Festa e Fiter Bajramit në rrethe

Të gjithë besimtarët myslimanë në vendin tonë kanë festuar sot festën e Bajramit të madh apo Fiter Bajramit. Festa vjen pas muajit të Ramazanit, një prej pesë shtyllave të Islamit, ku besimtarët agjeruan, duke iu përkushtuar më shume adhurimit dhe devotshmerisë ndaj Krijuesit të tyre, Zotit.
Durrës. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët kanë kryer ritet fetare. Në qytetin e Durrësit bësimtarët janë falur në xhaminë e qytetit, për më shumë shëndet, begati dhe harmoni për familjet e tyre. Edhe në qytetin e Kavajës, festa e Fiter Bajramit është festuar, por në një mënyrë krejt të veçantë. Besimtarët janë mbledhur në sheshin qendror të qytetit, ndërsa kryetari i Bashkisë ka uruar qytetarët. Ai ka mundësuar shtrimin e një torte gjigande në shenjë respekti për të gjithë myslimanët dhe në veçanti për agjëruesit e Ramazanit, për 30 ditët që lamë pas.
Elbasan. Edhe në këtë qytet qindra besimtarë janë mbledhur në sheshin “Genshërt”për të falur Bajramin e Madh. Ata kanë uruar njëri-tjetrin, por në Elbasan dita e sotme i ka kaluar kufinjtë e festës, pasi përfaqësues të kësaj myftinie kanë përfituar nga rasti që të përcjellin edhe apele për qeverinë shqiptare.
Korçë. Besimtarët myslimanë kanë festuar sot festën e Fitër Bajramit. Ata i janë drejtuar xhamisë së vjetër në qendëre të qytetit për të kryer faljen dhe ritet e tjera. Vetë Haxhi Qazim Muçi ka uruar gjithë besimtarët mysliman, në këtë ditë të shenjtë, ndërsa ka përcjellë mesazhet për më tepër harmoni, falje dhe begati mes njerëzve.
Vlorë. Edhe në këtë qark, në një zonë ku bashkëjetojnë disa komunitete fetare është festuar Fiter Bajrami. Festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale, pas faljes së Namazit të festës, besimtarët kanë shkëmbyer vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Një prej të veçantave të kësaj dite ishte edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet në fenë islame “ndarja e zekatit”, për të varfërit dhe familjet në nevojë.
Lushnje. Ndërsa besimtarët myslimanë në Lushnje, festojnë të ndarë Fiter Bajramin për të disatin vit radhazi. Riti i faljes së Namazit është zhvilluar në të njëjtën kohë paralelisht edhe në xhaminë e qytetit dhe në vendin ku falen besimtarët e vjetër, ndjekës të ish myftiut. Megjithatë, falja dhe vizitat në orët e mëngjesit janë kryer kryesisht në xhaminë e qytetit ku është myfti Tomorr Boriçi, duke kryer ritet e zakonshme gjatë ditës së shënuar.
Fier. Që në orët e para të mëngjesit edhe besimtarët mysliman në qarkun e Fierit i janë falur festës së Bajramit dhe kanë kryer të gjitha ritet e zankonshme të kësaj tradite. Qindra besimtarë janë mbledhur në sheshin qëndrorë të qytetit të Fierit, për t`u lutur për më shumë shëndet dhe begati, ndërsa Imam Karafil Mane ka uruar të gjithë besimtarët dhe agjeruesit e muajit të Ramazanit