Berisha kthehet nga vizita që u bëri trupave shqiptare në Afganistan

Berisha: Angazhimet në operacionet e NATO-s, kanë sjellë një cilësi të re të FASH - do vazhdojmë kontributin në Afganistan
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha sapo është kthyer nga një vizitë dyditore që u bëri trupave të Forcave të Armatosura Shqiptare në Afganistan, që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s, ISAF. Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH), Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi. Kryeministri Berisha u takua me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul. Kryeministri vizitoi Bazën e Përparuar Operacionale në Spin Buldok në Kandahar, ku është vendosur edhe kontingjenti i Forcave Speciale Shqiptare “Eagle 4” dhe pati një takim shumë të përzemërt me efektivin e kompanisë “Eagle 4”. Në ditën e dytë, Kryeministri u takua me efektivin e kontingjentit të FARSH në Kamp Arena, në Herat. Kryeministri u shprehu ushtarakëve tanë mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë dhe popullit shqiptar për përfaqësimin me dinjitet të lartë të Shqipërisë, në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në mbështetje të popullit afgan. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha zhvilloi takime edhe përfaqësuesin civil më të lartë të NATO-s në Shtabin e ISAF, ambasadorin Simon Gass, me Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Asistencës, njëkohësisht Komandant i Forcave Amerikane në Afganistan, Gjeneral John Allen, komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore Gjeneral Brigade Luigi Chapperini, Zëvendëskomandantin e Komandës Rajonale Jugore Gjeneral Majorin Javier Cabeza. Kryeministri Berisha falenderon me mirënjohje Komandën e NATO-s në Kabul, komandot e njësive të saj në Spin Buldok, Kandahar, Komandën e ISAF në Herat, qeverinë turke, Forcat e Armatosura të SHBA-së dhe Italisë për lehtësimet e jashtëzakonshme që krijuan në realizimin e plotë të kësaj vizite.
Berisha: Angazhimet në operacionet e NATO-s, kanë sjellë një cilësi të re të FASH
Kryeministri Berisha u takua me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul. Berisha i përgëzoi ata përmbushjen me dinjitet dhe profesionalizëm angazhimet e tyre në kuadër të misionit të tyre në Afganistan, si dhe u përcolli edhe përgëzimet e vlerësimet më të larta të NATO-s dhe komandës së ISAF-it. Kryeministri vlerësoi se angazhimet e përbashkëta të Forcave të Armatosura Shqiptare me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, me ushtrinë e SHBA-së si në Irak kanë sjellë një cilësi të re për Forcat tona të Armatosura. “Kjo veprimtari në fushë betejë është gjithashtu një aset shumë i çmuar, për të përballuar me sukses vështirësitë që krijohen në Shqipëri e në çdo vend, shpesh herë të ngjashme e më të egra se vetë lufta”, u shpreh Kryeministri, duke sjellë në vëmendje përballimin me sukses të disa fatkeqësive natyrore që ka kaluar vendi në këto tre vitet e fundit, ku “vendosmëria, gjakftohtësia, aftësitë e kompetencat e njësive të Forcave të Armatosura kanë qenë përcaktuese”. Kryeministri Berisha i njohu më tej ushtarakët tanë edhe me reformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe zhvillimet në Shqipëri.
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në këtë takim:
“Është kënaqësinë e veçantë për mua, t’ju takoj sot, këtu, në Kabul, t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, t’ju sjell nderimin e vlerësimin e madh të qeverisë, mbarë vendit e mbarë qytetarëve shqiptarë, të familjeve tuaja dhe të të gjithë shqiptarëve për misionin e rëndësishëm dhe fisnik që ju kryeni këtu, në kuadrin e angazhimeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjithashtu, ju shpreh mirënjohjen time, sepse në një hark kohor të shkurtër, ju keni krijuar një reputacion, një emër shumë të mirë në Komandën e ISAF dhe kudo që jeni.
Në samitin e Lisbonës shkurtimisht bisedova me Gjeneralin Petraeus, i cili në atë kohë ishte Komandant këtu dhe ai u shpreh me vlerësimet më të larta për ushtarakët shqiptarë me detyrë në Afganistan. Po kështu, Komandanti John Allen, në bisedën telefonike që pata me rastin e rënies në krye të detyrës së Kapiten Feti Voglit, shprehu vlerësimet më të mira për ju.
