E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, kryefamiljari nga Mirdita tenton të hyjë në ambasadën e SHBA

SHKRUAN: Habjon Hasani 29-11-2011 13:26

Mbërritja e Zef Kolës dhe fëmijëve në orën 03:00 të mëngjesit në ambasadën amerikane alarmon personelin. “Nuk kërkova azil, doja të takoja Arvizunë, që të ndërmjetësonte një takim me Berishën”

Ambasada amerikane është vendosur në gjendje ‘alarmi” në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur katër anëtarët e një familjeje kërkonin pranë portës hyrëse të takonin me çdo kusht ambasadorin Aleksandër Arvizu. Duke menduar se ishte rasti për ndonjë familje që kërkonte azil politik dhe nisur nga tensioni i katër “vizitorëve”, rojet e sigurisë së ambasadës kanë njoftuar menjëherë efektivët e Komisariatit nr.1 në kryeqytet, ndërsa kanë përforcuar portat hyrëse të godinës. Familjarët Kola tentuan të hyjnë në ambientet e ambasadës në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm, por nuk u lejuan. Pas tentativës për të hyrë në ambasadë, familjarët u dërguan në Komisariatin nr.1 të kryeqytetit. Pikërisht në komisariat ata kanë bërë të ditur problemin e tyre dhe autoritetet shqiptare mësuan arsyet e kësaj ngjarjeje të pazakontë. Pak orë pas ngjarjes, kryefamiljari Zef Kola deklaroi për mediat se familja nuk ishte duke kërkuar azil politik, por po mundohej të sensibilizonte nëpërmjet ambasadës organet qeveritare për zgjidhjen e një problemi pronësie. Kryefamiljari Zef Kola tregoi se familja e tij ka probleme prej 11 vitesh me një familje në fshatin Konj të komunës Fan të Mirditës, ku edhe banon. “Ditën e shtunë në darkë, Ded Toci, Ardian Loshi bashkë me vëllanë e tij kanë shkuar në shtëpinë time duke gjuajtur me gurë. Një ditë më pas kanë rrahur gruan dhe 2 vajzat e mia”, - deklaroi dje Kola, duke kërkuar ndihmën e autoriteteve. Kryefamiljari tha për mediat se kundërshtarët e tij në konfliktin e pronave kanë nisur kërcënimet dhe dhunën mbi familjen e tij. Për këto episode, Zef Kola akuzon dy persona në veçanti, që sipas tij janë Ded Toci dhe Ardian Loshi, duke shtuar se ditën e shtunë këta dy persona kanë kërcënuar dhe ushtruar dhunë mbi familjarët e tij. Për këtë arsye, Kola ka disa ditë që po kërkon të hyjë në kontakt me kryeministrin Berisha, por në pamundësi për të denoncuar pranë Kryeministrit problemin e tij, ai ka zgjedhur që të mundësonte takimin nëpërmjet ndërhyrjes së ambasadorit amerikan. “Kam marrë makinë në dispozicion, taksi, dhe kur e pashë familjen time në atë formë u acarova shumë dhe nga spitali i mora dhe erdha këtu në ambasadë, që të takoja Kryeministrin. Unë i kam çuar Berishës disa herë mesazh në 12:30 të natës, për t’u takuar me të, por ai nuk më ka kthyer përgjigje”, - tha Zef Kola, i cili sqaroi se nuk kishte për qëllim të kërkonte azil, por vetëm ndërmjetësimin e ambasadorit Aleksandër Arvizu për zgjidhjen e problemit të tij. Më tej ai shtoi se pas publikimit të ngjarjes në media nga kryeministria është njoftuar se Kolës i është ofruar një takim me këshilltarin e kryeministrit për çështjet e pronësisë.

Zef Kola: Në ambasadë, se nuk gjej drejtësi

Kryefamiljari nga Mirdita ka shpjeguar arsyet pse iu drejtua ambasadës amerikane në orën 03:00 të mëngjesit, në një kohë kur denoncimet e tij nuk kishin zgjidhur konfliktet

Zef Kola ka shpjeguar arsyet që e shtynë t’i drejtohej ambasadës amerikane, së bashku me fëmijët e tij. Në një intervistë për ‘News 24’, ai pohoi se konflikti vazhdon prej vitit 2000, ndaj edhe kërkon ndërhyrjen e shtetit, që të shmanget një tragjedi e mundshme.

Përse keni tentuar të takoni me çdo kusht ambasadorin amerikan?

Unë e kërkoj këtë se po vuaj përditë nga dhuna në familje. Një burrë që kapet me gra e vajza, nuk është më burrë. Kërkoj drejtësi, pasi nuk po e gjej. Unë kam frikë se Ded Toci dhe Ardian Loshi do më dalin sërish me armë. Nëse policia nuk më ndihmon, unë duhet t’i bie murit me kokë ose të vendos vetëgjyqësi; dy duar për një kokë janë!

Cili është shkaku i konfliktit mes jush?

Ky konflikt vazhdon që në vitin 2000. Kam dashur të bëj një denoncim në shtet për një korrupsion që luhej në Mirditë, por ai më ka kërcënuar, më ka vënë armën në kokë për të tërhequr denoncimin. Ka shkuar viti 2000 e deri viti 2011, por konflikti ka vazhduar. Është lidhur me vëllezërit Loshi, me të cilët më ka marrë arën me zabele komplet; kam kërkuar të sqarohem, nuk më ka dhënë asnjë lloj sqarimi, por më ka thënë “unë të bëj zbor ty”. Si përfundim i çova ndërmjetës dhe nuk më ka dhënë zgjidhje. Në 3 tetor, në 10 të natës më ka prerë mbi 1500 tuba në tokën time. I preu dhe më ka kërcënuar duke më thënë “unë të vras”. E denoncova në shtet, policia nuk mori asnjë masë.

Ju punoni në Malin e Zi?

Ika në Mal të Zi, ku punoj prej 11 vjetësh në Bashkinë e Ulqinit. Krasis bimët dhe pemët e qytetit. Mbas dy ditësh kur pashë dëmtimet, kanë dalë ata të tre dhe më kanë rrahur dhe më kanë gjuajtur me pistoletë për të më trembur. E denoncova sërish dhe asnjë veprim s’u bë. Më preu zabelet, më kërcënoi sërish dhe nuk i hyn gjemb në këmbë.

Denoncimi publik, policia arreston Tocin

Pak orë pas publikimit të lajmit se Zef Kola tentoi të hynte në ambasadën amerikane për të zgjidhur konfliktin e nisur që në vitin 2000, policia e Mirditës ka arrestuar personin e akuzuar prej tij. Drejtori i policisë së Lezhës, Muharrem Furriku bëri me dije se, pas denoncimit publik është arrestuar Ded Toci, nga fshati Konj i Mirditës. Pas arrestimit, i akuzuari për agresion është dërguar në dhomat e paraburgimit, ku është marrë në pyetje për konfliktin me Zef Kolën dhe për dhunën e ushtruar ndaj familjarëve të këtij të fundit. Edhe pse i arrestuari ka mohuar dhunën, policia ka përfshirë në dosje raportet mjeko-ligjore të bashkëshortes dhe vajzave të Zef Kolës, duke ia referuar këtë çështje Prokurorisë së rrethit. Policia e Lezhës bën me dije se Kola nuk i kishte thënë kujt se do të shkonte në ambasadën amerikane, por veçse do të tentonte të takonte kryeministrin Sali Berisha për këtë problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›