BB: Drini mund të shfrytëzohet më mirë
Përmirësimi i hidrocentraleve të mëdhenj ekzistues, shoqëruar me termocentrale dhe me eksporte, janë opsioni më ekonomik për prodhimin e energjisë elektrike në të ardhmen, bëhet e ditur nga një studim i Bankës Botërore mbi sistemin energjetik shqiptar dhe pasojat e ndryshmeve të pritshme klimaterike.
Sipas studimit, Shqipëria duhet të ndërtojë kapacitete më të mira për parashikimin e motit dhe prurjeve të lumit Drin jo vetëm në territorin shqiptar, por edhe në Maqedoni e Kosovë, në mënyrë që të programojë më me leverdishmëri prodhimin dhe eksportin e energjisë elektrike nga këto hidrocentrale, ndërkohë që termocentralet nevojiten për të pasur siguri energjetike.
"Opsionet më ekonomikë për Shqipërinë janë përmirësimi i
hidrocentraleve të mëdhenj ekzistues dhe hidrocentraleve të vegjël në periudhën afatmesme, ndjekur nga ndërtimi i
hidrocentraleve të rinj të vegjël dhe termocentraleve", thotë studimi i përgatitur nga ekspertë shqiptarë e të huaj.
Shqipëria mund të zhvillojë (në vend) ose të sigurojë (nga diku tjetër) parashikimet mbi motin dhe klimën, të përshtatshme për planifikimin në sektorin energjetik, që përfshijnë parashikime afatshkurtra (1-3 ditë), parashikime afatmesme (3-10 ditë), parashikime rajonale dhe projeksione rajonale të ndryshimeve klimatike. Ky informacion mund t‘i mbështesë grupet e interesuara të sektorit energjetik të ndërmarrin vlerësime të përbashkëta
të rrezikut të klimës, si për burimet e përbashkëta ujore ashtu dhe për rrjetet rajonale të energjisë, si dhe të bien dakord për hartimin e strategjive për menaxhimin e vulnerabiliteteve dhe rreziqeve të identifikuara klimatike", thotë më tej studimi.
Zmadhimi i hidrocentraleve
Hidrocentralet u ndërtuan në të gjithë botën si rezervuarë që duhet të grumbullojnë shiun e dimrit për ta përdorur në verë. Përdorimi i hidrocentraleve në këtë mënyrë, ul rentabilitetin e shfrytëzimit të ujit për prodhim të energjisë. Në shumë vende të zhvilluara, hidrocentralet janë zmadhuar, në mënyrë që të prodhojnë sa më shumë energji në një periudhë sa më të shkurtër kohore. Energjia e hidrocentraleve hidhet në rrjet në oraret e konsumit të lartë, kur çmimi është gjithashtu i lartë dhe rentabiliteti i përdorimit të ujit është më i mirë. Roli i hidrocentraleve shqiptare si rezervuarë është shtuar shumë gjatë dekadës së fundit, gjë që ka sjellë edhe ulje të fortë të rentabilitetit të tyre. Llogaritet se hidrocentralet e Drinit mund të prodhojnë deri në 6-7 miliardë kilovat orë në vit nga 4 miliardë që prodhojnë aktualisht, në rast se ndryshohet skema e shfrytëzimit. Por që të funksionojë kjo skemë, një vend ka nevojë për burime alternative energjie si termocentralet apo importet.
Ekspertët e Bankës Botërore vlerësojnë se në të ardhmen, edhe hidrocentralet e Drinit, që sakaq konsiderohen të mëdhenj, mund të përshtaten për të prodhuar më shumë përmes investimeve në teknologji të re apo zmadhimit të tyre.
Gj. Erebara