Ne jemi anëtarët më të rinj të NATO-s këtu, bashkë me trupat kroate, por në proporcion me kombin dhe të ardhurat, ne kemi një nga prezencat më të larta. Ne do të qëndrojmë këtu, deri sa të qëndrojnë Shtetet e Bashkuara. Është në meritën e Forcave tona të Armatosura, në meritën tuaj që ju ndodheni këtu, në të gjitha formacionet, në komanda, në OMTL, në ekipe shëndetësore, por edhe në rol ushtarak e në të gjitha rolet e tjera. Ne do ta vazhdojmë këtë mision dhe llogarisim që, në rast se do të ketë zvogëlime, do të ketë role më të rëndësishme, pra, do të ketë një riorientim të forcave tona, gjersa ISAF, NATO dhe SHBA-të të vendosin për t’u larguar nga Afganistani. Para 60 ditësh, ne humbën një njeri të mrekullueshëm, një oficer të shkëlqyer. Natyrisht, këtu është betejë, por mënyra sesi është sjellë njësia jonë në Spin Buldok, në Kandahar, është jashtëzakonisht dinjitoze dhe këto qëndrime kanë pasur vlerësimin më të lartë. Unë do të takoj njësinë tonë në Kandahar, do të fluturoj edhe mbi vendin ku ra Kapiten Feti Vogli. Familja e tij do të donte shumë të ishte me mua, por kjo do të ishte e pamundur. Kështu që në këtë rast, unë po përfaqësoj aty jo vetëm qeverinë shqiptare, por edhe prindërit, bashkëshorten, familjen Vogli. Në Shqipëri, në tërësi, zhvillimet janë pozitive. Dy janë momentet më të rëndësishme. I pari, 100 vjetori i pavarësisë. Të dashur oficerë, nënoficerë e ushtarë, në rast se kthehemi në vitin ’12 të shekullit që shkoi, ato kanë qenë vitet më të vështira për ne. Vite, në të cilat ishin projektuar skenarë nga më të pandershmit e të padrejtët. Por sot, ne jemi anëtar të NATO-s, përfaqësohemi me NATO-n në Afganistan. Nuk ka mënyrë më dinjitoze e shpresëdhënëse të kremtojmë 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, jemi të lirë kudo. Këtu takova ushtarë apo oficerë shqiptarë në njësitë e Maqedonisë dhe jam i bindur se ky 100 vjetor do të shërbejë si një piedestal për të synuar horizonte të reja, të cilat ne i meritojmë. Projekti i dytë më madhor për këtë shekull, pas NATO-s, është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe ne po punojmë intensivisht për të marrë statusin. Anëtarësia në BE kalon në një tërësi standardesh, normash e praktikash që kanë një qëllim të vetëm, t’i bëjë më të lirë, më të mëkëmbur e më të sigurt qytetarët shqiptarë. Ndaj ne po i ndjekim ato me vendosmëri të madhe. Po punohet në parlament. Problemet që kanë ekzistuar kanë marrë tani një zgjidhje dhe punohet normalisht, si në çdo parlament të një vendi pluralist. Ne jemi optimistë të përmbushim detyrimet që janë interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Ato nuk janë detyrime apo tagra që rëndojnë, përkundrazi veçse konsolidojnë të ardhmen dhe europianizimin e mëtejshëm të vendit. Në tërësi, situata është optimiste dhe vazhdojnë projektet në të gjitha fushat. Shqipëria më shumë se çdo vend tjetër ka pasur nevojë për ndryshime, por Shqipëria ka ndryshuar më shuam se çdo vend tjetër dhe janë treguesit që flasin vetë. Edhe një herë shpreh nderimin tim më të madh për ju, vlerësimin më të madh për punën e shkëlqyer që bëni këtu dhe uroj që ta përmbushni me faqe të bardhë këtë mision e të ktheheni shëndoshë e mirë në Shqipëri. Forcat tona të Armatosura vazhdojnë reformat në të gjitha aspektet. E vërteta është se ne do të bëjmë gjithçka për një ushtri jo të madhe, por moderne, të pajisur me të gjitha mjete që i duhen për të përmbushur misionin e saj. Dua të theksoj se këto angazhime të përbashkëta me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, me ushtrinë e SHBA-së, siç ishte rasti në Irak kanë sjellë një cilësi të re për Forcat tona të Armatosura. E vërteta është se ka na ka rastisur realisht në këto 3-4 vite të kemi njëra pas tjetrës fatkeqësi natyrore, por vendosmëria, gjakftohtësia, aftësitë e kompetencat e njësive të Forcave të Armatosura kanë qenë përcaktuese në përballimin e tyre me sukses. Ne patëm këtë vit dimrin më të fortë në 27 vitet e fundit dhe njësitë e Forcave të Armatosura u vendosën në Kukës dhe ndërmorën me dhjetëra e dhjetëra operacione ndihme e shpëtimi. Po kështu vjet, në përmbytjen e jashtëzakonshme që patëm. Pra, kjo veprimtari në fushë betejë është gjithashtu një aset shumë i çmuar, për të përballuar me sukses vështirësitë që krijohen në Shqipëri e në çdo vend, shpesh herë të ngjashme e më të egra se vetë lufta. Më kujtohet vjet, kur kam shkuar tek diga e Torovicës, niveli i ujit ishte 7 metra dhe absolutisht dukej det, por nuk patëm asnjë jetë të humbur, pasi ju bëtë një punë të shkëlqyer në evakuim e në çdo gjë. Nesër do të shkoj edhe në Kandahar e në Herat të takoj shokët tuaj atje, t’i përshëndes. Edhe një herë ju përgëzoj për detyrën që kryeni me shume dinjitet e aftësi dhe uroj të ktheni shëndoshë e mirë e faqebardhë në vend”- tha kryeministri Berisha.
