Festimet, Berisha çel siparin e 100-vjetorit të Pavarësisë
TIRANË Përmes një koncerti festiv të titulluar “Flaka e Jubileut”, mbrëmë në Teatrin e Operas dhe Baletit, kryeministri Sali Berisha ka çelur siparin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Me pishtar në dorë, Berisha ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e kësaj dite, ku i pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha dhe përfaqësues të qeverisë. “Flaka e Jubileut” do të qëndrojë e ndezur dhe do të shëtisë në çdo qytet e zonë të vendit, deri në 28 nëntor të vitit që vjen. “Viti i 100-vjetorit të Pavarësisë, para së gjithash është një vit i madh mirënjohjeje të thellë për qindra e mijëra gra e burra, vajza e djem shqiptarë që flijuan jetën, rininë e tyre, që ne të jemi të lirë, që Shqipëria të mbetet përjetë e re. Është mirënjohje ndaj miqve tanë kudo në botë, që në momente kritike për historinë tonë kombëtare qëndruan krah nesh dhe ne fituam. Është mirënjohje për të gjithë ata shqiptarë që me mundin, djersën dhe intelektin e tyre në këto vite bënë që Shqipëria të vijë në 100-vjetorin e saj më e zhvilluar, më krenare, më e mirë se kurrë”, - tha Berisha. Vetëm 30 minuta më pas, kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur nga një tjetër ambient festiv, ai në sheshin “Nënë Tereza”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, si dhe nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, kryeministri Berisha u bë pjesë e këtij koncerti duke kremtuar atë që ai e cilësoi si aktin më madhor të historisë sonë kombëtare, Shpalljen e Pavarësisë. “Sot ne nisim vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Janë 100 vite udhë dhe shtigje të vështira, 100 vite rrebeshe të mëdha historike, por 100 vite në të cilat rinia e këtij vendi, në çdo rrethanë dhe çdo kohë u bë shpëtimtare e saj. Sot ne kremtojmë ditën e të gjitha ditëve të mëdha, aktin më madhor të historisë sonë kombëtare, aktin që bëri të mundur që shqiptarët të jenë sot të lirë në Tiranë, në Prishtinë dhe kudo që janë. Shqipëria hyn në 100-vjetorin e Pavarësisë së saj, më e mençur, më e zgjuar, më e fuqishme, më e re, më e bukur se kurrë në historinë e saj. Shqipëria sot ka fytyrën tuaj, shpirtin tuaj, zemrën tuaj, vizitonin tuaj”, - tha mbrëmë Berisha. Kryeministri i vendit ishte i pranishëm edhe në pritjen shtetërore të organizuar nga Presidenti i Republikës, në Pallatin e Brigadave.