E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana tund milionat për yjet

Bledar KUKA
Nëse trajneri Sulejman Mema do të vazhdojë të jetë në krye të bardhebluve, Tirana do të ketë një fytyrë të ndryshme sezonin e ardhshëm. Të paktën pjesërisht. Mema i ka komunikuar donatorëve planet e tij dhe një listë lojtarësh të dëshiruar prej tij ku spikat më së shumti ngjyra e kuqe e Partizanit. Mbrojtësi Tefik Osmani, lojtari i krahut të djathtë Gjergji Muzaka dhe sulmuesit Arbër Abilaliaj e Elis Bakaj bëjnë pjesë në listë. Portieri Isli Hidi është një tjetër dëshirë, ndërsa burime pranë klubit pohojnë se mund të merren në konsideratë edhe lojtarë të tjerë si "ishi" Abraham apo lojtari tjetër i krahut të majtë po tek Dinamo, Ferra.
"Është e vërtetë që Mema pëlqen disa lojtarë të Partizanit, - thotë burimi në fjalë, - si dhe Hidin, por mund të synohen edhe Abrahami i larguar më kot sezonin e kaluar apo i riu i Dinamos, Ferra". Vetë Mema nuk ka dashur të komentojë. "Nuk dua të flas për blerjet pa u mbyllur ky sezon", - i është përgjigjur ai gazetarëve, por nuk harrohen fjalët e thëna prej tij pas humbjes 1-4 në derbin me të kuqtë. "Do të bëj revolucion, Tirana nuk mund të mbetet peng i 2-3 lojtarëve", - ishte kërcënimi i tij.
Balanca e milionave
Disa nga lojtarët e paguar jo pak si Gjoreski apo Kcira (thuhet nga 4 milionë në muaj) apo edhe sulmuesi i njohur Daniel Xhafaj mund të largohen dhe kështu donatorët do të kenë më shumë fonde në dispozicion për të marrë të rinj. Edhe portieri veteran Blendi Nallbani nuk e ka të sigurt vendin në skuadër, pasi po lihet vazhdimisht rezervë nga Mema.
Të rinjtë mbahen
Tek Tirana e këtij sezoni kanë rënë në sy disa lojtarë të rinj si Fagu, Deliallisi, mbrojtësi Vrapi, por për trajnerët ka qenë i rëndësishëm edhe i riu tjetër Arapi. Këta besohet se do të konfirmohen për vetë kontributin e dhënë.
Duro, Fortuzi, Mohelebi
Kjo treshe cilësohet si e dëshiruar nga Tirana, por gjithcka mbetet në dorë të futbollistëve. Klodian Duro po tregohet udhëheqësi i skuadrës, Fortuzi mbetet simboli dhe përvoja, ndërsa Mohelebi mburret si një lojtar shumëplanësh që lufton fort dhe di të organizojë edhe lojën. Problemi i vetëm është karakteri i tij agresiv në fushë. "Lojtarë të tillë dëshirohen të mbahen nga Tirana, por varet gjithcka nga vullneti i tyre", - thuhet në klub.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›