E Diel, 1 Nëntor 2026

Papajani: Verifikim çmimeve abuzuese në tregje

Brenda një jave çmimet e artikujve kryesorë të konsumit kanë pësuar një rritje deri në 40 për qind. Këtë fakt e pranon dhe vetë Drejtoria e Tatimeve, megjithatë deri tani nuk është bërë asnjë ndërhyrje deri në verifikimin e situatës. Tregtarët ia kalojnë fajin njëri-tjetrin (i madhi tek i vogli dhe anasjelltas). "Investigimi ka nisur me kohë dhe do të vijojë deri në orët e pasdites të datës 31 dhjetor. Më pas do të bëhen krahasime me çmimet e muajit nëntor", tha për "Shqip" drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani. Rritje të çmimeve ka pasur kryesisht për mallrat e importit, shkaktuar nga forcimi i euros, që gjatë ditës së djeshme pati rritje me 2 lekë. "Ky është njëri ndikim. Por nëse shikon me kujdes, bie në sy se supermarketet kanë çmime më konkurruese se tregtarët e vegjël që shesin anash rrugës. Pra, një pjesë e spekulimeve ndodh tek i vogli dhe tek i madhi, pra shumica", vë në dukje kreu i tatimeve.

Pothuajse në çdo fundvit, kur njerëzit nxitojnë të shpenzojnë tej normales shikohet një tendencë e rritjes së çmimeve. Dje, pothuajse në të gjitha pikat e pakicës 1 kg mandarinë e gjeje me 120 lekë dhe askush nuk e lëvizte çmimin. Specat kishin kapur nivelin e 270 lekëve, rrushi 300 lekë, kastraveci me 240, domatja me 140 lekë etj. Rritje të çmimit ka pasur edhe te produktet e mishit, sidomos i gjelit të detit, ushqimi më i përdorur për festat e fundvitit.

Tatimorët japin garanci se kush ka abuzuar me çmimet do ta paguajë me taksë shtesën në xhiro. Sipas tyre, askush nuk i shpëton skemës së taksimit, sidomos tani që për 5 milionë lekë që kalon xhiron, mund të kthehesh direkt biznes me taksën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Fenomeni i rritjes së çmimeve vjen edhe si efekt i kërkesë-ofertës në treg. Përqendrimi i madh i kërkesave për produkte në tri ditët e fundit të festave detyron tregtarët të rrisin çmimet si reagim ndaj sasisë që ka në dispozicion. Po të vihet re, në datat 1 dhe 2 janar rikthehet situata normale e çmimeve.

a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›