Shtyhet konkursi për Ismail Qemalin, paraqitje jo serioze

Disa nga bocetet e propozuara për shtatoren e Ismail Qemalit, të ekspozuara në Galerinë e Arteve
Ekspozohen bocetet për Qemalin, Prishtinën, Zogun.
Rubens Shima: Kemi një moskuptim të fizionomisë së personalitetit të tij.
Viti-fushatë i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, krahas monumentit të pavarësisë, do ti dhurojë kryeqytetit edhe tri shtatore, kushtuar 3 figurave të mëdha të historisë së vendit tonë, Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës dhe Mbretit Zog.
Por ky vit po shërben për të na bërë të ndërgjegjshëm mbi nivelet në të cilat lundron skulptura shqiptare sot. Ashtu si në rastin e monumentit të pavarësisë, edhe për tri të tjerat organizatorët vendosën ti ekspozojnë bocetet konkurruese, për të qenë sa më të hapur me publikun. Dhe dje, në sallën e ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Arteve u ekspozuan propozimet përkatëse për të tri figurat. Prurjet më të shumta janë për Ismail Qemalin. Janë 20 syresh, por fatkeqësisht ajo është figura e trajtuar më dobët. Nëse figurat e Hasan Prishtinës dhe Mbretit Zog, e më së shumti ky i fundit, janë më në karakter, propozimet e Ismail Qemalit nuk ta mbushin syrin. Plaku i urtë i Vlorës në shumë raste paraqitet si një djalosh kraharorgjerë, në ndonjë tjetër si ndonjë spitullaq i spërdredhur, i veshur shik, ndonjëherë ngjan si analist politik, dikush e ka veshur si mumiet e Egjiptit, madje në ndonjë rast shtatorja e burrit të pavarësisë të shëmbëllen si monumenti i ish-diktatorit Hoxha, që
dikur ngrihej në qendër të Tiranës: një hap para, xhaketa e gjatë që valëvitet nga era dhe një dorë pas. Në përpjekje për ta shoqëruar me simbolet kombëtare, autorët bien në banalizim. Në një rast një burri të moshuar (që nuk është se i përngjante fort Ismail Qemalit) dikush i kishte ngecur një flamur në dorë e ai sikur sdinte çtë bënte më të, një tjetër ngjante si tifozët kuqezi, një tjetër akoma mbante jo vetëm flamurin, po mbi flamur i kishte ndalur dhe një shpend, me gjasë shqiponjë… Dhe mes kësaj galerie burrash, që nuk kanë shumë lidhje me Ismail Qemalin, juria vendosi ta shtyjë konkursin. Ndërsa Për Zogun dhe Prishtinën tashmë është marrë vendimi, por pritet edhe miratimi i Komisionit Kombëtar të Festimeve, para se të bëhen publikë emrat e fituesve.
Më shumë kohë për Ismail Qemalin
Juria e përbërë nga Hektor Dule, Rubens Shima, Ali Oseku, Kaliopi Naska, Gjergj Bakëllbashi, Enton Derraj dhe Suzana Varvarica vendosi që konkursi për figurën e Ismail Qemalit të kalojë në një fazë të dytë, ku pesë skulptorë të përzgjedhur mes njëzetë konkurrentëve të ripropozojnë edhe një herë bocetet për këtë monument. Skulptorët që do të vazhdojnë konkurrimin, janë: Ilirjan Shima, Pjerin Kolnikaj, Idriz Ballani, Ardian Pepa dhe Veli Blakçori, shkruhej në vendimin e jurisë. Në rastin e Ismail Qemalit, Komisioni vendosi që ta shtyjë konkursin për një fazë të dytë duke përzgjedhur nga 19 artistët pjesëmarrës, vetëm 5 prej tyre, vepra e të cilëve pretendon për një monument më kualitativ. Megjithatë, brenda kësaj lënde që mori në shqyrtim Komisioni, ne vendosëm që asnjë nga bocetet pjesëmarrëse të mos jetë zgjidhja përfundimtare për monumentin kushtuar Ismail Qemalit, thotë drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima. Sipas tij, autorët nuk janë thelluar në njohjen e personazhit, ndaj edhe u ofrohet më shumë kohë për ta bërë këtë. Mendoj që, sidomos në rastin e Ismail Qemalit, kemi një mosnjohje të këtij personazhi. Kemi një moskuptim edhe të fizionomisë së personalitetit të tij.
Përballë kësaj gjendjeje, Komisioni e pa të udhës që tu jepte më shumë kohë artistëve që të njiheshin me personalitetin e kësaj figure, me rekuizitën e kohës, përfshirë veshjen apo elementë të tjerë, që janë përdorur nga artistët, por që nuk tregojnë kohën. Kjo shtyrje prej një muaj e gjysmë besoj se mjafton që artistët të bëjnë një kërkim të mëtejshëm rreth kësaj figure, çka do ti ndihmojë që të rikoncepotojnë bocetet, vazhdon Shima. E nëse 5 artistët nuk do të arrijnë të realizojnë një figurë bindëse, konkursi mund të shtyhet sërish, deri në arritjen e një rezultati të kënaqshëm. E rëndësishme për MTKRS, GKA dhe jurinë, është që të kemi një monument sa më dinjitoz të Ismail Qemalit. Në rast se konkursi i parë u dha mundësinë vetëm pesë artistëve, ne besojmë jo më tepër te bocetet e paraqitura, por tek CV-ja e tyre, që do të sjellin bocete që të respektojnë kërkesat e vëna nga juria, ku të jetë një skulpturë karakteri, larg një fryme patetizmi dhe deri diku, larg një lloj tradite të një skulpture, që duket si zgjatim i realizmit socialist. Në rast se edhe faza e dytë nuk do të mund të ketë një fitues, atëherë ne do ta rikonsiderojmë edhe njëherë dhe do ta shtyjmë përsëri konkursin, derisa juria të jetë e bindur në vendimin e saj dhe në emrin e artistit që do ti besojë realizimin e monumentit të Ismail Qemalit.
Sheshet ku do vendosen shtatoret
Njëkohësisht me realizimin e shtatoreve, po diskutohet edhe vendi se ku do të vihen ato. Janë disa sheshe të propozuara dhe që po diskutohen në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, por është Këshilli Bashkiak ai që do vendosë. Është hedhur ideja që monumenti kushtuar Ismail Qemalit të vendoset te rruga Ismail Qemali, në krah të zyrave të Kuvendit, shtatorja kushtuar Mbretit Zog të vendoset në bulevardin që mban të njëjtin emër dhe figura kushtuar Hasan Prishtinës të vendoset te rruga Hoxha Tahsin, që banorët e njohin si Xhamllëku. Këto janë vendet që po diskutohen. Nuk besoj se Tirana ofron shumë mundësi që ne të kemi luksin e zgjedhjes, thotë drejtori i GKA-së, Rubens Shima.
ALMA MILE