E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është sëmurë këto dy javë, është prekur me AH1N1

Për të gjithë ata që kanë dyshime nëse janë prekur nga AH1N1, mund ta vendosin shpirtin në paqe...
Të paktën sipas studimit epidemiologjik të kryer nga strukturat shëndetësore, kush ka qenë sëmurë këto dy javë, ka gjasa të jetë prekur nga gripi i derrit. Kjo nuk është e prerë me thikë, megjithatë, sipas specialistëve, këto dy javë është vërejtur ulje e fluksit të të prekurve nga gripi stinor dhe rritje të qarkullimit të virusit të gripit të derrit.
"Ka ulje të qarkullimit të virozës së stinës, ndërkohë që kemi rritje të qarkullimit të AH1N1. Kryesisht këto dy javë shumica e pacientëve janë prekur nga gripi i derrit dhe jo nga ai i zakonshëm. Aktualisht kemi ulje të të prekurve nga gripi, por rritje të pacientëve të prekur nga format e rënda të gripit. Stafi i mjekëve, sidomos në Tiranë, është i predispozuar për t‘i ndihmuar këto raste të rënda, megjithatë ajo që me të vërtetë do të na ndihmonte në këto kohë, është përdorimi i tamiflusë", tha Pëllumb Pipero. Sipas tij, gjendja e krijuar pak kohë më parë e shtimit të të prekurve nga gripi i zakonshëm është qetësuar.
Mbyllja e shkollave, marrja e pushimeve për shumicën e qytetarëve, mendohet se do të sjellë edhe uljen e fluksit të të prekurve nga virozat apo gripi.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, këtë muaj kemi një rritje të infeksioneve respiratore krahasuar me javën paraardhëse.
"Ajo çka vihet re është se nga tetori kemi një rritje të
menjëhershme të infeksioneve respiratore, e cila flet për qarkullim intensiv të një virusi që shkakton epidemi.
Numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore akute vërehet në moshat fëminore", thuhet në buletinin informativ të ISHP-së lidhur me situatën e gripit në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›