Rama: Në tryezë për hapjen e kutive
TIRANË- Kryetari i PS-së, Edi Rama, do të shkojë të shtunën në tryezën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me kërkesën kryesore të opozitës, hapjen e kutive të votimit. Duke vlerësuar tryezën që do të mbahet nga Presidenti i Republikës, Rama përmes një konference për shtyp, ka deklaruar se hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm.
Ky qëndrim konstant i opozitës nuk do të ndryshoje as në tryezën e së shtunës.
Para tryezës së fundjavës, kryetari i opozitës, Edi Rama, do të konsultohet edhe me deputetët socialistë të Këshillit të Europës, në Strasburg. "Dua t'ju informoj se bashkë me disa kolegë, nesër, do të nisem në Strasburg, për një ditë të komunikimit masiv me miqtë e Partisë Socialiste Evropiane, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të cilët janë seriozisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj krize.
Me këtë rast e shoh të rëndësishme të theksoj edhe se vazhdimi i komunikimit me të gjithë aleatët tanë, të Fronit Opozitar, është pjesë e këtij procesi në përgatitjen, jo vetëm të tryezës së dialogut, por edhe i të gjitha hapave që parashohin kontributin tonë për zgjidhjen e kësaj krize",- tha dje Rama.
Kryetari i opozitës ka qartësuar dje përmes pyetjeve të përfaqësuesve të medias se, me hapjen e kutive nënkuptohet pikërisht rinumërimi i votave, jo për të ndryshuar rezultatin, por për të bërë transparente procesin.
"E kam theksuar vijimësisht, qysh në krye të herës, se hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm për të pasur një hetim të plotë dhe për të garantuar një transparencë të gjithë procesit zgjedhor, në funksion të Kushtetutës dhe ligjit, duke zbërthyer të gjithë elementët që e përbëjnë procesin. Ne nuk duam të hapim kutitë për të përmbysur pushtetin në tavolinë.
Ne duam të hapim kutitë për të hetuar procesin dhe përmes hetimit të procesit, të plotësojmë të gjithë kuadrin kushtetues për një hetim parlamentar me të gjitha aspektet, të cilat duhet ta shqetësojnë dhe vënë në lëvizje Parlamentin e vendit kur bëhet fjala për të trajtuar këtë çështje dhe për t'i dhënë zgjidhje një sërë problemesh që dalin nga hetimi.
Pra, jo rinumërim për rishpërndarje mandatesh në tavolinë, por rinumërim për hetim të atij procesi numërimi, të konsideruar i keq dhe shumë i keq në 1/3 e tij dhe për hetim të raportit mes të gjithë atyre që u përfshinë në administrimin e zgjedhjeve dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë",- tha Rama. Kryetari i opozitës shtoi gjithashtu se aktualisht forca politike që ai drejton është në protestë, sa kohe që ajo nuk është në Kuvend.
"Shfaqja e kësaj proteste në të gjitha format e veta, është pjesë e këtij procesi, i cili sot është i fokusuar te tryeza dhe për këtë arsye edhe gjithë përgatitja jonë për çka vjen më pas zhvillohet në një formë tjetër të përshtatur me nevojën për t'i dhënë dialogut hapësirën e vet",- tha Rama.
*******************
Presidenti zhvilloi dje një takim me ambasadorin gjerman Bochardt, në prag të tryezës politike
Kriza, Topi konsultohet me ambasadorin gjerman
TIRANË- Në vigjilje të mbajtjes së tryezës së bisedimeve midis Presidentit Bamir Topi dhe përfaqësuesve të forcave kryesore politike në vend, Rama e Berisha, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të shtojë ndikimin e tij për zgjidhjen e ngërçit politik.
Pas takimeve me ambasadorët, Montobio, Lohan e Uidhers, kreu i shtetit, Bamir Topi priti dje paradite në Presidencë edhe ambasadorin gjerman Bernd Bochardt. Ashtu si takimi me ambasadorët e dy ditëve më parë, edhe takimi me shefin e diplomacisë gjermane është zhvilluar pa praninë e mediave.
Duke u fokusuar tek roli i Presidentit Bamir Topi, si negociuesi kryesor për zgjidhjen e krizës politike, si dhe duke iu përmbajtur Rezolutës së Këshillit të Evropës, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, që operojnë në Shqipëri kanë ushtruar këto ditë pushtetin e tyre politik, duke ndikuar tek kreu i shtetit që të thërrasë këtë fundjavë tryezën e bisedimeve për të arritur në një marrëveshje midis Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama.
Megjithëse sipas njoftimit për shtyp të selisë së Presidencës, bëhet e ditur se, ambasadori i gjerman Bochardt dhe kreu i shtetit Topi, janë takuar në kuadër të vizitës, që ky i fundit do të bëjë në Gjermani në muajin prill, ata kanë sjellë në vëmendje edhe tryezën e së shtunës midis mazhorancës dhe opozitës.
