E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e 29 nëntorit, LSI: Të mos ndryshojë

Në të njëjtën linjë me kryeministrin Sali Berisha, Lëvizja Socialiste për Integrim bëri thirrje sot që shteti të marrë në dorë kërkimin, identifikimin dhe hetimin për viktimat e regjimit komunist.
Por në lidhje me propozimin e deputetëve të Partisë Demokratike që 29 nëntori të kthehet në një ditë kujtese për viktimat e komunizmit, LSI është shprehur kundër duke e konsideruar propozimin të pamenduar.
Ky është rasti i parë i një replike publike mes PD dhe LSI, që pas hyrjes së tyre në koalicion pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
"Ngjarje si ajo e ditëve të fundit kur në periferi të Tiranës u zbuluan eshtrat e disa të vrarëve që mendohet të jenë të të pushkatuarve të sistemit totalitar, sjellin në vëmendjen e gjithsecilit prej nesh një dimension gjithnjë e më të trishtë, për rrjedhojë edhe një pamje me reale të përmasave makabre të luftës se klasave që realizohej përmes sistemit të organeve të Diktaturës së Proletariatit", tha zyrtari i LSI, Luan Rama.
Ai shtoi se kjo nuk është një çështje thjeshtë për humanizëm, por në solidaritet me dhembjen njerëzore të të gjithë atyre që humbën njerëzit e tyre më të dashur, LSI thekson nevojën e një vëmendjeje më të madhe shtetërore dhe të një angazhimi real, për të bërë të mundur që familjarët e tyre të kenë mundësinë të paktën që të afërmit e tyre, viktima të regjimit komunist, të prehen në një varr.
"Kjo gjë parakupton që kërkimi, identifikimi dhe rivarrimi i tyre të mos mbetet në dorë të individëve të interesuar, por të bëhet nga shteti. Ky është edhe nderimi e respekti më i madh që mund të tregohet ndaj tyre dhe ndaj familjarëve që u përndoqën e persekutuan", tha Luan Rama.
Ai nënvizoi se propozimi i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi, pasi 29 nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë si një popull antifashist e kontributor me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›