KESH:Do të hapim portat nëse Fierza arrin kulmin
Deri mbrëmë, niveli basenit të HEC-it të Fierzës ka qënë në 292.8 metër. Nëse arrin në 296 metër që është edhe niveli maksimal pritet hapja e portave kryesore
Prurjet e e ujit në kaskadën e Drinit vazhdojnë të jenë në nivele kërcënuese. Sasia e madhe e ujërave të mbledhura në basenin e Hidrocentraleve më të mëdha të vendit, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejes vazhdon të mbajë në gjendje alarmi strukturat shtetërore ndërsa parashikimet meteorologjike flasin për reshje të dendura edhe në ditët në vijim.
Mësohet se të tre këto HEC-e janë duke punuar me kapacitet maksimal ndërsa vazhdon derdhja e kontrolluar e ujit për shmangien e çarjes së digave të cilat do të sillnin pasoja fatale për një numër të madh banorësh në këto zona por edhe për të gjithë vendin.
Sipas të dhënave më të fundit nga Korporata Elekroenergjetike Shqiptare, niveli i basenit të HEC-it të Fierzës deri dje në mbrëmje ka arritur 292.8 metër ose 3.2 metra nga niveli i saj maksimal çka do të bënte të pashmangshme hapjen e portave të emergjencës.
Ndërkohë, derdhja e ujit ka vazhduar me nivele të larta gjatë gjithë këtyre ditëve. KESH raporton se, dje në mbrëmje nga portat e HEC-it të Fierzës janë derdhur rreth 620 m³/sek duke ulur nivelin e liqenit me nga 30 centimetër për çdo orë.
Me gjithë derdhjen ne masë të ujit, duke shkaktuar përmbytje në Shkodër e Lezhë situata vazhdon të paraqitet kërcënuese. Shërbimi Meteorologjik parashikon një shtim të mëtejshëm të reshjeve gjatë ditëve nbë vazhdim duke rritur edhe më tej nivelin e ujit në kaskadën e Fierzës e cila deri më tani ka paraqitur një situatë më të rënduar në krahasim më të tjerat.
Burime zyrtare të KESH, bëjnë të ditur se nëse uji arrin në nivelin maksimal 296 metër, është e pashmangshme hapja e portave të emergjencës për të kryer shkarkim masiv të ujit.
Dukë parë situatën e tanishme, ku në pjesën veri-perëndimorë te vendit, reshjet e mëdha dhe shkarkimet ujit nga HEC-et kanë përmbytur një numër të konsiderueshëm banesash, një hapje e portave të Fierzës do të zgjeronte disa herë hartën e përmbytjeve në këto zona.
Krahas shkatërrimeve dhe përmbytjeve, reshjet e shumta gjatë ditëve të fundit janë bërë shkak edhe për zhvillime pozitive. Korporata Elekroenegjetike e Shqipërisë, konfirmon se ka një shtim të ndjeshëm të sasisë së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vendit ndërsa një pjesë e konsiderueshme eksportohet jashtë.
Për momentin Shqipëria eksporton 5.2 milionë kW/h në ditë, ndërsa rreth 6 milionë të tjera janë duke u depozituar në Kosovë për t'i përdorur në rast të mungesës së energjisë elektrike. Në fakt, më shumë se me situatën e mirë hidrike të vendit, shitja e 5.2 milionë kË/h energji elektrike në ditë është përcaktuar që muajin e shkuar nga qeveria shqiptare me dy kompani të huaja.
Gjatë tenderit të hedhur në ditët e fundit të dhjetorit, KESH ka paracaktuar të shesë rreth 164 milionë kË/h gjatë këtij viti drejt vendeve të rajonit si, Greqia, Mali i Zi dhe Serbia.
Beqja: Qeveria, e paaftë në menaxhimin e përmbytjeve
TIRANË- Partia Socialistë ka akuzuar qeverinë për paaftësi në menaxhimin e situatës së shkaktuar nga përbytjet në zonat e Lezhës dhe Shkodrës.
Duke përmbledhur të gjitha emergjencat civile që kanë nisur nga muaji shtator, deputeti Ilir Beqja theksoi se qeveria vetëm bën bilance dhe premtime që asnjëherë nuk realizohen. Në deklaratën e tij për shtyp deputeti i qarkut Shkodër, kërkoi nga organet hetimore të zbardhin ku kanë shkuar investimet në Lezhë të vitit 2006.
Gjatë fjalës së tij Beqja akuzoi qeverinë se ka importuar energji elektrike edhe pse niveli i kaskadave të HEC-ve në fillim të muajit nëntor ka qënë i kënaqshëm. "Askush nuk merr guximin të tregojë sa ka qenë niveli i liqeneve të hidrocentraleve në fillim të nëntorit.
Sali Berisha i fsheh këto lajme sepse shqiptarët do të kuptojnë se për interesa të oborrit të familjes në pushtet ka vazhduar të importohet edhe pse liqenet kanë patur ujë mbi nivelet e mjaftueshme", -tha ai duke shtuar se situata që banorët e zonave të përmbytura po kalojnë nuk është për faj të kapricove të motit por nga paaftësia e qeverisë Berisha.
Mëhilli: Përbytjet u përballuan me sukses
TIRANË- Partia Demokratike reagoi dje ndaj akuzave të deputetit lir Beqja në lidhje me menazhimin e situatës së përmbytjeve në vend duke i cilësuar ato si të pavërteta. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, theksoi se organet përgjegjëse e përballuan me sukses situatën duke bërë që përmbytjet të shkaktojnë dëme minimale.
"Ju informojmë se reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën në dhjetëra e dhjetëra herë prurjet në lumenjtë e Matit, Drinit të Zi, Drinit të Bardhë e degëve të tyre, në lumin e Gashit, Valbonës, Currës dhe në lumin e Shalës u përballuan me dëmet më minimale.
Kjo së pari për shkak të angazhimit total para dhe mbas natës së ndërrimit të viteve nga autoritetet lokale dhe qëndrore për menaxhimin e situatave emergjente dhe së dyti nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumin e Matit, në atë të Drinit, Kirit e Vjosës, të cilët përballuan vërshimet e papara të këtyre lumenjve gjatë dhjetë ditshit të fundit", - tha ajo.