Festa e Kurban Bajramit, Berisha, Rama, Topalli urojnë myslimanët
TIRANË (UPDATE) - Kryeministri Sali Berisha ka uruar gjithë besimtarët myslimanë për festën e Bajramit nga xhamia e Pogradecit. "Uroj të gjithë besimtarët myslimanë në ditën e Kurban Bajramit, në këtë ditë sublime. Sot është dita e besimit te Zoti , familja dhe shoqëria", tha ai.
Ndersa lideri i opozitës, Edi Rama ka qenë sot Medresenë e Tiranës, ku u shpreh se "ita e Kurban Bajramit është dita e gjesteve të mira dhe fjalëve të mira, kur të gjithë dëshirojnë kenë vetëm mbarësi". "Unë u uroj që të gjithëve që të kenë mendime të mira, gjeste dhe e fjalë të mira kudo ku jetojnë", ka uruar publikisht të gjithë besimtarët muslimanë në këtë ditë të shënuar për ta, shefi i opozitës.
Më tej, ai ka shtuar se dëshiron që e mbarë të jetë kjo ditë, por dhe e nesërmja e gjithsecilit prej shqiptarëve
Kryetarja e Kuvendit , Jozefina Topalli ka zhvilluar po ashtu një vizitë në Medresenë e Tiranës ku ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Kryetarja e Parlamentit tha se dita e sotme është e shenjtë, dhe nuk kërkon vetëm fjalë të mira, por edhe vepra të mira. "Kjo është një ditë e shenjtë. Sot nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por duhen vepra dhe gjeste të mira. Sot duhen veprime të mira", theksoi ajo.
**********
Besimtarët myslimanë në gjithë vendin sot festojnë Kurban Bajramin. Kjo është dita e mëshirës, faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.
Kreu i Komuniteti Mysliman, Selim Muça ka uruar gjithë besimtarët kudo që ndodhen, Gëzuar festën e Kurban Bajramit. Ditë ku demostrohet sakrifica ndaj zotit të madhëruar- thuhet në mesazhin e kreut të Komunitetit Mysliman ku ai lutet për paqe dhe begati mes njerëzve. "Gëzuar për shumë vjet festën e Bajramit Kurbanit, festë ku manifestohet heroizmi, sakrifica dhe devotshmëria ndaj zotit të madhëruar", tha Muça.
Më tej shtoi se "lus zotin që ti begatojë myslimanët, ti afrojë ata mes tyre, por jo vetëm myslimanët, të gjithë njerzit ti afrojë mes tyre sepse ne kemi nevojë më shumë për dashuri për bashkim e për lumturi mes nesh".
Gjithashtu Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin e urimit drejtuar Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me rastin e festës së Kurban Bajramit, thekson se "kjo ditë e shënuar e kalendarit islamik frymëzon tek secili besimtar mysliman ndjenjën e përulësisë ndaj të Plotfuqishmit, shprehjen e forcës së besimit dhe të shërbesës së lartë ndaj tij dhe çlirimin e shpirtit dhe të mendjes nga rëndesat e vështirësive të jetës së përditshme dhe të padrejtësisë njerëzore".
histori
Fjala "Kurban" e ka origjinën nga fjala "kurbijjet" që ka kuptimin afrim. Pra "Kurban" do të thotë "ti afrohesh diçkaje". Në kuptimin fetar kjo do të thotë ti afrohesh "Allahut".
Kurbani ashtu siç ka disa rregulla dhe kushte themelore fetare ka edhe tradita. Pikë së pari personi që bën kurbanin duhet të jetë prezent në therjen e kurbanit. Në raste të veçanta kjo mund të bëhet edhe me autorizim. E arsyeshme është që kurbani të theret nga vetë personi, por duke qenë se këtë nuk mund ta bëjnë dot të gjithë, edhe ky veprim bëhet me autorizim.
Por më e rëndësishmja këtu është shpërndarja e mishit të kurbanit. Kurbani ndahet në tre pjesë. Njëra pjesë i shpërndahet të varfërve, tjetra miqve, fqinjëve apo të njohurve që nuk kanë therur kurban. Kurse pjesa e tretë duhet të mbesë patjetër në shtëpi dhe të konsumohet nga pjesëtarët e familjes.
Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t'u serviren edhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur. Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.