Festat e fundvitit, shpërblime vetëm për Policinë, KPA, Komisionerin Publik dhe KPA

Këshilli i Ministrave vendosi sot që administrata publike të mos ketë shpërblim për festat e fundvitit.
Sipas këtij vendimi, përjashtim nga ky vendim bëjnë punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Qeveria miratoi një ndryshim në vendimin “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”.
“Përjashtimisht për vitin 2021, fondi i veçantë i njësive të qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve”, thuhet në vendim.
Ky përcaktim nuk zbatohet për punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Sipas tij, “masa e shpërblimit nuk tejkalon nivelin e një page mujore”.
“Efektet financiare për shpërblimin e punonjësve të sipërpërmendur përballohen nga fondi për pagat e personelit, për institucionet e përmendura në këtë pikë, miratuar në buxhetin e vitit 2021”, thuhet në vendim.