E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festival për ditëlindje

Pritet mirë hapja e Festivalit të teatrove të kukullave, i cili në të njëjtën kohë krijohet për nder të 25 vjetorit të themelimit të Teatrit “Dodona” . Deri në datën 24, sa do të zgjasë festivali, do të jepen disa shfaqje nga vendi dhe rajoni. Nga Albana S. Muja më 23 shtator 2011 në ora 15:01

Nata e hapjes se edicionit të parë të Festivalit të Teatrove të Kukullave ka shkuar mirë dhe ka qenë me sukses hapja e festivalit.

Derisa në hapje foli drejtori i Dodonës, Agim Selimi, një fjalim rasti e mbajti edhe Rabije Bajrami e cila është dhe iniciatorja dhe themeluesja e këtij institucioni.

Në fund fare, para se t’i mbetet fjala aktorëve të shfaqjes nga Vlora, “Lumbardha”, foli Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, nën patronatin e të cilit mbahet ky festival, i cili përkrahi idenë e krijimit të një festivali të tillë, si të nevojshëm sidomos për fëmijët, por edhe për kulturën e një vendi, ndërkohë që edhe ndau disa mirënjohje të cilat i dha teatri Dodona, për kontributin e vetë 25 vjeçar, për njerëzit të cilët kanë punuar dhe i kanë ndihmuar këtij teatri.

Në ditën e parë pas hapjes së festivalit u dha shfaqja e teatrit “Dodona” ‘Elefanti i vogël kureshtar’, e cila mblodhi një numër të konsiderueshëm shikuesish.

Sipas menaxherit të ‘Dodonës’, Valdet Rama, shikues të kësaj shfaqjeje kishte si nga ana e fëmijëve po ashtu edhe të rriturit. “Ne jemi përkujdesur që së paku gjysma e sallës të jetë e rezervuar për fëmijë të cilët vijnë nga shkollat dhe çerdhet ndërsa pjesa tjetër është për pjesëmarrësit tjerë të festivalit, dhe në njëfarë forme është bërë një kombinim edhe për fëmijët edhe për të rriturit që t’i përcjellin këto shfaqje”, tha Rama.

Ndërsa, po këtë ditë për shkak që në momentet e fundit ka hequr dorë trupa e teatrit të Pogradecit, Dodona ka luajtur edhe një shfaqje nga repertori i saj. Ishte kjo shfaqja “Minuku lozonjar”.

Sipas Ramës, përpjekjet dhe premtimet janë dhënë që festivali të bëhet tradicional, koha e festivalit do të jetë po kjo, java e fundit e shtatorit.

“Meqë është viti i parë, do të mundohemi që ndoshta vitin tjetër të jemi më të mirë, të organizojmë më mirë festivalin dhe të sjellim përveç trupave tona edhe trupa nga viset e ndryshme e sidomos trupa nga vendet të cilat kanë traditë teatrin e kukullave”, theksoi Rama.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›