Rama hap kutitë e plehrave
Pasi i kanë shterur të gjitha mundësitë teorike për të bredhur rrugëve, Edi Rama po i kthehet protestës kalendarike për të fajësuar Kryeministrin Sali Berisha se përse la që të mbarohet dhjetori e i dha leje të vijë janarit të vitit 2010. Kur Edi Ramës iu ngatërrua filli në një tender, sepse nuk po e fitonte ai që kishte paracaktuar vetë, për të mirëkuptuar leverdinë e përbashkët, diçka se një vit më parë, Tirana fatkeqësisht u pushtua nga plehrat dhe ngjante si një thertore e pasluftës që ngujoi mijëra qytetarë, të cilët këmbën e parë sa dilnin nga dera e hidhnin mbi plehra. Ai qëndronte papërkulur ndaj pastërtisë së munguar, duke mos ia fërshëllyer fort heqjes së plehrave, a thua ndihej më mirë me mjerimin e punës së pakryer prej tij dhe produktin e mendjes së trazuar. Historisë iu deshën javë të ndryshojë, në fakt, reagimi ka qenë disi i vonuar dhe nga Partia Demokratike ndaj kësaj sjelljeje të pakultivuar të kreut të pushtetit lokal që për një tender desh u bë plehërdashës.
Duke u kthyer te protesta e radhës së tij, të shtunën ai mblodhi bashkiakët socialistë duke i urdhëruar që të merrnin plehra me vetë këtë herë, ndryshe fati i punës së tyre nuk do kishte lajme të mira. Motivi që kërkon misionari ka rënë poshtë deri te plehrat, e kjo ka futur shumë sëkëlldi tek ndjekësit. Kjo ngjarje që provon krizë lideri dhe formati, të sjell në kujtesë sërish një ngjarje me plehra ku bashkiaku i kryeqytetit është personazh. Mjegulluar me sindromën e hapjes së kutisë, të cilën e ka bindje se nuk ndodh, Rama ka anashkaluar në kutihapje, pavarësisht se brenda këtyre qeseve ka vota, makarona apo plehra sipas rastit që ndodh me adresën që ai përcjell si slogan. Shembja e Ramës të shtunën ofroi dhe dyshime të mëdha për mbështetësit që kanë sakrifikuar për ideale që nuk kishin menduar afërmendsh se do shndërroheshin në punëtor ngarkim-shkarkimi për të bartur mbetje nga Sharra në qendër, se kështu dashka i pari i tyre. E kjo sepse pushteti vendor paska mbetur aq hollë nga lekët sa nuk ka financë të pastrojë qytetin, ndaj bashkiakët në hall dje para Kryeministrisë mbulonin kokën kur hidhnin qeset përdhe. Tentativa e Ramës që të irritonte policët, që po bënin detyrën që duhet të bënte ai vetë, dështoi, sepse fundja qesetransportuesit nuk po dinin si të silleshin me këtë dëshirë të kryetarit të Partisë Socialiste. Tashmë ai ka dalë nga mundësia e të kontrolluarit të racionalizimit të aksioneve politike dhe ka dëshirën e vetme që të rrijë gjithë ditët rrugëve, sepse kështu po nëpërkëmb deputetët duke u tjetërsuar çdo gjë që ata përfaqësojnë dhe bërë pis votën e atyre që kanë thënë po për opozitën muaj më parë.
