Topi: Partitë ndoqën axhenda vetjake, të mësojmë nga e kaluara
Topi në pritjen shtetërore: “Ky është një rast i mirë për të bërë brenda nesh një bilanc politik, për të mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe për të fituar kthjelltësinë e duhur për ecje më të shpejtë përpara”.
TIRANË Në praninë e kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar dje në 99-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, se gjatë këtij viti forcat politike shqiptare vendosën axhendat e tyre partiake mbi atë kombëtare. Në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave, ku mungonte lideri i opozitës, Edi Rama, për shkak të vizitës së tij në Kosovë, Topi theksoi se partitë politike harxhuan energji të pafundme për një debat joproduktiv. “Referuar aktualitetit politik, gjatë këtij viti u shënua progres, sidomos në rritjen e angazhimit dhe pjesëmarrjes qytetare e civile në proces zgjedhor dhe në debatet publike. Krahas tyre u harxhuan energji të pafundme në një debat politik joproduktiv, duke vendosur pa të drejtë, axhenda paralele partiake mbi ato publike e kombëtare. Ditët dhe javët e fundit politika është kthyer përsëri në institucione dhe në tryezën e dialogut. Shpresa dhe inkurajimi im, ashtu si i shumicës qytetare në këtë vend, është që arsyeja dhe përgjegjësia të dominojë mbi çdo interes tjetër politik, për t’i dhënë shoqërisë dhe shtetit shqiptar, pa vonesë dhe me cilësinë e duhur, reformat, klimën dhe rezultatet e duhura, që sigurojnë standardet e integrimit në Bashkimin Europian”, - tha mbrëmë Topi. Për këtë arsye, në pikënisje të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Presidenti i Republikës ka kërkuar ecjen përpara duke mësuar nga gabimet e së kaluarës. “Sot ne nisim festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe ky është një rast i mirë për të bërë brenda nesh një bilanc politik, për të mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe për të fituar kthjelltësinë e duhur për ecje më të shpejtë përpara. Natyrisht, 100-vjetori jubilar do të marrë të gjithë vëmendjen, nderimin dhe angazhimin tonë, për t’u shënuar me madhështinë që meriton. Përvjetorë të tillë mund të shoqërohen me projekte të shumta politike e qytetare apo me rivlerësime historike. Unë besoj se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë shtetit shqiptar në 100-vjetorin e tij është të punojnë me të gjitha energjitë për ta përsosur modelin shtetëror drejt atij niveli, për të cilin janë sakrifikuar themeluesit dhe më shumë se pesë breza gjatë një shekulli”, - tha Topi. Presidenti i Republikës ka kërkuar forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, sistem funksional të drejtësisë etj. “Kam bindjen se ne kemi fuqinë, forcën dhe të gjitha mundësitë për t’ia arritur këtij qëllimi, - si përgjegjësi e jona përpara interesave madhore të vendit, por edhe si një kthim borxhi që politika u ka qytetarëve”, - tha ai. Më pas, Presidenti i Republikës ka ndjekur ritin e përvitshëm duke tokur gotat me kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ka qenë një përshëndetje e ftohte e tyre, të cilët pas urimit formal u drejtuan secili veçmas tek të ftuarit për të uruar Ditën e Pavarësisë.