Festat, rikthehen radhët e emigrantëve në dogana

Festat e fundvitit kanë bërë që një numër i madh emigrantësh të rikthehen në atdhe për ti festuar. Burime nga dogana e Kakavijës kanë bërë të ditur se për 24 orët e fundit kane hyrë nëpërmjet kësaj dogane 13 mijë shtetas, 3 mijë automjete, ndërkohë që janë vërejtur radhë nga pala e doganës greke të cilat shkojnë në 1 kilometër e gjysëm. Sipas burimeve nga pala shqiptare shkak është bërë mos funksionimi me kapacitet të plotë i doganës greke . Burime nga dogana e Kakavijës bëjnë të ditur se pala shqiptare po punon me kapacitet të plotë duke hapur 7 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, por problemi si gjithnjë paraqitet nga ana e doganës greke, që aktualisht funksionon vetëm me dy sportele. Por, fluks emigrantësh është vërejtur edhe në doganën e Kapshticës në Korçë. Kështu burime nga kjo doganë bëjnë të ditur se mbi 6 mijë shtetas dhe 1500 mjete kanë hyrë në 24 orët e fundit në këtë pikë doganore . Situata nuk krahasohet me Kakavijën, por autoritetet doganore thonë se pritet që numri të rritet gjatë orëve ne vazhdim. Ndërkohë që edhe kjo dogane po punon me kapacitet të plotë.