E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra, pritje madhështore kampionit të Europës, Erkand Qerimaj

SHKODËR- Bashkia e Shkodrës i rezervoi sot një pritje madhështore peshëngritësit, Erkand Qerimaj, i cili u kthye mesditën e sotme nga Turqia, ku konkuroi në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rritur duke fituar dy medalje të arta dhe një të argjendë dhe duke sjellë në Shqipëri titullin Kampion i Europës, i pari i këtij lloji që fitohet nga një peshëngritës shqiptar në tërë historinë 63 vjeçare të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Autokolona e gjatë e automjeteve me dekorin kuqeblu të Vllaznisë dhe kuqezi të kombëtares së Shqipërisë që ka shoqëruar Qerimaj pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit është pritur me shumë ovacione në qytetin e Shkodrës.

Një numër i madh qytetarësh shkodranë që kishin mbushur sheshin përpara godinës së bashkisë së Shkodrës, kanë festuar për disa minuta me bashkëqytetarin e tyre, Erkand Qerimaj, tashmë me statusin e kampionit të Europës.

Në nder të tij, Bashkia e Shkodrës organizoi një pritje zyrtare në ambientet e saj ku merrnin pjesë edhe drejtuesit më të lartë vendorë, prefektja Voltana Ademi, Kryetari i Qarkut, Maxhid Cungu, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Fatbardh Lohja, etj.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›