E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gati memorandumi i punës, ja përfitimet

Të martën do të nënshkruhet në Tiranë memorandumi për punësimin. Marrëveshja është pjesë e Forumit Ekonomik të Shkupit, sipas të cilit do të mundësohet zero minuta vonesa në kufi nga viti 2023, një leje pune vitin e ardhshëm dhe lëvizje e lirë e mallrave etj.

Takimi i së martës në Tiranë synon pikërisht marrëveshje për qarkullim e lirë në tregun e punës, që do të thotë mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit.

Ekspertët thonë se zhvillimi ekonomik i një vendi lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me produktivitetin e fuqisë punëtore. Shqipëria nuk ka ende një emigracion në mënyrë të organizuar, nuk ka bërë një studim paraprak, ku të përcaktoheshin qartë nevojat për fuqi punëtore, sipas sektorëve dhe më pas të përzgjidheshin vendet me aftësi më të mira në këto fusha. 

Por Shqipëria është vendi që, në ndryshim nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ka një ligj europian për të huajt, që është miratuar dhe është në fuqi. Qeveria shqiptare është duke e vlerësuar seriozisht zëvendësimin e fuqisë punëtore, duke lehtësuar së fundi procedurat e pajisjes me vizë dhe leje qëndrimi. Këtij qëllimi i shërben edhe marrëveshja gati për firmosje.

Tani, kur krahu i lirë i punës po shkon drejt tkurrjes së shpejtë, importi i të huajve po bëhet në kushtet kur Shqipëria ka një papunësi ende të lartë. Teksa ekonomia zgjerohet vit pas viti dhe forca e punës po tkurret, punësimi është rritur me terma më të përshpejtuar se vitet paraardhëse. Në të gjithë Europën, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve, me rreth 25%, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim. Përtej përmirësimeve të qëndrueshme, Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme në sigurimin e punësimit të sigurt dhe produktiv.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa ndryshime ligjore, të cilat synojnë lehtësimin e marrjes së vizave dhe qëndrimin për arsye pune në Shqipëri.

Por edhe pse ka kaluar një vit nga miratimi i ligjit, mosdalja e udhëzimeve i ka bërë të pazbatueshëm këtë ligj. Deri sot, sjellja e një punonjësi të huaj në Shqipëri kërkon deri në 6 muaj kohë, ndërsa nëse ligji i ri do të ishte zbatueshëm, procesi do të kërkonte vetëm dy javë.

Me marrëveshjen tre palëshe që nënshkruhet në Tiranë dhe letrën e hapur të krerëve të shteteve të sipërmërmendura, që fton edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të nënshkruar këtë akt, synohet edhe dhënia e të njëjtave përfitime për hyrjen në tregun e punës, të shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi,  Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Me ligjin “Për të huajt” në Shqipëri gjen zbatim leja e integruar, ose leja unike, që do të thotë se leja e qëndrimit dhe leja e punës bëhen një dokument i vetëm, një kartë biometrike. Kjo shërben edhe për shqiptarët, serbët dhe maqedonasit, që do të dëshirojnë të punësohen në vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›