E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dan Fante, një shkrimtar i vërtetë

Librat e rinj

John Fante nuk ka nevojë për prezantime. Me romanet e tij ka lënë shenjë në letërsinë amerikane. Djali i tij, Dan Fante, e kundërta, është më pak i njohur. Mendimi i parë që të vjen në mendje përballë fëmijëve të artit që zgjedhin të bëjnë të njëjtin profesion me prindërit e tyre, zakonisht është arratisja, dhe zakonisht ky mendim është ai i duhuri. Dan Fante, përkundrazi, është nga ato përjashtimet e rralla dhe të çmuara. Të kesh një baba të famshëm si ai i Dan Fante-s, zakonisht premton për një jetë komode. Por për Dan, rrjedha e jetës nuk ka qenë aspak kështu. I lindur në vitin 1944, në Los Angeles, fëmija i dytë i John, në moshën 20-vjeçare transferohet në New York, ku jeton për 12 vite duke bërë punë nga më absurdet: nga shitës ambulant, larës xhamash, hetues privat, shofer, pjatalarës. E ndërkaq është edhe një i alkoolizuar. Në një moment të jetës, megjithatë, kthehet në Los Angeles. Vendos papritmas të mos pijë më dhe të shkruajë skenarë teatralë dhe romane. Njësoj si i ati. John ishte një prej shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë amerikane, edhe pse u zbulua vetëm pas vdekjes, në vitin 1983. Njëkohësisht ai ishte edhe një skenarist i njohur në Hollywood. Vetëm pas lënies së alkoolit ai gjeti forcën të rrëfejë vetveten në “Engjëj të përgjysmuar”, një roman autobiografik, në të cilin rrëfen varësinë ndaj alkoolit. "Sjellja ime shpesh është ekstreme dhe shkatërruese dhe kjo ndodh sepse nuk arrij të duroj dot veten kur jam esëll. Vetëm më pas më kujtohet, ose mësoj mbi ato që kam thënë apo kam bërë kur isha i dehur. Kështu që për t’u shfajësuar, pi prapë". Ai nis të rrëfejë marrëdhënien e vështirë me babanë shkrimtar, me veten dhe me qytetin e tij. Ky roman erdhi për lexuesin dhe kritikën si një goditje rrufeje. Të shkruarit ishte një trashëgimi e vyer dhe e pangatërrueshme prej të atit, e cila vinte e përzier dhe me sarkazmin e zezë dhe anarkinë e Bukowski-t shkrimtar, që ndër të tjera ishte një admirues i madh i John, aq sa shkroi: “Fante ishte Zoti im”. Protagonist i paharrueshëm i sagës së Fante-s është Bruno Dante, alteregoja e romancierit, që karakterizohet me trajta të forta autobiografike: alkoolist. Brunoja ka të dhëna dhe një talent të madh për të qenë shkrimtar.

Nëse Brunoja është gjallë, i detyrohet faktit që Dan ia ka dalë mbanë. Të shumtë janë ata që e kanë gjetur veten te personazhi Bruno, te historia e tij. Dhe përmes tij, Dan i rrëfen lexuesit se edhe atëherë kur gjithçka duket e humbur, mund t’ia dalësh mbanë. vështirësi do të ketë gjithmonë. Tronditjet, revolucionet konsumohen në nivel personal dhe shërbejnë për të treguar një drejtim ndryshe. “Kush i njeh filozofitë orientale, i quan vështirësitë e jetës një dhuratë, një busull nga e cila mund të orientohesh dhe të shohësh objektet në largësi, një busull që të jep mundësi të kuptosh distancat dhe të lehtësosh lëvizjen në brendësi të një hapësire. Bruno, për shembull, është një tip që mbijeton, sepse dëshiron ta bëjë këtë. Në fund, për të gjithçka bëhet e qartë. Ai dëshiron të jetë shkrimtar, për t’u shprehur dhe për të ecur përpara”, thotë shkrimtari, për të cilin ndryshimi është i pashmangshëm. “Unë jam martuar katër herë, jam kthyer sërish mbrapsht dhe kam kaluar mjaft vështirësi e kam mësuar se kur gjendesh në një distancë dhe kthehesh për të parë atë që ka ngjarë, kupton se ka një leksion për të mësuar. Njeriu mund t’i mbijetojë gjithçkaje dhe mbushet me dije pikërisht për të kaluar pengesat”, vijon ai. Ashtu si edhe John Fante, i biri zhytet në jetë dhe i pranon asaj edhe rregullat më të egra dhe kontradiktat: që në më të shumtat e herës janë humbje, por për një fitore ia vlen të jesh pjesë e saj. Ai vetë thotë se me të atin kanë të përbashkët stilin e të shkruarit, por i ati nuk mund të thoshte në një libër atë që mund të thotë ai: 70 vite më parë kishte më shumë ndalesa. “Asnjë nuk e di se çfarë do të kishte shkruar sot im atë. Sigurisht që thjeshtësia dhe gjenialiteti i tij me fjalët kanë influencuar shumë tek unë”, ka thënë në një intervistë ai. “Im atë nuk ka vdekur. Qëndron pas meje, në këmbë, sa herë që shkruaj. Mban edhe një uniformë polici dhe më thotë: ‘Jo, fshije. Kjo nuk shkon mirë’”, ka thënë më tej ai. Punët e shumta që kreu para se të vendoste të bëhej shkrimtar kanë bërë të mundur që të njihet me shumë njerëz, personazhe të vlefshëm për krijimtarinë e tij. Sidomos puna si taksist: ka njohur nga lypësit, e deri te Jackie Kennedy. Eksperiencat e kësaj natyre kanë qenë thelbësore për të zhvilluar idetë dhe për krijimtarinë e tij, pa lënë mënjanë edhe jetën personale.

Debutimi i Dan Fante-s hodhi tej çdo dyshim mbi të drejtën e Dan Fante-s për të ndjekur të njëjtën rrugë si i ati. Pas kësaj ai vijoi të shkruajë dhe të publikojë. Bruno u kthye sërish edhe në romane të tjera. Ai vetë ka thënë se ka nisur të shkruajë pas moshës 40-vjeçare, si një terapi për të mos u vetëshkatërruar. As që e kishte idenë se çfarë dëshironte të shkruante, por ja që fjalët vinin vetë. Faqe të tëra që vinin prej zemrës së tij. Gjithnjë kishte dëshiruar të shkruante, por ishte tepër i marrë dhe i dehur për t’i lejuar talentit të shprehej. Sipas tij, e shkruara është një dhuratë prej Zotit. E shkruara është një pasion. Pasioni e drejton një artist. Sipas Dan Fante-s, të zbulosh atë që dëshiron të bësh në jetë, e më pas ta bësh, është një dhuratë e rrallë. Për këtë arsye ai vetë vazhdon të shkruajë. Ndërsa këshillon që një njeri duhet të lexojë, sidomos për të gjetur një ndërgjegje të gjendjes njerëzore.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›