E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me Kurtin: “Vetëvendosja” është pasuri kombëtare

Kreu i PS, në ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë takohet me presidenten Jahjaga dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi

“Selia e Lëvizjes Vetëvendosja, një hapësirë plot energji dhe imazhe tërheqëse”, - kështu i ka përkufizuar në ‘Twitter’ kreu socialist, Edi Rama, mbresat që i la takimi që pati me kreun e kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij treditore në Kosovë. Ndërkohë që takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat, kanë qenë vetë dy protagonistët e tij, kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë të përbashkët, ata që kanë bërë publike detaje të bisedës. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se pavarësisht se shumë forca të tjera politike kanë mbajtur qëndrim distancues ndaj Vetëvendosjes, për shkak të qëndrimeve të saj radikale, e ka konsideruar atë si një pasuri kombëtare të shqiptarëve, pa të cilën klasa politike mbarëshqiptare do ishte më e varfër. “Lëvizja Vetëvendosja është pasuri kombëtare. Mendoj se pavarësisht dallimeve mes kësaj lëvizjeje dhe gjithë pjesës tjetër të spektrit politik, jeta politike dhe sociale shqiptare do të ishte shumë më e varfër pa Lëvizjen ‘Vetëvendosje’. Ndërkohë që komunikimi me këtë lëvizje dhe intensifikimi i marrëdhënieve brenda përbrenda i gjithë spektrit politik me të gjitha subjektet politike është një domosdoshmëri”, - tha Rama në fjalën e tij, ndërsa ka gjetur rastin që të bëjë dhe urimin e rastit për festën e Pavarësisë. “Gëzuar festën e Flamurit! Flamuri është i përbashkët, ashtu sikundër edhe kombi është më shumë sesa Shqipëria, më shumë sesa Kosova. Është diçka, për të cilën secili prej nesh ka më shumë për të bërë”, - tha më tej Rama. I pyetur nga gazetarët lidhur me çështjen e Kosovës, Rama u shpreh kundër çdo lloj ideje për ndarje apo shkëmbimi territoresh të Kosovës. “Ne jemi absolutisht kundër çdo lloj politike shkëmbimi territoresh. Për ne është absolutisht e panegociueshme, asnjë copë e territorit shqiptar në Shqipëri apo në Kosovë”, - tha Rama. Edhe gjatë takimit me Kurtin, kreu i opozitës ka ripërsëritur idenë e tij të sanksionuar tashmë edhe në programin e PS-së për të krijuar një sistem të përbashkët arsimor, ku shkollat në të dyja vendet të funksionojnë sipas teksteve të përbashkëta.

Takimi me Presidenten

Urimin e parë të kësaj dite të festës së Flamurit, kryetari i Partisë Socialiste ia ka bërë presidentes konsensuale të Kosovës, Ahtifete Jahjaga, me të cilën bisedoi gjithashtu edhe për çështje të tjera politike dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve. Në këtë takim lideri i opozitës vuri theksin te rëndësia e integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. “Procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm”, - vlerësoi Rama duke u ndalur veçmas në pritshmërinë e shqiptarëve të Kosovës për lëvizjen e lirë. “Shpresoj që liberalizimi i vizave të jetë sa më i shpejtë për shtetasit e Kosovës”, - tha Rama, ndërsa e ka konsideruar fat për shtetin më të ri të Europës faktin që në krye të tij qëndron një grua.

Nga ana e saj, në këtë takim Presidentja e Republikës së Kosovës Ahtifete Jahjaga, përveç urimit që i bëri Edi Ramës për Ditën e Flamurit, shprehu vlerësimin e saj për kontributin e PS-së për nisjen e reformave. “Ju uroj për festën e flamurit, përgëzime për reformat e ndërmarra në zgjidhjen e krizës”, - i tha Jahjaga Ramës.

Me Krasniqin

Kryetari i PS-së, Edi Rama është pritur në një takim të veçantë edhe nga kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen urimet me rastin e festës së Pavarësisë, dhe më pas janë ndalur gjerësisht në çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, si dhe nevojën e unifikimit të sistemit arsimor mes dy vendeve. “Duhet të rrisim një brez me histori të përbashkët dhe me një qasje të përbashkët të historisë në të gjitha trevat shqiptare”, - tha Rama, teksa ka prezantuar edhe para kreut të legjislativit kosovar platformën e PS-së për një sistem arsimor të unifikuar. Takimi i fundit përmbyllës i vizitës treditore në Kosovë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe delegacionit që e shoqëronte, është zhvilluar në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht me nënkryetarin e kësaj force politike, Blerim Shala. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kryetari i PS-së, Rama shprehu dëshirën që kryetari i kësaj force, Ramush Haradinaj të kthehet sa më shpejt i lirë në Kosovë. “Një takim në selinë e partisë që pret, siç pret çdo shqiptar i Kosovës dhe i Shqipërisë, rikthimin e kryetarit me orë të plotë në krye të partisë. Duke iu uruar festën e Flamurit drejtuesve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ne urojmë me gjithë zemër daljen me sukses të procesit që tashmë është në rrugë e sipër për Ramush Haradinajn, dhe kthimin e tij në shtëpi dhe në krye të gjithë anëtarësisë së kësaj partie”, - tha Rama.

Urim në ‘Twitter’ për festën

Kreu socialist, Edi Rama ka uruar dje shqiptarët për festën e Pavarësisë nëpërmjet faqes së tij në ‘Twitter’. I ndodhur në Kosovë në një vizitë treditore, Rama përveç urimeve që ka shkëmbyer me politikanë dhe shtetarë kosovarë, nuk ka harruar që një urim ta shpërndajë edhe në faqen ‘Twitter’, ku ndërmjet të tjerave uronte “Gëzuar të gjithëve”. Ndërkohë që në ditën e tretë të vizitës së tij, Rama është takuar me drejtues të lartë shtetërorë, si presidenten Ahtifete Jahjaga, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›