Festat e fundvitit rrisin çmimet
Afrimi i fundvitit ka sjellë rritje çmimesh në Kukës, duke vënë në vështirësi shumë familje. Nga rreth 1800 familje të skemës së ndihmës ekonomike nga shteti, rreth 350 jetojnë në mjerim ekstrem. Ditët e fundit bashkia ka shpërndarë për të gjitha familjet e skemës ndihmën që u takon në masën 9 mijë lekë, por kjo shumë, siç tregojnë disa prej familjarëve që e kanë përfituar, është tepër e ulët për të blerë artikujt e festës.
Një grua 40 vjeçe, e cila rrit 4 fëmijë pa baba, thotë se 9 mijë lekëshi ishte shpenzuar para se të merrej. "I kisha borxh që të gjitha dhe prapë borxh do të marr për të blerë ndonjë gjë për Vitin e Ri", tregon ajo. Përveç familjeve me jetimë, që llogariten të jenë rreth 130, edhe një numër familjesh me prindër të sëmurë e të papunë jetojnë mjerimin ekstrem. Në tregun e fruta-perimeve artikuj të rrallë të prodhimit të Prizrenit ruajnë çmim të arsyeshëm, apo thënë ndryshe siç ishin para dy muajsh. Të tilla janë lakrat, preshi, specat etj. Por patatet e vendit, si edhe të gjitha frutat dhe perimet e tjera janë rritur me më shumë se 20%. Madje ka produkte që janë rritur nga 70 deri 100%. Buka dhe mishi janë nga artikujt e paktë që nuk kanë pësuar rritje çmimi.
S.D.