Festa e Pashkëve, Berisha: Ringjallja e Krishtit, ringjallja e shpresës për shqiptarët

Kryeministri Berisha ka uruar sot të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve. Pas vizitës në Kishën Ortodokse Autoqefale ku u takua me kryepeshkopin Anastas Janullatos, Berisha theksoi se kjo është dita e ringjalljes së shpresë së pashuar për shqiptarët. “Është një ditë e shenjtë, dita e ringjalljes së Krishtit, dita e ringjalljes së shpresës së pashuar, dita e përjetësisë. Prandaj në këtë ditë dua të përcjellë urimin tim më të përzemërt për të gjithë besimtarët ortodoks, besimtarët e krishterë dhe të gjithë besimtarët e Zotit. Iu uroj mbarësi dhe shumë gëzime në këtë ditë të veçantë. Uroj që Pashka tjetër të na gjejë edhe më mirë. Ta festojmë në katedralen e re”- theksoi Berisha.
Ai ka theksuar më tej se shqiptarët kanë motivet më të mëdha se kushdo tjetër për t`u falur Zotit pasi ne jemi një komb i rilindur dhe sepse besimet tona janë të rilindura pas regjimit komunist. “Asnjë komb tjetër nuk pati fatin tonë të izolohej në thellësi, në errësirat më të thella, të privohet nga besimet dhe shpresa. Këto 20 vite janë vite të rilindjes së vërtetë të shqiptarëve, të besimeve të tyre të mëdha”- shtoi Berisha.
Në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Berisha vlerësoi lart figurën e Fan Nolit. “Në tërë historinë e tyre shqiptarët do të kenë Fan Nolin, kryetarin e kishës autoqefale shqiptare dhe njërin prej personaliteteve të mëdha të letrave shqiptare por edhe diplomatin e parë i cili bëri gjithçka për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë. Ne jemi në këtë 100 vjetor pasi kemi kaluar një kalvar të vërtetë zhvillimesh, vijmë të pavdekshëm si komb. Duhet të falenderojmë zotin më shumë se të gjithë të tjerët”- tha më tej kryeministri Berisha.