Nëse ka një rubrikë të veçantë ku kryebashkiaku ndihet i dobët në skaj për të marrë vesh se çfarë ndodh, është pikërisht fusha e ekonomisë, ku ai e ndien veten jashtë loje dhe e kapërcen me një togfjalësh: Kriza Ekonomike. Llogaritë e tij në këtë sektor janë drejt analfabetizmit dhe arroganca e shpie gjithnjë në hesape që kryhen vetëm në tavolinë në dialog Cash, aty ku ai rikuperon jo pak në bisedime monetare. Padija e tij që rend nga manipulimi para mikrofonit u thërrmua vetëm me katër-pesë fjali të deputetit demokrat Florion Mima që me një thjeshtësi profesionale shpjegoi grackën që Rama kishte vetëgatuar dhe ligjin e propozuar që nuk ka pranuar ta votojë. Atë ligj që përcakton skemën, pikërisht për taksat e vendorëve dhe për sjelljet financiare të biznesit me pushtetin lokal e qendror, kur xhiroja kalon apo jo 5 milionë lekë. Duke mos gjetur përse reale, duke mos mundur dot të bindë qytetarë me atë që kërkon, Rama gjendet gjithnjë nën presionin e rrezikut e brendshëm të Partisë Socialiste, që, me sa duket, po përgatitet të reagojë me një katarsis që do ta sjellë në vendin e saj të merituar. PS nuk qëndron gjatë në një gjendje të turbullt për hatër të asnjë kryetari dhe ka dëshmuar se ka palcë kurrizi të ringjallë veten. Ajo që duket para ekraneve nuk është asnjëherë e plotë, nuk është gjithnjë e vërteta që ne përpiqemi të mësojmë. Partia Socialiste që ka në brendi emra vërtet politikëbërës, profesionistë, të rinj apo diçka më tepër, mezi po mbushet me ajër nga dallditë e basketbollistit. Ai, si i paqenë në fushën e lojës, dështuar në zanatin e dytë të pikturës, emëruar nga të tjerë kryetar partie, po sososhanset që iu dhanë dhe po dëshmon se duhet ndërruar nga të vetët, ndonëse ditët që kanë nisur numërimin mund të tkurren pas ca kohësh. Në tavolina informale edhe ata që publikisht për konspiracion partie e mbrojnë Ramën, të thonë të kundërtën duke artikuluar lodhjen partiake që ka mbjellë kryetari i mbetur në detyrë që s’po bën asnjë detyrë. Po të shkosh më tutje dhe të dëgjosh dialogët që ata janë të detyruar të dëgjojnë kur reagojnë jashtë tekstit të tij, atëherë të kap frika se kush drejton në opozitë.
Po përse protestat nuk ndalohen nga Rama dhe ai gjen çdo pretekst për të mbledhur sadopak njerëz, para Kryeministrisë, në modelin e tij të shpikur miting për së gjati, që të bllokojë sadopak trafik dhe tërheqë vëmendje e kamera, sepse ndryshe hija e braktisjes do ta veshë shpejt.
Një paralele aspak ironike vjen nga matanë detit, ku kanë nisur protesta ndaj Kryeministrit Berlusconi dhe kërkesa është largimi i shefit të qeverisë. Zhurma ka qenë periferike dhe herë më parë në vendin fqinj, por tashmë pas një deklarate të të penduarit të mafies, zërat kanë dalë grumbull në një shesh për të zyrtarizuar thirrjen. Kjo erdhi vetëm dy-tri ditë pasi një anëtar i mafies deklaroi në një gjykatë të Torinos se udhëheqësi italian ka lidhje me krimin e organizuar, akuzë që zoti Berlusconi e hedh poshtë. Në Tiranë shpeshtësia e tubimeve që po zverdhen e rrallohen në përbërje të Ramës, vjen pas miratimit të ligjit antimafie të votuar në Parlament nga mazhoranca, pas denoncimit të Kryeministrit për kupolën që ka fituar 750 milionë euro në kohë të shpejtë. Dhe nuk mungojnë dy javë nga botimi në fletoren zyrtare që ligji të bëhet funksional e të bjerë mbi subjektet e tij. Kjo e detyron Ramën që me gjithë thirrjet brenda partisë që janë shtuar, si dhe kërkesat e përditshme të ndërkombëtarëve, për të ndalur ecejaket rrugëve, të vazhdojë të qëndrojë me shpresën që meqë s’po hyn vetë në Kuvend, të nxjerrë shumicën jashtë. Shpresëkotë, ai do të vazhdojë të qëndrojë derisa të mbetet vetëm në shesh, derisa të jetë çadra e fundit që qëndron në bulevard. E atëherë ai do të protestojë kundër Kryeministrit Sali Berisha se përse e lejoi dhjetorin të mbarojë e la janarin të vijë. Kjo mund të jetë protesta e fundit e Ramës, që nuk e bashkëngjit me Partinë Socialiste dhe socialistët. Deri atëherë nuk do t’i kujtohen kutitë e votimeve të 28 qershorit dhe do Zoti të harrojë dhe qeset e plehrave që e kanë vendin në Sharrë dhe jo aty ku dëshiron të ngrejë çadrën e eremitit kryebashkiaku në hall.