Festat e fundvitit sjellin njohje të reja për Kosovën

Qeveria e Kosovës ka marrë sinjale se më shumë njohje do të vijnë në kohën e festave të fundvitit. Sipas të përditshmes "Koha Ditore", Panamaja besohet të jetë shteti i radhës që pranon Kosovën. "Ne kemi sinjale se do të ketë më shumë njohje para Krishtlindjeve", i ka thënë kësaj gazete një burim që ka folur në kushte anonimiteti. Tash për tash nuk pritet ndonjë njohje nga vendet arabe-muslimane, të paktën për Bajram. Rexhep Boja, dekan i Fakultetit të Studimeve Islame ka thënë se këto vende janë të zëna me haxhillëk e me Bajram dhe nuk kanë kohë të mendojnë për Kosovën. Megjithatë, besohet se në valën e re të njohjeve do të bëjnë pjesë Omani, Jemeni e Arabia Saudite të cilët kanë premtuar se do të lëvizin përpara. Ndërsa, sipas KD-së, ato mund të pasohen nga shtete të Karaibeve, Mozambiku, Timori Lindor etj.