"Nga ana e tij, Ambasadori gjerman, Bernd Borhard, vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivelet më të larta që kontribuojnë edhe në rritjen e nivelit të dialogut dhe bashkëpunimit politik. Në takim u diskutua edhe për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën Presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010", - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Takimi, cili është zyrtarizuar ditën e shtunë më 13 shkurt do të ulë në tryezë Kryeministrin Berisha dhe kryesocialistin Rama për të zgjidhur krizën politike që vazhdon prej muajsh.
Megjithatë, nisur nga qëndrimet e deritanishme të dy partive arritja e një marrëveshjeje për të përmbushur kushtet e vendosura nga njëra-tjetra, duket i vështirë, pasi të dyja forcat politike kanë shprehur qëndrime të kundërta për çështjen e hapjes ose jo të kutive të votimit.
Opozita e cilëson si të panegociueshme çështjen e hapjes së kutive ndërsa mazhoranca e konsideron një gjë të tillë të pamundur, pasi sipas saj bie ndesh me vendimet e gjykatave që janë dhënë për zgjedhjet e Qershorit.
Megjithatë, çdo gjë do të vendoset në tryezën politike të së shtunës, nëse mazhoranca dhe opozita do të arrijnë në një marrëveshje midis tyre ose do të dështojnë për të gjetur pikat e takimit midis tyre dhe zgjidhjen e krizës politike.
Fier, Rama: Gjithçka brenda kutive duhet të hetohet
FIER- Kryetari i PS-së, Edi Rama, vijoi dje turin e tij në Fier. Ai ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët në këtë qytet duke iu përgjigjur pyetjeve që kryesisht kishin të bënin me hapjen e kutive të votimit.
Një ndër pyetjet drejtuar kryetarit të opozitës ishte edhe fakti nëse hapja e kutive konsistonte vetëm në leximin e materialeve bazë apo edhe fletët e votimit. Kësaj pyetjeje, kryetari i PS-së i është përgjigjur se gjithçka që është brenda kutive do të hetohet.
Sipas Ramës, hetimi i zgjedhjeve do t'i japë fund pikërisht korrupsionit të komisionerëve qofshin këta të PS-së apo PD-së. Rama nuk dha shumë detaje për zgjidhjen e krizës, por këmbënguli tek kërkesa e vetme, për hapjen e kutive.
Rama shtoi se takimi i së shtunës mund të mbyllet edhe me një etapë dhe i vendosur deklaroi se me çdo formë do të realizohet zbardhja e të vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit.
*****************8
Pas tryezës së paralajmëruar të kreut të shtetit, PD-ja, përmes një qëndrimi zyrtar, paraqet pikat që do të negociohen.
Astrit Patozi: Negociojmë për
rezolutën, jo për hapjen e kutive
TIRANË- Pas qëndrimit zyrtar të Presidentit Bamir Topi për të ulur në tryezën e bisedimeve dy krerët e forcave politike PD-ja e PS-ja, ka reaguar edhe mazhoranca
përmes kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi. Partia Demokratike e
ka mirëpritur tryezën e dialogut politik me Partinë Socialiste, por ka bërë sërish të qartë se çështja e hapjes së kutive nuk do të mund të jetë pjesë e këtij negocimi.
Kryetari i grupit parlamentar të "selisë blu" dhe njëherësh nënkryetari i kësaj partie, Astrit Patozi theksoi dje në një konferencë për shtyp, se mazhoranca është e gatshme për të dhënë kontributin e saj në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës si dhe me raportin e institucionit monitorues OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 Qershorit.
"Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dëshiroj të shpreh vlerësimin pozitiv për thirrjen nga Presidenti i Republikës, të tryezës së dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës.
Si një ndër protagonistët e kësaj tryeze, Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat shtetit ligjor, rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës si dhe raportin e OSBE-ODIHR-t për zgjedhjet e fundit në Shqipëri",- tha dje Patozi. Ai vuri në dukje se mazhoranca do të ulet të shtunën e 13 shkurtit në tryezën politike të Presidentit Topi me qëllimin për të respektuar të gjitha rekomandimet e dhëna nga institucionet ndërkombëtare të përmendura më lart.
Sipas Patozit, duke u nisur nga respektimi i këtyre rekomandimeve, shumica do të vazhdojë të ketë dialog me opozitën dhe çdo forcë tjetër politike në vend, por la të kuptohet se kërkesa e opozitës për hapjen e kutive nuk do të jetë pjesë e debatit të bisedimeve.
"Gjithmonë në funksion të këtij qëllimi vullnetmirë, ne i qëndrojmë plotësisht respektimit dhe mbështetjes së plotë të dokumenteve të mësipërme. Dëshiroj të theksoj gjithashtu se kjo mazhorancë ka pasur,
ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me çdo faktor tjetër politik të vendit. Dhe në dritën e qartë të këtij përcaktimi ne e shikojmë edhe tryezën e ftuar nga Presidenti i Republikës", - u shpreh ai. Në këtë mënyrë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis tyre, partitë duket se ia kanë lënë tryezës së bisedimeve midis liderëve kryesorë në vend, Berisha e Rama, që do të mbahet ditën e shtunë.