Superliga, shkëputet Dinamo, 2-0 me Kastriotin
TIRANE- Dinamo ka marrë fitoren e 10-të për këtë sezon, duke u shkëputur me 13 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Besa. Përballë Kastriotit, ekipi i drejtuar nga Shkëlqim Muça ka dominuar totalisht, duke e kthyer Superligën në një kampionat monoton. Vetëm pak minuta pas nisjes së takimit, Elis Bakaj kalon Dinamon në avantazh. Një gabim i mbrojtësit Shala, që mendoi se topi kishte dalë, bëri që fantazisti dinamovit të shënonte golin e parë. Vetëm 10 minuta më pas, Kuli pason sërish për Bakajn, i cili në afërsi të zonës arrin të godasë bukur me të djathtën, duke realizuar golin e dytë. Një gol që ka çuar peshë tifozerinë e Dinamos dhe ka vulosur këtë ndeshje. 70 minutat e mbetura kanë qenë një mirëadministrim i ndeshjes nga ana e skuadrës së drejtuar nga Shkëlqim Muça. Madje, në ndonjë moment Dinamos i duhej të matej edhe me vendimet e çuditshme të arbitrit.
Në dy takimet e tjera të javës së 12-të të zhvilluar të shtunën, Laçi barazoi pa gola ndaj Skënderbeut në fushën e tij, ndërsa Shkumbini dhe Gramozi i mbyllën 90 minutat e luajtura në Peqin në barazim 1-1. Të dielën do të luhen dy ndeshjet e tjera, ku Vllaznia do të presë në Loro Boriçi Besën, ndërsa Apolonia do të udhëtojë për në Durrës për t’u ndeshur me Teutën. Java e 12-të do të mbyllet me sfidën Flamurtari-Tirana që luhet ditën e hënë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)