Shqipëria vendos sistem informatik për monitorimin e trafikut të mjeteve lundruese

Shqipëria vendos për herë të parë sistemin informatik për monitorimin e trafikut të mjeteve lundruese (VTMIS) që siguron monitorimin e trafikut të anijeve.
Për këtë nismë, ka nisur procedura për konsulentin që do të ndjekë nga afër zbatimin e planit si dhe aspektet teknike.
Në dokumentet e publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, citohet se, sistemi i ri është si një zgjerim i shërbimit të trafikut të anijeve (VTS), në formën e një mbikëqyrjeje të integruar detare.
Sipas detajeve të projektit sistemi duhet të mbulojë Portin e Durrësit (Rrjeti i Portit Bërthamë), ku duhet të vendoset sistemi kryesor, plus portet e tjera ku duhet të instalohet shërbimi i trafikut të anijeve, ndërsa i gjithë informacioni përkatës jepet në Studimin e Përditësuar të Fizibilitetit.
“Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e Adriatikut që ende nuk ka krijuar VTMIS, duke e bërë atë një prioritet të menjëhershëm dhe me rëndësi parësore, për të lehtësuar dhe përmirësuar trafikun detar ndërkombëtar, për të përmirësuar monitorimin e trafikut, për të rritur sigurinë detare, sigurinë dhe mbrojtjen e detit, mjedisin, të përmirësojë reagimin e autoriteteve ndaj incidenteve, aksidenteve ose situatave potencialisht të rrezikshme në det, duke përfshirë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit”, thuhet në dokument.