E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Maturës, sivjet non-stop, zgjat 24 orë

TIRANE - Tani nuk mund të quhet më vetëm “mbrëmja e maturës”, sepse një pjesë e mirë e maturantëve do të festojnë mbarimin e shkollës së mesme nga mëngjesi në darkë. Planet për festën e maturës, nxënësit kanë filluar t’i bëjnë prej kohësh, mirëpo këto ditë po dalin informacionet e para për organizimet që po bëhen. Risia e sivjetshme ishte e padëgjuar deri më sot në Shqipëri. Grupe maturantësh “modernë” kanë menduar që të kalojnë bashkë 24 orë duke festuar.
PLANI
Nga informacionet që na kanë dhënë nxënës të ndryshëm, kemi arritur të kuptojmë pak a shumë planin e tyre. Festa fillon që në mëngjes, ku nxënësit do të mblidhen të gjithë bashkë për të udhëtuar drejt vendit të përzgjedhur. Zakonisht janë zgjedhur resorte ose hotele që ndodhen pranë detit. Dita vazhdon me plazh dhe lojëra në shoqërinë e njëri-tjetrit, për të vazhduar me drekën e thjeshtë në restorant. Më pas, fillon përgatitja për momentin kulmor, mbrëmjen. Nxënësit kanë marrë me vete veshjet e përzgjedhura për këtë mbrëmje dhe mësohet se shpenzimet për to kanë qenë goxha të majme. Vajzat përveç fustanit klasik, do të kenë me vete edhe një veshje tjetër casual, pak më të rehatshme për orët e vona. Mbrëmja fillon me darkën në restorant, dhe vazhdon me kërcim dhe pije deri në orët e para të mëngjesit. Festa e maturës mbaron të nesërmen, ku të gjithë do të kthehen për në shtëpi.
MËSUESIT
Zbuluam se jo të gjithë mësuesit ishin dakord me këtë mënyrë të re festimi. Shumë prej tyre kanë preferuar të vazhdojnë të festojnë me metodën tradicionale duke u bashkuar me nxënësit, vetëm në mbrëmje. Kjo zgjedhje e mësuesve thuajse për të gjithë nxënësit ishte shumë e mirë, pasi siç thotë ata: “Do të donin të rrinin lirshëm”.
PRINDËRIT
Edhe për prindërve, “moda e re” e mbrëmjes së maturës nuk është se u ka pëlqyer shumë. Nxënësit na treguan se një pjesë e madhe, nuk u kanë dhënë leje fëmijëve të tyre për të festuar në këtë formë. Për pasojë, ata që nuk arrijnë të marrin leje nga familjarët. Njësoj si mësuesit do t’u bashkohen festës vetëm në mbrëmje.
SHPENZIMET
Për çudi, festa 24-orëshe nuk është se kërkon një shpenzim shumë më të madh se një mbrëmje e thjeshtë. Kjo, sepse hotelet dhe resortet ofrojnë enkas për këtë ditë paketa që përfshijnë të gjitha, me një vlerë të kënaqshme. Shifrat konkrete ende nuk arritëm t’i zbulonim, por sipas nxënësve, vetëm me mbrëmje do harxhonin gati njësoj, e do kënaqeshin më pak. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›