E Diel, 1 Nëntor 2026

Merr leje disa orë, 1 javë i zhdukur i dënuari

KORÇE – Arrin ti shpëtojë Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë, pezullohet drejtori pasi autorizoi daljen disaorëshe. Një i dënuar për mashtrim, i cili vuante dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Drenovë, është larguar pasi ka marrë leje dhe nuk është rikthyer për të vijuar shlyerjen e dënimit të tij. Sipas të dhënave, i burgosuri Marsel Vroso ishte dënuar me 2.5 vite burg për veprën penale të mashtrimit dhe duhet të qëndronte në qeli edhe për 8 muaj të tjerë deri në shlyerjen e plotë të dënimit të tij. E njëjta vepër penale rëndonte ndaj të dënuarit edhe në shtetin maqedonas. Burime të rezervuara të burgut të Drenovës thanë se Vroso ka kërkuar leje për tu larguar vetëm për disa orë me motivin e arsyeve familjare dhe autorizimi për daljen e tij është dhënë nga drejtuesit e institucionit të vuajtjes së dënimit. Mësohet se ka qenë xhaxhai i të dënuarit ai i cili është paraqitur para drejtuesve të burgut konform rregullave për marrjen e lejes, pasi dy prindërit e tij ndodhen në Amerikë. Edhe pse duhet të kthehej në datën 16 maj, po e njëjta ditë në të cilën kërkoi leje, i burgosuri duket se ka përfituar dhe ende pas 6 ditësh nuk është rikthyer. Autorizimi i lejes dhe mosrespektimi i saj nga ana e të burgosurit ka bërë që të pezullohet edhe drejtori i burgut Ilir Frashëri, i emëruar pak muaj më parë si drejtues i këtij institucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›