Festivali Folklorik Kombëtar, çmim për grupin isopolifonik të Vlorës
01/12/2011 Me rastin e festimeve për 99-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare në qytetin e Vlorës u zhvillua për 2 net më radhë edicioni i dhjetë i Festivalit Kombëtar të Isopolifonisë. Morën pjesë grupe nga të gjitha zonat ku këndohet isopolifonia. Grupet e zonës së Labërisë u dhuruan spektatorëve në natën e parë emocione të jashtëzakonshme. Mjeshtra të këngës labe nga Himara, Dukati, Tragjasi, Tërbaçi etj, si dhe të qytetit të Vlorës krijuan emocione të veçanta. Ndërsa në natën e dytë larmia e isopolifonisë përveç këngëve labe që morën vlerësimin e publikut nga Gjirokastra, Tepelena, Mallakastra u shtri me pjesëmarrës nga zona e Gramshit, Myzeqeja etj. Spektatorët e shumtë mirëpritën me shumë veçanti dhe grupin isopolifonik nga Struga, ndërsa një pjesë speciale iu kushtua të pranishmëve dhe nga pjesëmarrësit nga Ulqini e Kosova, ku u shpalos me gjithë forcën e shpirtit magjia e folklorit shqiptar, një vlerë e papërsëritshme jo vetëm kombëtare, por dhe ndërkombëtare. Festivali i organizuar nga Qendra e Kulturës së qytetit si çdo edicion është mbështetur financiarisht nga Bashkia e Vlorës dhe zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Shpëtim Gjika. Specialistë të muzikologjisë dhe folklorit u shprehën me vlerësime të veçanta për një aktivitet kombëtar të përmasave të tilla, i cili është ndër të paktët e këtij lloji pasi prej vitesh nuk ka më aktivitete të isopolifonisë të mbështetura nga Ministria e Kulturës. Bashkia e Vlorës është kthyer në një promotor duke mbështetur evente folklorike me cilësi dhe vlerë kombëtare dhe më tej. Në përfundim juria e festivalit përzgjodhi grupet fituese të festivalit të Vlorës ku çmimin e kryesor, i cili mban emrin e personalitetit të paharruar të muzikologjisë shqiptare, “Haxhi Dalipi” iu dha grupit të isopolifonisë “Jehona” të Vlorës. Nën tingujt e zërave të grupit fitues u mbyll sipari i festivalit, i cili kulmoi mes shumë aktiviteteve për ditën e flamurit që u zhvilluan në Vlorë, në kryeqendrën e pavarësisë së shqiptarëve.