Festat e fundvitit, paralajmërohen masa të reja

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se po vlerësohen masat për periudhën e festave. “Jemi para periudhës së festave kur padyshim presim te rriten shkëmbimet, ndërveprimet dhe është një situatë delikate për ecurinë e epidemisë në vend. Ndaj ekspertët tanë po vlerësojnë me shumë vëmendje situatën, për masat që do të nevojiten, të palëkundur nga misioni i punës sonë të përditshme, që është mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, tha Manastirliu.
Duke folur për kapacitetet për përballimin e pandemisë, ministrja Manastirliu tha se do të vijojë rritja e kapaciteteve, duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente dhe kapaciteteve spitalore ku përmendi investimin e ri të spitalit infektiv për ta kthyer në një qendër ekselence të sëmundjeve infektive. “Jemi duke vlerësuar në dinamikë situatën dhe në ndërkohë po vijojmë me investimet në sektor për të siguruar Planin e Dimrit si dhe vazhdimit të rritjes së kapaciteteve qoftë sa i përket testimit dhe gjurmimit me shtimin e aparaturave të reja në ISHP, shërbimit të Urgjencës Kombëtare, ku një flotë e re prej 20 autoambulancash do të bëhet efektive brenda këtij viti duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente si dhe kapacitetet spitalore, ku bëjmë të mundur dhe fillimin e investimit në spitalin infektiv, të një investimi mbi 4 milionë euro për ta fuqizuar e për ta bërë një spital modern dhe qendër ekselence të sëmundjeve infektive. Paralelisht pavijonet e përgatitura në spitalet rajonale vijojnë të jenë në gjendje gatishmërie për t’ju përgjigjur çdo skenari të hapjes së tyre për trajtim të plotë të rasteve të pacientëve COVID”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,253,886 vaksinime. Mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anti-COVID.