E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali Europian, Rona Nishliu çon Shqipërinë në finale

Rona Nishliu në skenën e Bakusë

Rona Nishliu hyn në finalen e Festivalit Europian me këngën e saj personale. Këngëtarja nga Mitrovica ka arritur ta kalojë provën e gjysmëfinales. Si të ishte një parandjenjë e largët, ndërsa vendi i saj ishte zhytur në zi, Rona Nishliu këndoi mbrëmë në skenën e Festivalit Europian këngën Suus, me një refren të fortë, që i ngjan një vajtimi. Veshja në ngjyra të errëta e këngëtares që përfaqësoi për të nëntën herë Shqipërinë në Festivalin Europian dhe skena e ndriçuar pak, në ngjyrat kombëtare shqiptare, i përshtatej më së miri atmosferës në Shqipëri. Dhe duket se në këtë ditë të trishtë, kalimi i Ronës në natën finale ishte lajmi më i mirë. Ashtu si edhe gjatë provave, edhe në natën e konkurrimit Rona Nishliu, e cila u ngjit në skenë e pesta, ofroi një interpretim të patëmetë të këngës me tekst të sajin dhe muzikë të Florent Boshnjakut. Një këngë jashtë klisheve të Festivalit Europian, por që mori jo pak mbështetje. Në natën e parë të festivalit, zhvilluar në Crystal Hall në Baku të Azerbajxhanit, konkurruan 18 këngët e para gjysmëfinaliste, prej të cilave vetëm 10 mundën të hyjnë në finalen e madhe të 26 majit. Edhe këtë vit votimi i konkurrentëve u nda 50 me 50 mes jurisë profesioniste të çdo vendi dhe televotimeve të publikut. Festivali i ndjekur nga miliona spektatorë e telespektatorë u drejtua nga Nargiz, Eldar dhe Leyla. Nata e parë gjysmëfinale u transmetua nga Radio Televizioni Publik Shqiptar i regjistruar në orën 00:05 të ditës së sotshme, për shkak të zisë kombëtare. RTSH  i bëri kërkesë EBU-së që të mos e transmetonte natën e parë të festivalit live, kërkesë kjo që u mor në konsideratë. Jon Ola Sand, supervizori ekzekutiv Eurovision Song Contest u shpreh: Ne u shprehim mbështetjen tonë të gjithë atyre që janë goditur nga tragjedia dhe tregojmë respekt maksimal për kërkesën e RTSH-së. Në faqen zyrtare të Eurosongut shkruhet se kjo nuk do të ketë asnjë pasojë për Shqipërinë, e cila ka premtuar që do të transmetojë live natën e dytë dhe natën finale të festivalit.

10 Finalistët
Rumania
Moldavia
Islanda
Hungaria
Danimarka
Shqiperia
Qipro
Greqia
Rusia
Irlanda

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›