E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, fluks emigrantësh në Durrës



Prej disa ditësh ka nisur ardhja e emigrantëve nga vende të ndryshme ku ata jetojnë e punojnë prej vitesh. Nisur nga situata që krijohet nga fluksi i ardhjes së tyre, specialistët e policisë amerikane të cilët monitorojnë portin e Durrësit, kanë mbështetur propozimin e APD-së për përdorimin e kalatave të tjera në funksion të trageteve gjatë ditëve të fluksit të emigrantëve për festat e fundvitit 2009. Kjo, sepse tashmë, APD dhe strukturat e saj kanë rritur ndjeshëm sigurinë në krejt territorin e portit. Në këto kushte të ngjashme me ato të porteve të tjera evropiane, kompanitë e lundrimit kanë vendosur të kryejnë nga dy dhe ndoshta tre udhëtime në ditë, sepse infrastruktura portuale i përgjigjet këtij fluksi, pasi kalata e trageteve ka kapacitetet e nevojshme për përballimin e këtij arsenali mjetesh lundruese. Gjithashtu, janë marrë masa për rritjen e numrit të sporteleve si dhe të efektivave policore dhe të atyre doganorë.

Duke nisur nga data 3 deri me datën 30 dhjetor 2009, numri i trageteve në portin e Durrësit është dyfishuar, pasi kompanitë e lundrimit do të kryejnë nga dy dhe ndoshta tre udhëtime në 24 orë në mënyrë që të përballojnë fluksin e emigrantëve të cilët kanë prenotuar bileta për në Durrës me rastin e festave të fundvitit. Më pas ata do ta përsërisin këtë intensitet lundrimi edhe gjatë periudhës 4 janar deri me datën 10 janar 2010, kohë kur emigrantët do të kthehen nëpër vendet ku janë rezidentë. Për këtë qëllim agjencitë detare si “Venturis Ferries” , “Ilion Line”, ”Riviera Adriatica”, “Europian Way” dhe “Penelope” kanë nisur dyfishimin e trageteve drejt Italisë e portit të Durrësit. Ky numër tragetesh do të thotë që në portin e Durrësit në çdo orë të ditës do të ketë mjete në proces përpunimi. Vetëm në fundjavë zbarkuan me tragetet e linjës me Barin rreth 1600 automjete dhe rreth 4600 persona. Nga ana e saj policia ka marrë masa për shtimin e sporteleve të shërbimit. Drejtori i Policisë Kufitare, Naim Manuka, tha për “standard”: “Që nga data 1 dhjetor e kemi kaluar efektivin në shërbim të përforcuar, për përballimin e fluksit dimëror të emigrantëve do të shërbehet në 16 sportele, ndërkohë kemi kryer instruktazhet me efektivat policorë si dhe kemi freskuar në kompjutera listat e personave në kërkim ndërkombëtar, kjo nëpërmjet bashkëpunimit me policitë homologe”. Të njëjtat masa ka marrë edhe dogana e Durrësit për përballimin e fluksit dimëror të emigrantëve. Por duke u nisur si nga moti i keq si ashtu dhe nga numri i madh i trageteve, agjencitë e lundrimit, policia dhe dogana kanë deklaruar se “terminali i trageteve e përballon këtë fluks pasi kapaciteti i tij tashmë nuk është i vogël”. Burime nga porti i Durrësit bëjnë me dije se APD propozoi përdorimin e kalatave të tjera për ankorimin e trageteve dhe propozimi u pranua nga specialistët e policive të huaja, që monitorojnë portin e Durrësit. Porti i Durrësit ka sot një siguri tepër të lartë, falë instalimit të një rrjeti të sofistikuar mikrokamerash dhe pajisjesh të tjera ndihmëse, që zbulojnë edhe lëvizjet më të vogla të cilitdo që tenton abuzimin apo kalimin e paligjshëm nga sportelet dhe postblloqet.

Durrësi, rrezik nga ndërtesat

Specialistët e ndërtimit në Durrës, urbanistët dhe arkitektët japin alarmin se një ditë të bukur edhe në Durrës mund të ngjasë katastrofa. Kjo, pasi, sipas tyre, ka një numër të madh ndërtesash të ndërtuara përgjatë kodrave të Durrësit të cilat rrezikojnë të shemben për shkak të formacionit të rrëshqitshëm e terrenit të ndërtimit të tyre, pa projekte inxhinierike. Po ashtu, edhe dega e ALUIZNI-t, dega e Durrësit, pas një studimi të kryer në shtator 2009 skualifikoi një numër të madh prej këtyre banesave nga procesi i legalizimit. Kodrat e Durrësit, të cilat shtrihen në një vijë prej 7 kilometrash, përbëhen nga formacione toke të krijuara nga shtresa dheu të butë dhe të pastabilizuar, të cilat krijojnë vështirësi për ndërtime, e megjithatë përgjatë kodrave, pas viteve ’90 e në vazhdim janë ndërtuar rreth 4 mijë banesa pa leje.

Durrësi ka të evidentuara rreth 100 shtëpi banimi e pallate, të cilat kanë pësuar dëmtime të strukturës së tyre, të cilat manifestohen me çarje muresh dhe me deformime të konstruksionit të tyre. Ato ndërtesa ndodhen përgjatë kodrave të qytetit dhe lagje të ndryshe të tij. Sistemi kodrinor zgjatet nga qendra e qytetit dhe përfundon në Porto Romano. Shtëpitë janë pjesë e numrit gjigand të ndërtimeve pa leje të ndërtuara pas viteve ’90 në Durrës. Sipas një vëzhgimi të realizuar nga Agjencia e Legalizimit, më të rrezikuarat janë ndërtesat e ngritura përgjatë faqeve të kodrave pasi bazamentet e tyre janë të pastabilizuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›