Fatos Arapi, një zë i fuqishëm i letërsisë shqipe
Mbi çdo gjë që rrethon poetin ka rënë heshtja. Ai vetë ka zgjedhur kështu. Arsyet mund të jenë të shumta, ashtu sikundër ka shkruar në një artikull poeti Aliu Aliu, mund të ngremë vetëm pyetje e të hamendësojmë mbi atë ç’ka ngjarë, përmes krijimeve të tij. Ai ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm në veprimtaritë e në jetën kulturore e letrare shqiptare. Dëshpërim? Zhgënjim? Vetëm ai mund të na e kthejë një përgjigje nëse do, nëse do ta dëshirojë një ditë
Flokët e bardhë kanë diçka qiellore, njësoj si edhe vargjet e tij... Vargjet e poetit plagosin shpirtin, frymëmarrje i japin. Fjala poetike e tij është moderne, universale dhe e përjetshme.
Ka lënë këtë lloj përjetësie të flasë për të, ndërsa ai vetë ka zgjedhur të tërhiqet prej të qenit publik. Mbi çdo gjë që rrethon poetin ka rënë heshtja. Ai vetë ka zgjedhur kështu. Arsyet mund të jenë të shumta, ashtu sikundër ka shkruar në një artikull poeti Aliu Aliu, mund të ngremë vetëm pyetje e të hamendësojmë mbi atë ç’ka ngjarë, përmes krijimeve të tij.
“ç’po ndodh në fakt me poetin Fatos Arapi, vepra e të cilit, veçmas ajo e njëzet viteve të fundit, ka pushtuar majat më të larta letrare të shqipes? ç’po ndodh me këtë zë që, brenda këtij harku kohor krijues sidomos, ishte shqiptimi më i fuqishëm poetik në artikulimin e ndjeshmërisë shqiptare dhe njerëzore, në artikulimin e shqetësimit dramatik të kohës, të konfuzionit dhe krizës së vlerave, të degradimit të njeriut dhe njerëzores, degradimit që aq brutalisht galopon drejt pushtimit të hapësirës?”, shkruan, ai ndërsa shton se vendimi i Fatos Arapit ndërkaq, për të ikur anash, në heshtje të plotë, duket i prerë... Më tej Ali Aliu, mik dhe dashamirës i veprës së Arapit, njëri nga ata që është përpjekur t’i mbushë mendjen të kthehet edhe një herë mes lexuesve dhe atyre që e duan dhe e dëgjojnë, edhe pse në heshtje, vijon të shkruajë, se ndoshta vendimi i Fatosit për të abstenuar nga të qenit i pranishëm në përditshmërinë kulturore – krijuese shqiptare, pikërisht në këtë fazë të moshës mund të shihet edhe si rrjedhim dëshpërimesh e zhgënjimesh të mëdha të periudhave, kur zërat e fuqishëm publikë të personaliteteve me përmasa të ngjashme, kryesisht jehojnë si klithje në heshtje, kur tingëllojnë si zëri në shkretëtirë… “Në hapësirat e ngjashme me tonën aktualisht, ku nuk ekziston ndjeshmëria për ta dëgjuar zërin publik, ka edhe më pak hapësirë për ta dëgjuar atë në heshtje. Vetëm në hapësirat ku ka veshë për ta dëgjuar zërin e personaliteteve nga fusha e vlerave shpirtërore, siç është rasti me veprën e Fatos Arapit, vetëm atje mund të dëgjohet edhe heshtja - si refuzim, si revoltë”, vijon më tej ai. Ndoshta për të fundit herë, një mesazh dërguar publikut e ka bërë në vitin 2008, kur në Strugë u vlerësua me çmimin "Kurora e Artë" e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë. Atëherë tha se me këtë ndihej i qetë dhe i lumtur. Poezia e tij është ndër më të mirat. Ai është edhe poet i dashurisë, asaj sublimes. është ky Fatos Arapi.
Autori i cili që në hapat e parë paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Ai lindi në Zvërnec të Vlorës. Në fillimet poetike të 81-vjeçarit ndihet rrudhja tematike, reduktimi i krijimtarisë i kushtëzuar prej rrethanave politike të kohës, ashtu siç në fakt do të ndodhte edhe me shumë të tjerë jo vetëm të brezit të tij, por edhe atyre që erdhën e lindën më pas. E për disa syresh, referimi ndaj poezisë së Arapit i ka dhënë mjaft dorë në gjetjen e udhëpërshkrimit të mëtejshëm në poezi. Për Fatos Arapin, ky referim është krejtësisht normal. Një poet të ri ai e konsideron si një fëmijë, që do ta kërkojë dikë që ta marrë për dore. “Por, vjen një moment që ai e kupton që duhet të shkëputet nga dora dhe duhet të ecë vet në këmbët e veta dhe atëherë fillon të eci poeti. Mos u shqetësoni nga ajo sepse është në influencën e këtij apo atij poeti, nuk ka rëndësi. Me kalimin e kohës ai do ta gjejë, nëse është poet, po e nënvizoj nëse është me të vërtetë poet, nëse ka lindur vërtet poet, siç thoshin antikët latinë dhe nëse ka lindur vërtet poet, ai do ta gjejë rrugën e vet. Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar aty”, është shprehur në një intervistë ai. Për Fatos Arapin, poeti nuk është gjë tjetër veçse personalitet i tij, shpirt i tij dhe kultura e tij. Ndaj medoemos ai do ta gjejë vetveten. Për të e rëndësishme është që njeriu të studiojë vetveten, shpirtin, ta kultivojnë atë, ta bëjnë atë shpirt me të vërtetë, një shpirt të një njeriu të epokës në të cilën jetojmë, epokë e cila është me të vërtetë shumë e zhurmshme, shumë e vrullshme, por që jep mundësi shumë të mëdha për zhvillimin e shpirtit njerëzor. “Liri, njerëzi dhe dashuri midis njerëzve”, këtë mesazh përcjell shkrimtari i cili, edhe përmes heshtjes, kërkon të rrëfejë diçka. Fatos Arapi i ndoqi studimet e larta në Bullgari në Fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Vepra e tij është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë, gjini ku vlerësohet ndër më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe, Fatos Arapi ka shkruar disa novela mes të cilave “Patat e egra”, “Cipa e borës”, “Gjeniu pa kokë”, romane si “Dhjetori i shqetësuar”, “Shokët”, “Deti në mes”, disa drama e përkthime etj. E të gjithë ne, dikur fëmijë, edhe nëse nuk e njohim mirë veprën e tij, gjithnjë do të na vijë në mend poeti përmes këngës së njohur “Kënga e globit”, e njohur edhe me emrin “Dhuratë për ditëlindjen”. (“Në përvjetor të ditëlindjes tënde/ke plot dhurata mbi tavolinë/e midis tyre një glob të vogël/Shokët e klasës ta kanë sjell...”). Të tilla emocione, mbresa e nostalgji mund të ta ofrojë vetëm një tekst i jashtëzakonshëm i krijuar me shpirt, për këtë arsye, por edhe për shumë të tjera krijimtaria letrare e Fatos Arapit mbetet e dashur për të gjithë.
#