E Diel, 1 Nëntor 2026

Festival për Ditën e Lirisë së Shtypit

Nuk është vetëm bojkotimi i punës së institucioneve të Kosovës ngjarja e vetme me të cilën do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Lirisë Së Shtypit. Kjo Ditë do të jetë edhe një bashkëpunim paksa më i gjerë se kaq. Një festival, në të cilin do të marrin pjesë artistët kryesorë të gjeneratës së re të krijuesve të medias dhe të kritikëve të Kosovës.

Të enjten (sot), gjashtë organizata të pavarura hulumtuese dhe mediale organizojnë prezantime të ndryshme, debate, filma e shfaqje të blogjeve, eksperimente të mediave të lira, DJ dhe performanca të drejtpërdrejta të grupeve vendore e ndërkombëtare.

Programi, i cili në të njëjtën kohë do të mbahet në ambiente të mbyllura dhe të hapura, do të transmetohet drejtpërdrejt nga disa kanale të mediave elektronike, si Urban FM, Klan Kosova, Kosovo2.0, etj.

Aktivitetet e parapara do të mbahen në Kinemanë ABC dhe në

Bulevardin Nëna Terezë - para Ministrisë së Kulturës, me fillim nga ora 10, dhe do të zgjasin deri në orën 22.

Në mesin e aktiviteteve që vlejnë të përmenden janë: konferenca ‘Zhvillimet dhe sfidat e sektorit të mediave në Kosovë, që mbahet në Kinemanë ABC, me fillim nga ora 10; Tryeza e rrumbullakët "Respektimi i Kodit të Etikës në Kosovë - Warranty Free Press", me fillim nga ora 11:15, në Kinema ABC; Shfaqja e dokumentarit “Në kërkim të lajmit”, që jepet nga ora 14:30, në kinema ABC, etj.

Ndryshe, dokumentari “Në kërkim të lajmit” paraqet një përpjekje për t’iu përgjigjur një grupi pyetjesh që kanë të bëjnë më gjendjen e tanishme të mediave në Kosovë.

Paralelisht, edhe në Bulevardin Nëna Terezë do të ketë organizime të shumta, si: Video Booth i Lirisë së Shtypit (nga ora 13 deri në 18); Debati: Mediat Sociale – Mediat e Lira(17-18), si dhe shfaqja e dokumentarit “Gozno: Jeta dhe Puna e Dr. Hunter s. Thomson” ( Alex Gibney, 2007), që jepet nga ora 20:30.

Në kuadër të Skenës së ‘Urban FM’ do të ketë muzikë nga DJ, si Miri, Berna, Strella, Liri dhe Yllimeg, pastaj koncerti ‘live’ i grupeve prishtinase Pink Metal dhe The Glasses, që fillojnë nga ora 18, respektivisht nga ora 19:30.

Koncertet e skenës së Urgban FM përmbyllen me koncertin e The Ludwig Vans (Helsinki). paraqitjet e tyre të drejtpërdrejta energjetike, fansat fanatik dhe briliant, por edhe kompozimet e bëra në studio, janë vërejtur nga shumë adhurues dhe ‘gjuajtës’ të talentëve dhe të trendëve të reja në muzikë. Muzika që bën ky grup, që është një përzierje mes punk dhe rokut britanik, të shtynë të tundësh duart në ritmin e muzikës ‘groovy’ të viteve të 70’a. Rrënjët e grupit datojnë nga vitet e 90’a, kur këngëtari Antti Toivanen dhe tastieristi Jussi Vahala luanin hitet e kohës,. Atyre më vonë iu bashkua edhe kitaristi Boogiepants MF.

Nga ora 20:20 do të filloj transmetimi direkt i emisionit “Jeta në Kosovë”, i cili i kushtohet lirisë së mediave në Kosovë. Programi transmetohet në RTK.

Festivali i Ditës Botërore për Lirinë e Shtypit organizohet me përkrahjen e Free Press Unlimited dhe të Ambasadës së Mbretërisë Holandeze në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›