Feruni, trajneri i Anglisë në Peshëngritje?

Shqiptari Përparim Feruni mund të jetë trajneri i ekipit kombëtar të peshëngritjes së Anglisë. Ishulli britanik do të organizojë Lojërat Olimpike të vitit 2012. "Drejtuesit e Federatës Anglezë të Peshëngritjes shfrytëzuan Kampionatin Europian të zhvilluar në Linjano të Italisë për t'u dorëzuar homologëve të tyre, përfshi edhe Shqipërinë, ftesën për të aplikuar për vendin e trajnerit, që do të përgatisë në katër vitet e ardhshme edhe peshëngritësit në Olimpiadën e Londrës", - tha për "Albania", drejtori teknik i FSHF-së, Përparim Feruni. Sipas ish-kampionit të peshës 60 kg, Ferunit, Anglia nuk e ka të zhvilluar peshëngritjen. "Duke njohur më parë edhe biografinë time si sportist, por edhe si drejtues, ftesën ma dorëzuan personalisht, duke informuar njëherësh edhe presidentin e FSHP-së, Esat Ademi". Puna do të shtrihet jo vetëm në trajnimin e sportistëve, zbulimin e talenteve, por edhe në promovimin e këtij sporti në Angli në nivele olimpike dhe botërore. "Shqipëria është një shembull i mirë në Europë", - thotë Feruni.
"Vendi ynë ka nxjerrë një numër të madh sportistësh cilësorë dhe ka krijuar shkollën e tij të peshëngritjes",- thotë më krenari Feruni, i cili ka qenë një sportist i nivelit të lartë në peshën deri në 60 kg dhe me një karrierë të gjatë 15-vjecare.
"Në vitin 1978 për herë të parë triumfova mbi rekordmenin olimpik Ymer Pampurin (1972), duke e cuar shtangën në 102,5 kg në stilin e shkëputjes dhe 115 kg në stilin e shtytjes. Më pas rezultatet e larta (117.5 kg në shkëputje) më dhanë mundësinë të marr pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare të përmasave botërore dhe europiane të kohës sime", - thotë Feruni, i cili ka "pronësuar" një medalje të artë në "Kupën e Ataturkut" të zhvilluar në vitin 1981 në Ankara, ku merrnin pjesë 15 shtete.
Në peshën 60 kg ka konkurruar edhe Luan Shabani, kampioni olimpik, por që garoi me fanellën e Greqisë. Një emër i njohur i kësaj peshe është edhe Agim Xhelili.
Feruni ka edhe mendimin e tij për peshëngritësin më të mirë shqiptar të gjitha kohërave. "Përcaktohet në bazë të koeficientit të sinklaritetit në dygarësh dhe për mua është Ilir Suli".