Festat nuk e dobësuan euron
Të ardhurat që erdhën nga emigrantët në këtë fundvit nuk arritën të dobësojnë monedhën evropiane, euron. Monedha evropiane vazhdojnë të qëndrojë në ato kuota që ishte pothuajse në gjithë ditët e dhjetorit të vitit të kaluar, në këmbim me monedhën vendase, lekun, 135-136. Ekspertët e banking-ut shprehen se kjo ka ndodhur për shkak të rënies së prurjeve të parasë nga emigrantët, pasi kriza globale ka dhënë ndikimin e vet në vendet ku ata punojnë e jetojnë, kryesisht në vendet e eurozonës. Janari i këtij viti të ri 2010 ka treguar se euro qëndron e fortë përballë lekut, monedhës shqiptare, duke e lënë atë të dobësuar. Raportet e lekut si ndaj euros, ashtu edhe ndaj dollarit, kanë ndryshuar ndjeshëm në harkun e një viti. Kështu në 3 dhe 4 janar të këtij viti leku është me 135 ose 135.5 euro në blerje, ndërkohë që në ditën e fundit të vitit pikat e këmbimit monetar e shkëmbyen atë edhe më shtrenjtë. Ndërsa sa i takon monedhës amerikane, leku po shkëmbehet zyrtarisht në ditën e dytë të vitit me 93.3 dollarë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndryshimet janë të ndjeshme. Një vit më parë një euro këmbehej me 122.8 lekë dhe një dollar me 87.7 lekë. Ndërsa krahasuar me dy vite më parë, raportet e këmbimit janë edhe më të përkeqësuara në disfavor të lekut. Në janar 2008, dollari e kishte vlerën 82.5 lekë, kurse një euro 122 lekë. Euroja gjatë këtij viti tregoi një pozicion tepër të fortë, madje kërcënues ndaj lekut. Në vjeshtën e vitit të kaluar, euro arriti të këmbehet deri me 140 lekë, duke arritur një kuotë historike në vendin tonë. Forcimi i euros ka dhënë efektet e veta në importe, gjë është përcjell në tregjet me pakicë, ku për pasojë janë rritur çmimet e produkteve. Veç kësaj, forcimi i euros dhe dobësimi i lekut jep një efekt negativ për të gjithë kredimarrësit, që kredinë e kanë në monedhën evropiane, euro. Të gjitha këta kredimarrës duket të paguajnë disa herë më shumë për këstin mujor të kredisë, duke menduar se pagën të gjithë e marrin në lekë.