E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Filmit, n’Prizren

Puna shpërblehet. Që të jemi më të qartë, mjafton ta adresojmë argumentin tonë te dy njerëz dhe diçka që ata kanë bërë, duke u nisur nga zeroja dhe duke u bërë, në mënyrën e tyre, mishërim të asaj që e quajmë ideal, sakrifikim për një pasion. E ai ideal është gjithsesi arti. Dhe në atë dashuri për artin, duhet patjetër ta thërrasim me emër. Emri është ‘Dokufest’. Festival i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër. Mbahet, e dimë tashmë, në Prizren. Shpërblimi: Festivali konsiderohet sot ndër festivalet më të mira të dokumentarit jo vetëm në Europë. Krejt kjo falë atyre dy personave dhe stafit të tyre: Aliriza Arënliut, Drejtor i Përgjithshëm i Festivalit dhe Veton Nurkollarit, Drejtorit Artistik.

Ndërsa, shpërblimi i tillë u ndje për artdashësit edhe mbrëmë, në hapjen e edicionit të nëntë të këtij festivali.

Shumë artdashës, filmbërës, regjisorë të vendit e ndërkombëtarë u takuan mbrëmë (e shtunë) në kinemanë e hapur “Lumëbardhi” në hapjen solemne të edicionit të nëntë të “Dokufest”, Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, në Prizren.

Është ky festivali më i madh në vend, i cili këtë vit sjell rreth 150 filma.

Në mesin e tyre do të ketë filma që tashmë kanë fituar çmime prestigjioze ndërkombëtare, si Oskar; filma të festivaleve po ashtu të njohura si ai i Cannes dhe të Berlinales; e nuk përjashtohen edhe produksione të tjera të njohura botërore.

Kino “Lumëbardhi” ishte e mbushur përplot në natën e mbrëmshme, të hapjes solemne.

Hapja u bë me video performancën e artistit Maksut Vezgishi. “Un’ jam send kombëtar”.

Pas performancës, festivalin e shpalli të hapur Aliriza Arënliu, Drejtor i Përgjithshëm i “Dokufestit”.

I pranishëm në hapje duke mos lënë pa thënë dy fjalë për festivalin dhe të pranishmit, ishte Kryetari I Komunës së Prizrenit Ramadan Muja.

“Është kënaqësi e madhe të bëjmë hapjen e ediconit të nëntë me radhë të festivalit “Dokufest”. Ndihem mirë kur dikujt i flas për vendin tim, Prizrenin, dhe ndoshta nuk njihet, por në momentin kur flas për Festivalin Ndërkombëtar të
Filmit Dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest” atëherë e dinë shumë mirë për cilin vend është fjala”, u shpreh në hapje të festivalin, Muja.

Nata solemne vazhdoi me shfaqjen e filmit “Info Eterniti” (Drejt përjetësisë) të regjisorit Michael Madsen.

Në kinon “n’Lum”, për të kujtuar veprën e aktorit tonë Bekim Fehmiu, në orën 22:30 u shfaq filmi “Mbledhësit e puplave”. Ndërsa kino n’Kala u promovua me filmin “Welcome Evropa”, të regjisorit Bruno Ulmer.

Festivali vazhdon rrjedhën e tij me shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve këtë vit me një kinema më shumë. Janë gjashtë kinema në dispozicion për artdashësit, të cilat do të shfaqin filma për shtatë ditë rresht deri në natën finale, e cila do të jetë me 7 gusht.

Risi e edicionit të sivjetmë e “Dokufestit” do të jetë retrospektiva e filmbërësit të jugosllav Zelimir Zilnik dhe ajo e filmbërësit nga filipinet Khvan de la Cruz.

Programi i ditës së diel do të shfaq filma në pesë termine. Nis me terminin e orës 14:00 pastaj vazhdon me terminin tjetër në orën 16:00, 18:00, 20:15, 22:15.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›