E Martë, 3 Nëntor 2026

Festivali “Divani Lunxhot”/ Fundjavë folklorike në Lunxhëri

Në fshatin Dhoksat, në Gjirokastër, një nga 100 fshatrat e përzgjedhur si destinacion turistik ka startuar festivali folklorik “Divani Lunxhot”.

Në natën e parë të këtij eventi u ngjitën në skenë 6 grupe folklorike, të cilat prezantuan vlerat më të arrira të folkut dhe etnografisë.

“Kemi këngët tona tradicionale të Gjirokastrës, këngët e tabanit,” thotë një nga artistët.

“Sjellim këngët dhe vallet e vjetra tradicionale të trevave të Tiranës,” shton një artist tjetër.

Për organizatorët, ky event, në zemër të Lunxhërisë, është mjaft i rëndësishëm për mbajtjen gjallë të traditës dhe promovimin e turizmit.

“Është edhe një aset turistik, sepse këtu prodhohen jo vetëm gjëra shpirtërore, kulturore, por edhe materiale,” shprehet një artist.

Veprimtaritë e këtij eventi të rëndësishëm nisën me çeljen e panaireve te kulinarisë dhe artizanatit.

“Këtu kam sjellë hallva me miell orizi, hallva me miell misri dhe lakrorin tradicional të krahinës së Lunxhërisë,” thotë një vendase.

“Jam paraqitur me gatimet e Lunxhërisë, me dhiplon, që është kryesorja, me hasudenë e me të gjitha frutat e zonës, të cilat i kam përpunuar, gliko dhe likerna të ndryshme. Po kështu edhe erëzat, se Lunxhëria është një thesar, një perlë për të gjitha këto gatime,” shton një tjetër banore e zonës.

“Divani Lunxhot” organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë dhe Këshillit të Qarkut Gjirokastër.

Festës në zemër të Lunxhërisë përvec banorëve, emigrantëve të ardhur në këto ditë vere, turistëve iu bashkuan edhe kryetari i bashkisë Flamur Golemi, prefekti i qarkut Odise Kote e kryetari i këshillit të qarkut Dino Selimi.

Gazetare: Y. Bode

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›