E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Flamurit është festuar edhe në Kosovë

Nga ana e institucioneve të vendit nuk ka pasur ndonjë organizim, pasi Dita e Flamurit nuk bën pjesë në kalendarin e festave shtetërore.

Ligji për festat zyrtare të Kosovës, i miratuar nga Parlamenti vitin e kaluar, e ka lënë jashtë kalendarit të festave shtetërore 28 Nëntorin. Pas shumë debateve të zhvilluara në maj të vitit të kaluar, u vendos që kjo datë në Kosovë të njihet si festa e shqiptarëve.

Mospërfshirja e saj në kalendarin e festave zyrtare, ka bërë që përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë të mos shënohet në mënyrë institucionale në Kosovë.

'Festa e Shqiptarëve'

Por lëvizja Vetëvendosje dhe Rrjeti i Organizatave Shqiptare janë kujdesur që Dita e Flamurit të mos kalojë pa festime edhe në Kosovë.  Flamuj kombëtarë janë vendosur në Sheshin Nënë Tereza, ku është hapur dhe një Panair i Prodhimeve Shqiptare. 

Në të janë ekspozuar prodhime artizanale, si veshje kombëtare, punë dore, vegla muzikore dhe pajisje të ndryshme.  Atmosferë festive me këngë e valle i kanë dhënë kryeqendrës së Kosovës edhe ansamblet e ndryshme nga gjithë vendi.

Ndërkohë presidenti Fatmir Sejdiu në urimin e tij drejtuar qytetarëve thotë se Kushtetuta e Kosovës 28 Nëntorin e zyrtarizon si festë memoriale, por përtej këtij përcaktimi juridik, kjo ditë shënon festën e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. (bbc/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›