E Diel, 1 Nëntor 2026

"Festa e Kurban Bajramit", Kryeministri Berisha uron besimtarët myslimanë: Ditë e shënuar – vitin tjetër e festojmë edhe më të gëzuar me fitoren e zgjedhjeve

25-10-2012 / Gazeta 55

Krerët e shtetit i bashkohen urimeve për festën e Kurban Bajramit


Kryeministri Sali Berisha uroi sot besimtarët myslimane për festën e Kurban Bajramit. “Është një ditë e shënuar, për t’ju uruar të gjithë besimtarëve të Zotit, këtë ditë të madhënueshme të sakrificës për të mirën, ditën e Kurban Bajramit, ditën që i kujton çdo njeriu se sakrifica është themeli i të gjitha mirësive njerëzore e kombëtare, ditë që frymëzon mirëkuptim, dashuri, respekt e tolerancë”- tha kryeministri në urimin e tij. Shefi i ekzekutivit vizitoi selinë e komunitetit mysliman ku u prit nga Kryetari i Komunitetit Mysliman shqiptar Haxhi Selim Muça dhe përfaqësues të tjerë të këtij komuniteti. Duke uruar gëzuar këtë ditë, kryeministri shprehu nderimin më të madh për udhëheqësit shpirtëror të Komunitetit Mysliman shqiptar dhe të të gjitha komuniteteve të tjera fetare, të cilët, me një mençuri të madhe, me një përkushtim të madh dhe besim të pakufishëm te Zoti, po konsolidojnë gjithnjë e më shumë traditën, trashëgiminë, thesarin më të çmuar të kombit shqiptar, respektin e ndërsjellë për besimin e njëri-tjetrit, tolerancën fetare, dëshmi kjo e një qëndrimi të pashembullt qytetar të besimtarëve shqiptarë. Sikurse, kryeministri Berisha uroi dhe për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. “Edhe njëherë, uroj gëzuar dhe uroj që Kurban Bajramin tjetër ta festojmë më mirë, më gëzuar, me një fitore të re të merituar”- përfundoi ai.


Nishani: Kurban Bajrami shënon një moment solemn


Presidenti Bujar Nishani me rastin e Kurban Bajramit ka uruar sot me një mesazh të gjithë besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku punojnë dhe jetojnë. “Përzemërsisht ju shpreh urimet më të mira me rastin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit, ditë e cila shënon një moment solemn për çdo besimtar mysliman në shprehjen e cilësive më të larta të Islamit! Në këtë ditë të bekuar lutjet dhe falënderimet zënë vend në çdo sofër besimtari, ndërsa virtyte të bamirësisë, mirëdashjes, dhembshurisë dhe dashurisë për njerëzit, sidomos tek ata më në nevojë,  ringjallet tek secili qytetar”, shkruhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani. Në këtë mesazh, kreu i shtetit e ka cilësuar festën e sotme si një pjesë integrale të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë. “Me tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që na karakterizon në shekuj, ne i përcjellim njëri-tjetrit urimet më të ngrohta e të ndjera për mbarësi, mirësi e begati në familje, në jetë. Ky është një tregues i përkushtimit tonë për vlerat më të larta njerëzore, çfarë na fisnikëron si popull, promovon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në shoqëri, si dhe konsolidon përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme të ndritur, për një të ardhme, të cilën ne e shohim të projektuar si pjesë e familjes së madhe evropiane, tek e cila afrohemi me vlera dhe trashëgimi kombëtare dinjitoze. Paçi ngaherë në familjet tuaja shëndet, gëzim, paqe, begati e mirëqenie!" thuhet ne mesazhin e urimit te presidentit”, thuhet më tej në këtë mesazh.


Topalli: Kurban Bajrami ka në thelb sakrificën


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka uruar sot të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit. “Gëzuar festën e Kurban Bajramit për të gjithë. Kjo është festa sakrificës dhe e begatisë. Urimi shkon për të gjithë ata që sakrifikuan për këtë vend dhe bënë të mundur që vendi ynë të jetë i lirë. Me gjithë zemër uroj gëzuar festën e Kurban Bajramit. Është festa e humanizmit”, theksoi Topalli.


Basha: Është zgjidhur çështja e pronësisë së xhamisë


Kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. “Dua të jap një lajm të mirë për të gjithë besimtarët myslimanë se është zgjidhur edhe çështja e pronësisë për ndërtimin e xhamisë. Është arritur edhe një marrëveshje me pronarët dhe kështu i hapet rrugë ndërtimit të xhamisë. Kjo është një festë e cila përkujton disa virtyte por unë dua të ndalem tek solidariteti njerëzor, për kujdesin për më të vegjlit, për më të moshuarit, për më të vobektit. Kjo të jetë një moment reflektimi për të gjithë ne dhe për udhëheqësit politik të vendit që të shohin më shumë për interesat e vendit dhe jo interesave partiake”, vuri në dukje kryebashkiaku Basha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›