Në Kandahar, atje ku ndodhet i dislokuar kontigjenti “Eagle 4”
Kryeministri Berisha vizitoi bazën ushtarake ajrore të Kandaharit, ku u prit nga Komandanti i Njësisë Shqiptare, Nënkolonel Behar Mara dhe Zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale Jugore Chriss Fields. Kryeministri mori vlerësimet më të larta për përformancën e shkëlqyer të ushtarakëve shqiptare dhe duke shfrytëzuar këtë vizitë, ata i ri shprehën Kryeministrit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së Kapiten Veti Voglit dhe vlerësimin më të madh për të si një oficer dhe mik i shkëlqyer. Nga kjo bazë, Kryeministri Berisha iu drejtua bazës operacionale Spin Buldok në Kandahar, në të cilën ndodhen të dislokuar së bashku me njësitë amerikane edhe kontingjenti “Eagle 4”, i përbërë nga 44 ushtarakë të Forcave Speciale të Republikës së Shqipërisë. Pjesë e këtij kontingjenti ishte edhe Kapiteni Feti Vogli. Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin për misionin dhe zbatimin me sukses të detyrave të rëndësishme që i janë ngarkuar njësisë së tyre gjatë kësaj periudhe, përfshi edhe operacionet anti elementeve talebanë. Në këtë kontekst, Nënkolonel Mara e informoi Kryeministrin edhe për incidetin e sulmit të pabesë të policit afgan, gjatë të cilit ra në krye të detyrës Kapiten Feti Vogli dhe u plagos Tetar Aleksandër Peci, si dhe u plagosën disa ushtarakë të SHBA-së. Kryeministri Berisha i falenderoi ushtaraket shqiptarë të Forcave Speciale, por edhe kolegët e tyre amerikanë, për punën e shkëlqyer dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ata po japin për konsolidimin e sigurisë në këtë rajon jashtëzakonisht të rëndësishëm për misionin e Koalicionit, për të shkatërruar elementet talebanë e terroristë dhe konsolidimin e paqes e sigurisë në këtë vend mik. Në vijim, në mjediset e bazës u zhvillua një ceremoni për nder të vizitës së Kryeministrit Berisha. Gjatë saj, Komandanti amerikan i bazës, Kolonel Johnson theksoi në fjalën e tij se ushtarakët shqiptare të Forcave Speciale “Eagle 4” që shërbejnë në Kandahar janë ndër ushtarakët më të mirë që ai ka njohur gjatë gjithë karrierës së tij ushtarake, të përkushtuar, luajalë e të vendosur. Unë, - tha Kolonel Johnson - ia kam besuar dhe do t’ia besoja jetën time, në çdo moment, këtyre ushtarakëve të shkëlqyer. Koloneli Johnson, duke prezantuar para ushtarakëve amerikanë Kryeministrin Berisha, theksoi se është një nder i jashtëzakonshëm të kemi sot, mes nesh, një figure kaq të spikatur, që prej njëzet vjetësh i është përkushtuar tërësisht, me vizion e vendosmëri, konsolidimit të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Kjo vizite, tha ai, është një inspirim dhe një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ushtarakët që shërbejnë në këtë bazë.
...