pauze që kanë marrë minatorët për festën e Bajramit ?

Që nga data 4 Korrik, 700 minatorë të minierës së kromit Bulqizë filluan grevën e përgjithshme të organizuar dhe mbështetur nga sindikata e tyre; Pasi protestuan për disa ditë në Bulqizë, erdhën në Tiranë dhe për një javë rresht protestuan para Qeverise Shqiptare, Parlamentit, METE-s, Radio TV Publik, Selise se BE-se, Zyrave te ACR etj. Pavarësisht nga inensiteti i protestës dhe përkrahja publike që ajo pati, askush nuk i priti minatorët, nuk dialogoi me ta për tu njohur dhe për të zgjidhur problemet e tyre. Të përballur me këtë indiferencë ata u kthyen përsëri në Bulqizë duke përshkallëzuar grevën. Keshtu filloi greva e urisë brenda galerive në thellësinë 1400 m. Pas 20 ditëve grevë urie, ACR me mbështetjen politike të Qeverisë nëpërmjet avokaturës së shtetit dhe Gjykatës Dibër, vendosen me vendim gjykate nxjerrjen e minatorëve nga thellësia në sipërfaqe. Ky vendim u zbatua brenda 24 orëve dhe me angazhimin e mbi 1000 forcave të policisë. Të ndodhur në këto rrethana, sindikata vendosi që greva të ndërpritet në thellësi të nëntokës dhe të zhvillohet në siprfaqe duke u tubuar nga ora 7:00 deri në orën 15:00 çdo ditë. Ditën e Premte me datë 26 Gusht 2011, komisioni i grevës dhe këshilli i sindikatës vendosi që ta ndërpresin përkohësisht grevën në respekt të Festës së Bajramit me shpresën që kjo festë e madhe të shërbejë për të ndriçuar rrugën dhe punëdhënësi ACR të kthehet në rrugën e Zotit, po të flasim kështu.

Përse nuk nëshkruat propozimet që iu bënë përfaqësuesit e ACR-së?

Po ju paraqes kopjen e prokoll-marëveshjes që kërkojmë të nënshkruhet, për të cilën në përgjthsi është rënë dakort. Ata nuk pranojnë ta nënshkruajnë ligjërisht duke qenë sindikata palë nënshkruese, por kërkojnë përfaqësi anonime punëtorësh pa votë besim.

Ka patur përleshje dhe me forcat e policisë.. Si keni reaguar ndaj kësaj ndërhyrjeje?

Eshtë interesant fakti që kjo pronë publike është transferuar për 30 vjet me koncension tek ACR dhe vetë ACR nuk interesohet fare, por shteti i nxjerr dhëmbët sindikatës duke e kërcënuar me vendime gjykate që unë i shoh si absurde dhe presione, duke keqpërdorur policinë. Sot miniera është kthyer në një garnizon policie me forca speciale policie, forca të ndërhyrjes së shpejtë, forcat e e Policisë Peshkopi, që kërcënuan punëtoret. Të ndodhur në këto rrethana puntorët u tërhoqën dhe vendosën të grumbulloheshin në ambientet e jashtëm të minierës para portës kryesore. Këtu me datë 25 Gusht 2011 këto forca për dy ore rresht sulmuan dhe dhunuan minatorët ku 3 nga ata përfunduan në spital në gjendje të rëndë. Ata dhunuan dhe gratë e minatorëve që kishin ardhur.

A jeni optimist për finalizimin me sukses të kësaj greve? Ku mbështeteni më shumë?

Ne jemi shumë optimist që kjo grevë do të përfundojë me sukses: së pari për faktin që minatorët janë të vendosur dhe të bashkuar. Kërkesat e tyre janë tepër legjitime. Së dyti sindikata që i drejton ata, jo vetëm që i udhëheq dhe i mbron me përkushtim dhe besnikëri, por i ka ta gjitha kapacitetet e duhura për ta fnalizuar me sukses çdo lëvizje sindikale kur ajo është produkt i vullnetit të lirë të anëtarëve të saj. Ne i kemi bërë thirrje Qeverisë që të bëhen pjesë e zgjidhjes së këtij problemi, në të kundërt ata do të jenë pjesë e problemit. Siç thotë populli e drejta mund të vonojë por kurrë nuk gabon.

Ministria e Ekonomisë në një komunikatë për shtyp është shprehur se miniera e Bulqizës nuk mund të jetë ‘pronë interesash vetjake’, ju si e komentoni këtë?

METE si organi shtetëror i autorizuar për të kontrolluar kontratat koncensionare, është përgjegjëse kryesore e kësaj situate. Kjo ministri ka miratuar në Parlament me ligjin nr. 7691 ndata 12/5/2001kontratën kocesionare DARFO Spa, sot ACR Spa. me qëlim: Reabilitimin, Modernizimin, Financimin dhe shfrytëzimin e Minierës së kromit Bulqizë. Në 3 vitet e para do të investoheshin 2, 7 milion $ nga të cilat 1,5 milion $ për hapjen e thellësisë së minierës poshtë nivelit 16. Në 5 vitet tjera do të investoheshin 7,3 milion $ duke përfunduar traverbangun dhe punimet minerare deri në nivelin 20 të minierës. Pra në dy fazat (në 8 vite- 2001-2009) do të investoheshin 10 milion $ dhe prodhimi do të shkonte 80 mijë deri 100 mijë ton krom me cilësi 39 % deri 40% Cr2 O3. Dhe sot asgjë nuk është kryer nga ato që përmendëm më lart. Në vitin 2009 të ndodhur përpara kësaj situate dhe përpara zgjedhjeve parlamentare, një ditë përpara se të linte postin ish ministri i atëhershëm bëri një marrëveshje me ACR duke anashkaluar Parlamentin, duke shtyrë në kohë dhe në vlerë grafikun e këtyre investimeve për t’i kryer ato në periudhën 2009-2013 si dhe duke e çliruar ACR -në nga penalitetet që përcaktonte kontrata koncensionare me justifikimin absurd të mosrimbursimit të TVSH. Sot që vazhdon greva Kompania Acr ka dhe një vit kalendarik kohë për t’i kryer këto investime që të vërtetë akoma nuk i ka filluar. Praktikisht është e pamundur që ato të jenë në vlerën dhe sasinë e duhur në kohën që ka mbetur. Ky besoj që është interesi me të cilin duhet të merret METE në funksion të detyrës së saj kushtetuese.

 Çfarë ofron miniera e Bulqizës sot për një minator?

Punojnë në kushte të mjerueshme. Prej 20 vitesh miniera shfrytëzohet barbarisht e në kundërshtim me rregullat teknike të kërkimit dhe shfrytëzimit minerar. Të gjitha punimet e kryera janë jashtë standarteve teknike dhe e bëjnë të pamundur rinovimin teknologjik të minierës. Kushtet e sigurisë së jetës në punë nuk janë të garantuara minimalisht. Një minator merr pagë ditore 17 deri në 21$. Miniera nuk ka as ujë të ngrohtë as të ftohtë për larje, ujë të pijshëm, dushe e garderoba, ushqim polyvalent, antidote, restorant etj. Nuk funksionon këshilli punëtor i sigurise në punë sipas ligjit, nuk ka mjek në ndërrmarje dhe nuk kryhen vizitat mjeksore periodike sipas ligjit për miantorët. Por ne jemi optimist që kjo betejë do të zgjidhet në favor të minatorëve pasi ata gjatë kësaj kohe në këtë grevë arritën të sensibilizojne opinionin publik në favor të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›