E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festë me sherr në Qerret, plagoset lehtë 24-vjeçari

23/06/2009  Mes alkoolit nis grindja që përfundon në përleshje

TIRANE- Përsëri fshati Qeret është kthyer në qendër të vëmendjes. Këtë herë nuk është shënuar vrasje, por radha ka kaluar me një plagosje të lehtë. Shkak i këtij krimi, i cili pason fill pas dy vrasjeve të bujshme që kanë ndodhur në këtë fshat, ka qenë një sherr banal midis dy personave që ishin mbledhur në një festë që organizohej nga një i afërmi i tyre. Lidhur me këtë ngjarje, e cila sipas policisë së Kavajës ka ndodhur tre ditë më parë është arrestuar shtetasi Lulëzim Kërçuku, 24 vjeç lindur dhe banues në Golem të Kavajës. Arrestimi i tij u bë nga shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë, pasi tre ditë më parë në fshatin Qerret Kavajë, dyshohet se në banesën e një shtetasi, pas një konflikti për motive të dobëta, ku i arrestuari ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të disa të afërmve të tij. Burimet pranë komisariatit të Kavajës thanë se nga të shtënat e armës tip “Çifte” kanë marrë plagë të lehta disa shtetas që ndodheshin në ato momente aty. Mësohet se këta persona ishin ftuar nga pronari i shtëpisë, i cili kishte organizuar një drekë për ta. Gjatë gëzimit dhe konsumimit të pijeve alkoolike shtetasi i arrestuar Lulëzim Kërçuku ka debatuar me disa persona të tjerë që ndodheshin afër tij. Nisur nga kjo situatë, fillimisht debati ka nisur me fjalë dhe më pas ka degjeneruar në përplasje fizike mes tyre. I ndodhur në këto kushte, 24-vjeçari Kërçuku, ka hyrë në ambiente e shtëpisë nga ku ka marrë edhe çiften. Me këtë të fundit ai ka qëlluar në drejtim të personave të afërm, por fatmirësisht saçmat e çiftes nuk ka qenë fatale për jetën e tyre. Menjëherë pas këtij akti kriminal Kërçuku është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u prangosur dy ditë më pas. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi çiften tip “Churchill”. Ndërkohë që ndaj 24-vjeçarit u ngrit akuza “vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë”dhe “armbajtës pa leje të armëve të gjuetisë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›