E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nota e rishikuar publikohet pas 15-30 ditësh

23/06/2009  Ankesat e maturantëve të pakënaqur me vlerësimin e parë mblidhen për rikorrigjim

Shkollat grupojnë maturantët sipas lëndëve për konsultimet e provimeve me zgjedhje

Maturantëve të pakënaqur me rezultatet e arritura në provimin e letërsisë do t’u duhet të presin një kohë të gjatë për të mësuar rezultatin e ri, që do të jepet pas rikorrigjimit të tezës së provimit. Sipas procedurës së përcaktuar në rregulloren e provimeve të këtij viti, theksohet se këta kandidatë për të mësuar rezultatin e ri do të duhet të presin jo pak, por 15-30 ditë që nga koha kur Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve do të marrë përsipër rishikimin e tyre. Edhe pse nuk janë publikuar zyrtarisht të dhënat e plota në lidhje me ankesat e paraqitura, pohohet se janë të shumta kërkesat për rishikim të pikëve. Procedura përcakton që AVA-ja tashmë do të rishikojë një e nga një të gjitha testet për të cilat ka pasur pakënaqësi për rezultatet e vendosura gjatë korrigjimit të parë. Aktualisht janë ngritur grupet e reja të vlerësimit, që do të merren me korrigjimin për së dyti të testeve për të cilat është kërkuar rishikimi.

Provimet me zgjedhje

Maturantët që janë vlerësuar pozitivisht në dy provimet e detyruara gjatë këtyre ditëve duhet t’u drejtohen shkollave të tyre të mesme, ku do të bëhen konsultimet për provimet me zgjedhje. Konsultimet për këto lëndë do të zhvillohen të grupuara në bazë të lëndëve që maturantët kanë plotësuar në formularin A-1 që në muajin mars. Të përjashtuar nga e drejta e dhënies së këtyre provimeve do të jenë të gjithë ata kandidatë që kanë preferuar të ndjekin studimet e larta pranë Akademisë së Arteve, asaj Sportive apo shkollave të tjera artistike. Këta të fundit do t’i nënshtrohen testimit special, që do të zhvillohet në faza të caktuara gjatë muajit korrik. Vlerësimi që do të jepet për pjesën speciale të konkursit do të jetë dhe rezultati përfundimtar, që do të diferencojnë kandidatët fitues nga ata jofitues sipas kuotave të përcaktuara.

Rishikimi

Po e njëjta procedurë animimi do të ndiqet edhe për testet e matematikës. Dorëzimi i këtyre ankesave duhet të bëhet pas publikimit të rezultateve të vendosura nga vlerësimi i parë. Kështu, çdo kandidat pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA-ja rivlerësim të testit të tij. Për këtë brenda 4 ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit ai paraqet pranë komisionit të shkollës së tij një kërkesë dhe mandatarkëtimin e pagesës së një tarife, e cila arrin rreth 16 mijë lekë. Pasi grumbullohen të gjitha këto kërkesa, ato dërgohen në drejtoritë arsimore dhe brenda një afati prej 7 ditsh këto të fundit duhet t’i dorëzojnë në AVA, ku bëhet rivlerësimi i tyre nga një tjetër komision vlerësuesish, të ngritur posaçërisht për këtë rast. Rivlerësimi bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke vazhduar të jenë të sekretuara me barkode testet që rivlerësohen.

Rishikimi i testeve

Për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore për të cilin maturantët do të ankohen për parregullsi, një komision i posaçëm do të marrë përsipër rishikimin e testeve pas dorëzimit të ankesave nga vetë maturanti. Do të jenë po të njëjta procedura që do të ndiqen nga vlerësuesit e rinj për rishikimin e rezultatit që kanë kundërshtuar maturantët. Megjithatë, përveç faturës financiare të larta që maturantët kanë derdhur për të zyrtarizuar procedurën e rishikimit të testit, ata duhet të presin edhe një kohë të gjatë për të parë rezultatin që do të dalë nga korrigjimi i dorës së dytë. Rregullorja përcakton se nxjerrja e notave të ndryshuara do të bëhet në një afat kohor 15-30 ditë pas dorëzimit të ankesës.

Sezoni i vjeshtës

Një numër i konsiderueshëm maturantësh në të gjithë vendin nuk do të kenë mundësi të futen në provimet me zgjedhje (që janë vendimtare për pranimet në universitete), pasi janë klasifikuar mbetës në dy lëndët e detyruara. Këta të fundit mund të paraqiten vetëm në sezonin e vjeshtës për të rimarrë provimet e detyruara, ndërsa e drejta e studimeve të larta u mbetet për vitin që vjen. Hartimi i testeve përfundimtare për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e dytë bëhet nga persona të përcaktuar me urdhër të brendshëm të drejtorit të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Në ambientet e kësaj të fundit do të bëhet gjithashtu edhe shumëfishimi e paketimi i testbroshurave që do plotësohen nga maturantët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›